Letra e dytë drejtuar selanikasve 2:1-17
2 Megjithatë, vëllezër, për sa i përket pranisë së Zotërisë tonë Jezu Krisht+ dhe kohës kur do të mblidhemi bashkë me të,+ ju kërkojmë
2 të mos e humbni shpejt gjykimin, as të mos alarmoheni nga ndonjë thënie e frymëzuar*+ ose nga ndonjë fjalë a nga ndonjë letër gjoja e shkruar nga ne, sikur dita e Jehovait*+ tashmë ka ardhur.
3 Askush të mos ju largojë nga rruga e drejtë* në ndonjë mënyrë, sepse ajo ditë nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia+ dhe pa u zbuluar njeriu i paligjshmërisë,*+ biri i shkatërrimit.+
4 Ai është një kundërshtar që e lartëson veten mbi këdo që quhet «perëndi» e mbi çdo objekt adhurimi, aq sa ulet në tempullin e Perëndisë dhe e paraqet veten para të gjithëve si perëndi.
5 A nuk ju kujtohet se kur isha ende me ju, jua thosha këto gjëra?
6 Tani, pra, e dini kush po vepron si forcë frenuese, me qëllim që njeriu i paligjshmërisë të mos zbulohet para kohës së caktuar.
7 Vërtet, kjo paligjshmëri, që tashmë është në veprim,+ do të mbetet mister deri kur të mos jetë më ai që tani vepron si forcë frenuese.
8 Atëherë do të zbulohet vërtet njeriu i paligjshmërisë, të cilin Zotëria Jezu do ta zhdukë me forcën e fjalës së tij*+ dhe do ta asgjësojë kur prania e Tij të shfaqet qartë.+
9 Megjithatë, prania e njeriut të paligjshmërisë është vepër e Satanait,+ sikurse edhe çdo vepër e fuqishme, shenjë e mrekulli* e rreme+
10 dhe çdo mashtrim e padrejtësi.+ Këto gjëra i mashtrojnë ata që do të shpaguhen me shkatërrim, ngaqë nuk e pranuan dhe nuk e deshën me gjithë zemër të vërtetën, që të shpëtonin.
11 Ja pse Perëndia lejon që ata të ndikohen nga mashtrimet, e kështu t’i besojnë gënjeshtrës,+
12 me qëllim që të gjithë të gjykohen, pasi nuk e besuan të vërtetën, por u kënaqën me padrejtësinë.
13 Megjithatë, ne e ndiejmë për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur për Jehovain,* sepse që në fillim Perëndia ju zgjodhi+ që të shpëtonit dhe ju shenjtëroi*+ me frymën e tij ngaqë e besuat të vërtetën.
14 Nëpërmjet lajmit të mirë që ne shpallim, ai ju thirri që të merrni lavdi si Zotëria ynë Jezu Krisht.+
15 Prandaj, vëllezër, qëndroni të patundur+ dhe përmbajuni ngushtësisht traditave* që ju kemi mësuar,+ me fjalë a me ndonjë letër prej nesh.
16 E Zotëria ynë Jezu Krisht dhe Perëndia, Ati ynë, i cili na deshi+ e na dha ngushëllim të pashtershëm e shpresë të mrekullueshme+ me anë të mirësisë së pamerituar,
17 ngushëllofshin zemrat tuaja dhe ju bëfshin të patundur* për çdo vepër e fjalë të mirë!
Shënimet
^ Ose «nga ndonjë frymë». Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.
^ Ose «të mos ju joshë».
^ Fjalë për fjalë «me frymën e gojës së tij».
^ Ose «çudira».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
^ Ose «udhëzimeve».
^ Ose «të fortë».