Letra drejtuar hebrenjve 13:1-25
13 Vazhdoni të tregoni dashuri vëllazërore.+
2 Mos harroni mikpritjen,*+ sepse nëpërmjet saj disa, pa e ditur, pritën engjëj.+
3 Kujtoni ata që janë në burgje,*+ sikur të ishit të burgosur me ta,+ dhe ata që keqtrajtohen, meqë edhe ju vetë jeni prej mishi e gjaku.*
4 Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi,+ sepse Perëndia do të gjykojë imoralët* dhe kurorëshkelësit.+
5 Jetesa juaj të jetë pa lakmi* për pará!+ Jini të kënaqur me atë që keni,+ sepse ai ka thënë: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»+
6 Kështu mund të themi plot guxim: «Jehovai* është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!»+
7 Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush,+ të cilët ju kanë mësuar fjalën e Perëndisë, dhe ndërsa shihni me kujdes rezultatin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.+
8 Jezu Krishti është i njëjti, dje, sot dhe përgjithmonë.
9 Mos u mashtroni nga mësime të ndryshme të huaja, sepse është më mirë që zemra të forcohet me anë të mirësisë së pamerituar e jo me anë të ushqimeve,* të cilat nuk u sjellin asnjë dobi atyre që u japin tepër rëndësi.+
10 Ne kemi një altar, dhe ata që kryejnë shërbim të shenjtë në tendë,* nuk janë të autorizuar të hanë prej tij,+
11 sepse trupat e atyre kafshëve, gjakun e të cilave kryeprifti e çon në vendin e shenjtë* si blatim për mëkatin, digjen jashtë kampit.+
12 Ja pse edhe Jezui vuajti jashtë portës së qytetit,+ që të shenjtëronte popullin me gjakun e vet.+
13 Prandaj, le të shkojmë tek ai, jashtë kampit, dhe të mbajmë mbi vete poshtërimin që mbajti ai,+
14 sepse ne nuk kemi këtu një qytet të qëndrueshëm, por po kërkojmë me ngulm qytetin që do të vijë.+
15 E nëpërmjet tij, le t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi,+ po, frytin e buzëve tona,+ duke shpallur publikisht emrin e tij.+
16 Gjithashtu, mos harroni të bëni mirë dhe të ndani me të tjerët atë që keni,+ sepse Perëndia kënaqet shumë me flijime të tilla.+
17 Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush+ dhe jini të nënshtruar,+ sepse rrinë zgjuar për ju* e do të japin llogari,+ që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.
18 Vazhdoni të luteni për ne, sepse jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër* dhe duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.+
19 E sidomos ju nxit të luteni që të kthehem sa më shpejt te ju.
20 Tani, Perëndia i paqes, që me gjakun e një besëlidhjeje të përhershme, ngriti nga të vdekurit bariun e madh+ të deleve, Zotërinë tonë Jezu,
21 ju pajistë me çdo gjë të mirë për të kryer vullnetin e tij dhe, nëpërmjet Jezu Krishtit, realizoftë te ne ç’është e pëlqyeshme në sytë e tij, të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve! Amin!
22 Ju nxit, vëllezër, që t’i dëgjoni me durim këto fjalë inkurajimi, se një letër të shkurtër ju kam shkruar.
23 Dijeni se vëllanë tonë Timote e kanë liruar dhe, nëse ai vjen shpejt, do të vijmë bashkë t’ju takojmë.
24 Bëjuni të fala nga unë të gjithë atyre që marrin drejtimin mes jush dhe gjithë të shenjtëve. Vëllezërit në Itali+ ju çojnë të fala.
25 Mirësia e pamerituar e Perëndisë qoftë me ju të gjithë!
Shënimet
^ Ose «Mos harroni të tregoheni zemërmirë me të huajt».
^ Fjalë për fjalë «në vargonj».
^ Një mundësi tjetër «sikur të vuanit me ta».
^ Shih Fjalorthin, «Imoraliteti seksual».
^ Ose «pa dashuri».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Domethënë, rregullave për ushqimet.
^ Ose «tempull».
^ Ose «Më të Shenjtën».
^ Ose «vigjilojnë për shpirtin tuaj».
^ Fjalë për fjalë «të mirë».