Libri i dytë i Samuelit 13:1-39
13 Tani, Amnoni,+ biri i Davidit, ra në dashuri me Tamarën,+ motrën e bukur të Absalomit, birit të Davidit.
2 Amnoni vuante kaq shumë për shkak të së motrës, Tamarës, sa u sëmur, sepse ajo ishte virgjëreshë dhe atij i dukej e pamundur ta kishte për vete.
3 Tani, Amnoni kishte një shok që quhej Jehonadab,+ që ishte biri i Shimeahut,+ vëllait të Davidit; Jehonadabi ishte njeri shumë i zgjuar.
4 Kështu ai i tha: «A s’më thua, o bir i mbretit, pse je kaq i dëshpëruar çdo mëngjes?» Amnoni iu përgjigj: «Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën+ e vëllait tim Absalom.»
5 Atëherë Jehonadabi i tha: «Shtrihu në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë. Kur të vijë babai që të të shohë, thuaji: ‘Të lutem, të vijë motra ime Tamara e të më bëjë diçka për të ngrënë. Unë do të ha vetëm po të ma gatuajë ushqimin për një të sëmurë* para syve të mi dhe të ma shërbejë me duart e veta.’»
6 Kështu Amnoni u shtri dhe bëri sikur ishte i sëmurë, dhe mbreti erdhi ta shihte. Atëherë Amnoni i tha mbretit: «Të lutem, të vijë motra ime Tamara që të pjekë para syve të mi dy kuleç në formë zemre dhe të m’i shërbejë me duart e veta.»
7 Prandaj Davidi i dërgoi fjalë Tamarës që ishte në shtëpi: «Të lutem, shko në shtëpinë e Amnonit, vëllait tënd, dhe bëji diçka për të ngrënë.»*
8 Kështu Tamara shkoi në shtëpinë e Amnonit, vëllait të vet, i cili rrinte shtrirë. Ajo mori brumin, e punoi, bëri kuleç para syve të tij dhe i poqi.
9 Pastaj mori tiganin e i dha për të ngrënë. Por Amnoni nuk pranoi të hante dhe tha: «Nxirrini të gjithë jashtë!» Kështu të gjithë dolën.
10 Pastaj Amnoni i tha Tamarës: «Sille ushqimin* në dhomën e gjumit dhe ma shërbe me duart e tua.» Kështu Tamara mori kuleçtë që kishte bërë në formë zemre dhe ia çoi të vëllait, Amnonit, në dhomën e gjumit.
11 Kur i çoi për të ngrënë, ai e mbërtheu dhe i tha: «Eja, fli me mua, motra ime.»
12 Por ajo ia ktheu: «Mos, vëllai im! Mos më poshtëro! Se në Izrael nuk bëhet një gjë e tillë.+ Mos e bëj këtë gjë të turpshme!+
13 Si të jetoj unë me këtë turp? Edhe ty do të të shohin si njeri të poshtër në Izrael. Fol me mbretin, të lutem, se me siguri do ta japë pëlqimin e tij që të bëhem gruaja jote.»
14 Por Amnoni nuk pranoi ta dëgjonte dhe, meqë ishte më i fortë se ajo, e përdhunoi dhe e poshtëroi.
15 Pastaj Amnoni filloi të ndiente një urrejtje të thellë për Tamarën, një urrejtje edhe më të thellë se dashuria që kishte ndier për të. Prandaj i tha: «Ngrihu! Ik!»
16 Atëherë ajo ia ktheu: «Mos, vëllai im! Se po të më përzësh tani, do të më bësh një të keqe më të madhe se ajo që më ke bërë.» Por ai nuk pranoi ta dëgjonte.
17 Pas kësaj ai thirri të riun që i shërbente dhe i tha: «Nxirrma jashtë këtë njeri dhe kyçe derën pasi të dalë!»
18 (Tamara kishte veshur një veshje të gjatë të stolisur,* sepse këto rroba vishnin vajzat e pamartuara* të mbretit.) Kështu shërbëtori e nxori jashtë dhe e kyçi derën pasi ajo doli.
19 Atëherë Tamara vuri hi mbi kokë,+ shqeu rrobën e bukur që mbante veshur, vuri duart në kokë, ia krisi të qarit dhe bërtiste rrugës.
20 Atëherë Absalomi,+ i vëllai, e pyeti: «Kush ishte me ty? Vëllai yt Amnon? Tani, mos fol me askënd për këtë motra ime, se ai është yt vëlla.+ Mos e mbaj mendjen aty.» Kështu Tamara jetoi e veçuar në shtëpinë e të vëllait, Absalomit.
