Ligji i përtërirë 27:1-26
27 Pastaj Moisiu, bashkë me pleqtë e Izraelit, e urdhëroi popullin: «Zbato të gjitha urdhërimet që po të jap sot.
2 Ditën kur të kalosh Jordanin për të hyrë në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt, zgjidh gurë të mëdhenj dhe suvatoji.*+
3 E kur të kesh kaluar matanë, shkruaj në ta të gjitha fjalët e këtij Ligji, me qëllim që të hysh në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt, në atë vend ku rrjedh qumësht e mjaltë, siç të kishte premtuar Jehovai, Perëndia i paraardhësve të tu.+
4 Kur ta kesh kaluar Jordanin, ngriji në këmbë këta gurë në malin Ebal+ dhe suvatoji,* siç po të urdhëroj sot.
5 Aty ndërto edhe një altar për Jehovain, Perëndinë tënd, një altar me gurë, mbi të cilët nuk duhet të përdorësh asnjë vegël hekuri.+
6 Altarin e Jehovait, Perëndisë tënd, ndërtoje me gurë të pagdhendur dhe paraqit në të blatime të djegura për Jehovain, Perëndinë tënd.
7 Bëj flijime në bashkësi+ e haji aty+ dhe gëzo para Jehovait, Perëndisë tënd.+
8 Të gjitha fjalët e këtij Ligji shkruaji qartë në gurë.»+
9 Pastaj Moisiu, bashkë me priftërinjtë levitë, i tha tërë Izraelit: «Dëgjo me vëmendje, o Izrael. Sot ti je bërë populli i Jehovait, Perëndisë tënd.+
10 Dëgjo zërin e Jehovait, Perëndisë tënd, dhe zbato urdhërimet+ dhe rregullat e tij, që po të jap sot.»
11 Po atë ditë Moisiu i dha këtë urdhër popullit:
12 «Kur populli të kalojë Jordanin, fiset që do të qëndrojnë në malin Gerizim+ për të shpallur bekimet janë: Simeoni, Levi, Juda, Isahari, Jozefi dhe Beniamini.
13 Ndërsa fiset që do të qëndrojnë në malin Ebal+ për të shpallur mallkimet, janë: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani dhe Neftali.
14 Levitët do t’i thonë me zë të lartë gjithë popullit të Izraelit:+
15 ‘Mallkuar qoftë ai që bën dhe fsheh një shëmbëlltyrë të gdhendur+ a një statujë metali,*+ sepse janë të neveritshme për Jehovain+ dhe s’janë veçse vepër e duarve të një mjeshtri.’* (Dhe tërë populli do të përgjigjet e do të thotë: ‘Amin!’)*
16 ‘Mallkuar qoftë ai që përçmon babanë ose nënën.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
17 ‘Mallkuar qoftë ai që shtyn shenjën e kufirit të pronës së fqinjit.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
18 ‘Mallkuar qoftë ai që e bën të verbrin të humbasë rrugën.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
19 ‘Mallkuar qoftë ai që shtrembëron drejtësinë+ për të ardhurin, për jetimin* dhe për vejushën.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
20 ‘Mallkuar qoftë ai që fle me gruan e të atit, sepse e çnderon të atin.’*+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
21 ‘Mallkuar qoftë ai që kryen marrëdhënie seksuale me ndonjë kafshë.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
22 ‘Mallkuar qoftë ai që kryen marrëdhënie seksuale me motrën e vet, qoftë vajzë e babait, qoftë vajzë e nënës së vet.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
23 ‘Mallkuar qoftë ai që fle me të vjehrrën.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
24 ‘Mallkuar qoftë ai që i zë pritë tjetrit dhe e vret.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
25 ‘Mallkuar qoftë ai që merr ryshfet për të vrarë një të pafajshëm.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
26 ‘Mallkuar qoftë ai që nuk i pranon dhe nuk i zbaton fjalët e këtij Ligji.’+ (Dhe tërë populli do të thotë: ‘Amin!’)
Shënimet
^ Ose «dhe lyeji me gëlqere».
^ Ose «dhe lyeji me gëlqere».
^ Ose «Ashtu qoftë!»
^ Ose «të atij që punon drurin dhe metalin».
^ Ose «shtatore të derdhur».
^ Ose «fëmijën pa baba».
^ Fjalë për fjalë «ngre cepin e rrobës së të atit».