Levitiku 11:1-47

  • Kafshët e pastra dhe të papastra (1-47)

11  Pastaj Jehovai u tha Moisiut dhe Aronit:  «Thuajuni izraelitëve: ‘Nga tërë krijesat e gjalla të tokës* mund të hani këto:+  mund të hani të gjitha kafshët dythundrake e me thundër plotësisht të çarë dhe që ripërtypen.  Por mos hani këto kafshë ripërtypëse ose dythundrake: devenë, sepse është ripërtypëse, por jo dythundrake; është kafshë e papastër për ju.+  Edhe lepurin e shkëmbinjve,+ sepse është ripërtypës, por jo dythundrak; është kafshë e papastër për ju.  Edhe lepurin e egër, sepse është ripërtypës, por jo dythundrak; është kafshë e papastër për ju.  Edhe derrin,+ sepse është dythundrak e me thundër plotësisht të çarë, por jo ripërtypës; është kafshë e papastër për ju.  Mos e hani mishin e tyre dhe mos e prekni trupin e tyre të ngordhur; ato janë të papastra për ju.+  Nga tërë krijesat ujore mund të hani këto: çdo gjë që ka pendë dhe luspa, si në dete, edhe në lumenj.+ 10  Por të gjitha krijesat që gjenden në dete e lumenj dhe që s’kanë pendë e luspa, qoftë krijesat e vogla që rrinë në tufa, qoftë gjithë krijesat e tjera të gjalla,* janë të neveritshme për ju. 11  Po, ato duhet të jenë të neveritshme për ju; mos e hani mishin e tyre+ dhe kini neveri nga trupi i tyre i ngordhur. 12  Çdo gjë që gjendet në ujëra dhe që nuk ka pendë e luspa është e neveritshme për ju. 13  Nga krijesat fluturuese do të keni neveri për këto, të cilat nuk duhen ngrënë, pasi janë të neveritshme: shqiponja,+ shqiponja peshkngrënëse, shkaba e zezë,+ 14  huta e kuqërremtë bishtgërshërë dhe çdo lloj hute e zezë bishtgërshërë, 15  çdo lloj korbi, 16  struci, bufi, pulëbardha, çdo lloj fajkoi, 17  kukuvajka, karabullaku, bufi veshgjatë, 18  mjellma, pelikani, shkaba, 19  lejleku, çdo lloj çafke, pupëza dhe lakuriqi i natës. 20  Të gjitha krijesat e vogla me krahë që rrinë në tufa* e që ecin me katër këmbë janë të neveritshme për ju. 21  Nga tërë krijesat e vogla me krahë që rrinë në tufa e që ecin me katër këmbë, mund të hani vetëm ato që kanë këmbë të nyjëzuara për të kërcyer në tokë. 22  Nga këto mund të hani: lloje të ndryshme karkaleci migrues, karkaleca të tjerë të ngrënshëm,+ bulktha dhe karkaleca antenëgjatë. 23  Çdo krijesë tjetër e vogël me krahë që rri në tufa e që ka katër këmbë është e neveritshme për ju. 24  Këto ju bëjnë të papastër, dhe kushdo që prek trupin e tyre të ngordhur do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ 25  Nëse në rrobat e dikujt gjendet trupi i tyre i ngordhur, ai duhet të lajë rrobat+ dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 26  Të gjitha kafshët dythundrake që nuk e kanë thundrën plotësisht të çarë dhe nuk janë ripërtypëse, janë të papastra për ju, dhe kushdo që i prek, do të jetë i papastër.+ 27  Të gjitha krijesat e gjalla katërkëmbëshe që ecin me putra janë të papastra, dhe kushdo që prek trupin e tyre të ngordhur do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 28  Ai që mbart trupat e tyre të ngordhur, duhet të lajë rrobat+ e do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ Ato janë të papastra për ju. 29  Këto janë krijesat e vogla që rrinë në tufa e zvarriten në tokë, të cilat janë të papastra: miu-urith, miu+ dhe çdo lloj hardhuce, 30  gekoja,* zhapiku, salamandra, hardhuca e rërës dhe kameleoni. 31  Këto krijesa të vogla që rrinë në tufa e zvarriten, janë të papastra për ju,+ dhe kushdo që prek trupin e tyre të ngordhur do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ 32  Gjithçka në të cilën bie ndonjë nga këto krijesa kur ngordh, do të jetë e papastër, qoftë enë druri, rrobë, lëkurë a copë thesi. Çdo pajisje, pavarësisht nga përdorimi, duhet të zhytet në ujë dhe do të jetë e papastër deri në mbrëmje; pastaj do të jetë e pastër. 33  Nëse ndonjëra bie brenda një ene balte, enën duhet ta bëni copë-copë, dhe gjithçka që kishte brenda do të jetë e papastër.+ 34  Çdo ushqim mbi të cilin bie ujë prej asaj ene do të jetë i papastër, dhe çdo lëng i pijshëm brenda saj do të jetë i papastër. 35  Gjithçka mbi të cilën bien trupat e tyre të ngordhur do të jetë e papastër. Qoftë furrë a sobë e vogël duhet të thyhet. Ato janë të papastra dhe do të mbeten të papastra edhe për ju. 36  Të pastër do të mbeten vetëm burimet dhe sternat* ku mblidhet ujë, kurse kushdo që prek trupin e tyre të ngordhur do të jetë i papastër. 37  Nëse ndonjë trup i ngordhur bie mbi një farë bime që do të mbillet, fara mbetet e pastër. 38  Por nëse mbi farë hidhet ujë dhe mbi të bie një pjesë e trupit të tyre të ngordhur, fara është e papastër për ju. 39  Nëse ngordh ndonjë nga kafshët e tua që e mban për ushqim, ai që prek trupin e ngordhur do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ 40  Ai që ha nga trupi i saj i ngordhur, duhet të lajë rrobat dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ Edhe ai që heq trupin e saj të ngordhur duhet të lajë rrobat dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 41  Të gjitha krijesat e vogla që rrinë në tufa në tokë janë të neveritshme;+ ato nuk duhen ngrënë. 42  Mos hani asnjë krijesë që zvarritet barkas, asnjë krijesë që ecën me katër këmbë dhe asnjë krijesë të vogël shumëkëmbëshe që rri në tufa në tokë, sepse janë të neveritshme.+ 43  Mos u bëni të neveritshëm për shkak të ndonjë krijese të vogël që rri në tufa, dhe mos u bëni të papastër e mos u ndotni me të,+ 44  sepse unë jam Jehovai, Perëndia juaj.+ Shenjtërohuni që të jeni të shenjtë,+ sepse unë jam i shenjtë!+ Mos u ndotni, pra, me ndonjë krijesë të vogël që rri në tufa në tokë, 45  sepse unë, Jehovai, ju nxora nga vendi i Egjiptit për të qenë Perëndia juaj.+ Jini të shenjtë,+ sepse unë jam i shenjtë!+ 46  Ky është ligji për kafshët, për krijesat fluturuese, për çdo krijesë* të gjallë që lëviz në ujëra dhe për çdo krijesë të vogël* që rri në tufa në tokë, 47  që të dalloni krijesat e pastra nga të papastrat, dhe krijesat e gjalla që mund të hahen nga ato që nuk mund të hahen.’»+

Shënimet

Ose «kafshët e tokës».
Ose «çdo shpirt tjetër i gjallë».
Ose «Të gjitha insektet fluturuese».
Ose «hardhuca e mureve».
Domethënë, depot e nëndheshme për të mbledhur ujë.
Ose «shpirt».
Ose «shpirt».