21 Kur dëgjoi për tërë këto gjëra, mbreti David u zemërua shumë.+ Por nuk deshi t’ia lëndonte ndjenjat të birit, Amnonit, sepse e donte ngaqë ishte i parëlinduri.
22 Ndërkohë Absalomi nuk i tha asnjë gjysmë fjale Amnonit, as të mirë, as të keqe, sepse Absalomi e urrente+ Amnonin, ngaqë i kishte poshtëruar të motrën, Tamarën.+
23 Plot dy vjet më vonë, kur Absalomi i kishte qethësit e deleve në Baal-Hazor, pranë Efraimit,+ ai ftoi në një festë gjithë djemtë e mbretit.+
24 Kështu Absalomi vajti te mbreti dhe i tha: «Shërbëtori yt po qeth delet. Të lutem, të vijnë me mua mbreti dhe shërbëtorët e tij.»
25 Por mbreti i tha Absalomit: «Jo, biri im. Nëse vijmë të gjithë, do të të bëhemi barrë.» Edhe pse ai vazhdoi t’i lutej, mbreti nuk pranoi të shkonte, por e bekoi.
26 Atëherë Absalomi tha: «Nëse nuk vjen ti, të lutem, le të vijë me ne vëllai im Amnon.»+ Mbreti ia ktheu: «Po pse të vijë ai me ty?»
27 Por Absalomi iu përgjërua, kështu që ai dërgoi me të Amnonin dhe gjithë djemtë e mbretit.
28 Atëherë Absalomi i urdhëroi shërbëtorët e tij: «Kini mendjen, kur Amnoni të vijë në qejf nga vera, unë do t’ju them: ‘Vriteni Amnonin!’ Atëherë ju duhet ta vritni. Mos kini frikë, sepse po ju urdhëroj unë. Jini të fortë dhe guximtarë.»
29 Kështu shërbëtorët e Absalomit bënë me Amnonin pikërisht siç i urdhëroi Absalomi. Pastaj të gjithë djemtë e tjerë të mbretit u çuan dhe secili i hipi mushkës së vet dhe ia mbathi.
30 Ndërkohë që ata ishin rrugës, Davidit i erdhi ky lajm: «Absalomi ka vrarë tërë djemtë e mbretit, dhe asnjë nuk ka mbijetuar.»
31 Me të dëgjuar këtë, mbreti u ngrit, shqeu rrobat e u shtri përtokë, dhe tërë shërbëtorët e tij i qëndronin pranë me rroba të shqyera.
32 Por Jehonadabi,+ biri i Shimeahut,+ vëllait të Davidit, tha: «Zotëria im, mos mendo se kanë vrarë gjithë të rinjtë, djemtë e mbretit, se faktikisht ka vdekur vetëm Amnoni.+ Kjo ndodhi me urdhër të Absalomit, i cili kishte vendosur ta bënte këtë+ që prej ditës që Amnoni i poshtëroi të motrën,+ Tamarën.+
33 Tani, zotëria im mbret, mos ia vër veshin lajmit: ‘Kanë vdekur të gjithë djemtë e mbretit.’ Vetëm Amnoni ka vdekur.»
34 Ndërkohë Absalomi ia mbathi.+ Më vonë, roja ngriti sytë dhe pa se nga rruga që zbriste përgjatë shpatit të malit po vinin shumë njerëz.
35 Atëherë Jehonadabi+ i tha mbretit: «Ja, djemtë e mbretit u kthyen. Ka ndodhur tamam siç tha shërbëtori yt.»
36 Sapo tha këtë, djemtë e mbretit hynë duke qarë me të madhe; edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij vajtuan me hidhërim.
37 Por Absalomi ia mbathi dhe shkoi te Talmai,+ biri i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbajti zi për të birin për shumë ditë.
38 Pasi ia mbathi për në Geshur,+ Absalomi ndenji atje tre vjet.
39 Në fund mbretin David e mori shumë malli ta takonte Absalomin, sepse i ishte lehtësuar dhembja për* vdekjen e Amnonit.
Shënimet
^ Ose «bukën e ngushëllimit».
^ Ose «bukën e ngushëllimit».
^ Ose «bukën e ngushëllimit».
^ Ose «të veçantë».
^ Fjalë për fjalë «e virgjëra».
^ Ose «e kishte pranuar».