Libri i parë i Mbretërve 19:1-21
19 Atëherë Akabi+ i tregoi Jezebelës+ gjithçka kishte bërë Elija dhe si i kishte vrarë me shpatë tërë profetët.+
2 Menjëherë Jezebela i dërgoi Elijas një lajmëtar për t’i thënë: «Perënditë më ndëshkofshin ashpër, nëse nesër në këtë kohë nuk do të kem bërë që ti të përfundosh si secili prej tyre!»
3 Me të dëgjuar këtë, Elija u frikësua, prandaj u çua dhe iku për të shpëtuar kokën.+ Vajti në Ber-Shebë+ të Judës,+ la atje shërbëtorin e tij,
4 kurse vetë bëri një ditë rrugë në shkretëtirë. Ai u ul nën një gjineshtër dhe kërkoi të vdiste: «O Jehova, s’mundem më, merrma jetën,+ sepse nuk jam më i mirë se paraardhësit e mi.»
5 Pastaj u shtri dhe ra në gjumë nën gjineshtër. Papritur një engjëll e preku+ dhe i tha: «Ngrihu dhe ha.»+
6 Ai pa dhe aty pranë kokës së tij ishte një bukë e rrumbullakët mbi gurë të nxehtë dhe një shtambë me ujë. Ai hëngri, piu dhe u shtri përsëri.
7 Më vonë engjëlli i Jehovait u kthye për herë të dytë, e preku dhe tha: «Ngrihu dhe ha, sepse udhëtimi do të jetë tepër i vështirë për ty.»
8 Kështu ai u ngrit, hëngri e piu. Me fuqinë që i dha ushqimi, eci për 40 ditë e 40 net derisa arriti në Horeb, në malin e Perëndisë së vërtetë.+
9 Atje hyri në një shpellë+ që të kalonte natën. Kur ja, fjala e Jehovait iu drejtua: «Çfarë po bën këtu, Elija?»
10 Ai u përgjigj: «Më pushtoi zelli për ty, o Jehova, Perëndi i ushtrive,+ sepse populli i Izraelit ka lënë besëlidhjen tënde,+ ka shembur altarët e tu dhe ka vrarë me shpatë profetët e tu.+ Kam mbetur vetëm unë, dhe ata po kërkojnë të ma marrin jetën.»+
11 Por Ai tha: «Dil dhe qëndro në mal përpara Jehovait.» Dhe ja, po kalonte Jehovai.+ Një erë e madhe dhe e fortë po çante malet e po thyente shkrepat para Jehovait,+ por Jehovai nuk ishte në erë. Pas erës, ra një tërmet,+ por Jehovai nuk ishte në tërmet.
12 Pas tërmetit, pati zjarr,+ por Jehovai nuk ishte në zjarr. Pas zjarrit, u dëgjua një zë i qetë e i ulët.+
13 Sapo e dëgjoi, Elija e mbuloi fytyrën me veshjen e tij*+ dhe doli e qëndroi në hyrje të shpellës. Atëherë një zë e pyeti: «Çfarë po bën këtu, Elija?»
14 Ai u përgjigj: «Më pushtoi zelli për ty, o Jehova, Perëndi i ushtrive, sepse populli i Izraelit ka lënë besëlidhjen tënde,+ ka shembur altarët e tu dhe ka vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë, dhe ata po kërkojnë të ma marrin jetën.»+
15 Jehovai i tha: «Kthehu dhe shko në shkretëtirën e Damaskut dhe kur të arrish atje, mirose Hazaelin+ si mbret të Sirisë.
16 Pastaj Jehun,+ nipin e Nimshit, mirose si mbret të Izraelit, kurse Eliseun,* birin e Shafatit nga Abel-Meholahu, mirose si profet në vendin tënd.+
17 Ai që do të shpëtojë nga shpata e Hazaelit,+ do të vritet nga Jehu,+ dhe ai që do të shpëtojë nga shpata e Jehut, do të vritet nga Eliseu.+
18 Kam akoma 7.000 veta në Izrael,+ të gjithë ata që nuk kanë rënë në gjunjë para Baalit+ dhe nuk e kanë puthur atë.»+
19 Atëherë ai u nis prej andej dhe e gjeti Eliseun, birin e Shafatit, në një arë ku po lëronin tokën para tij 12 çifte demash, dhe ai ishte te çifti i 12-të. Kështu Elija shkoi tek ai dhe i hodhi sipër veshjen e vet.*+
20 Menjëherë ai i la demat, vrapoi pas Elijas dhe tha: «Të lutem, më lër të puth babanë dhe nënën time, pastaj do të vij pas teje.» Elija i tha: «Shko e kthehu, kush po të pengon?»
21 Kështu ai u kthye, mori dy dema dhe i theri.* Drurin e veglave të lërimit të tokës i dogji që të ziente mishin, pastaj ua dha mishin njerëzve dhe ata e hëngrën. Pas kësaj u çua, shkoi pas Elijas dhe filloi t’i shërbente.+
Shënimet
^ Ose «veshjen e profetit».
^ Do të thotë «Perëndia është shpëtim».
^ Ose «veshjen e profetit».
^ Fjalë për fjalë «i flijoi».