Sipas Lukës 24:1-53
24 Megjithatë, ditën e parë të javës, ato vajtën te varri* shumë herët dhe çuan aromatikët* që kishin përgatitur.+
2 Por e gjetën gurin të rrokullisur nga varri*+
3 dhe, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotërisë Jezu.+
4 Ato ishin ende të hutuara nga kjo, kur ja, pranë tyre erdhën dy burra me rroba të shndritshme.
5 Gratë u trembën dhe rrinin me kokën ulur, prandaj burrat u thanë: «Pse po e kërkoni të gjallin mes të vdekurve?+
6 Ai nuk është këtu, por është ringjallur. Sillni ndër mend çfarë ju tha kur ishte ende në Galile,
7 se Birin e njeriut duhej ta dorëzonin në duart e mëkatarëve dhe ta ekzekutonin në shtyllë, por ditën e tretë do të ngrihej nga të vdekurit.»+
8 Atëherë u erdhën ndër mend fjalët e tij,+
9 prandaj u larguan nga varri* dhe shkuan e ua treguan tërë këto gjëra të Njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.+
10 Ato ishin: Maria-Magdalena, Joana dhe Maria, nëna e Jakovit. Edhe gratë e tjera që ishin me to, po u thoshin apostujve të njëjtën gjë.
11 Mirëpo atyre iu dukën gjepura këto fjalë dhe nuk u besuan grave.
12 Por Pjetri u ngrit, vrapoi te varri,* u përkul që të shikonte dhe pa vetëm copat e linosë. Prandaj iku dhe vriste mendjen çfarë kishte ndodhur.
13 Kur ja, pikërisht atë ditë, dy dishepuj po shkonin në Emaus, një fshat rreth 11 kilometra* larg Jerusalemit
14 dhe po bisedonin me njëri-tjetrin për gjithçka që kishte ndodhur.
15 Ndërkohë që po bisedonin dhe flisnin për këto gjëra, vetë Jezui u afrua dhe filloi të ecte me ta,
16 por atyre u ishin zënë sytë që të mos e njihnin.+
17 Ai i pyeti: «Për çfarë po diskutonit me njëri-tjetrin rrugës?» Ata u ndalën të trishtuar.
18 Ai që quhej Kleopa ia ktheu: «Mos je i ardhur që jeton fillikat në Jerusalem? Si nuk e ditke ç’ka ndodhur atje këto ditë?»*
19 Ai i pyeti: «Për çfarë e keni fjalën?» Ata iu përgjigjën: «Për ato që ndodhën me Jezuin, nazareasin.+ Ai tregoi në sytë e Perëndisë dhe të të gjithë popullit se ishte profet i fuqishëm jo vetëm me vepra, por edhe me fjalë.+
20 Mirëpo, krerët e priftërinjve dhe qeveritarët tanë e dorëzuan te Pilati që të dënohej me vdekje,+ dhe ai u gozhdua në shtyllë.
21 Ne shpresonim që ai të ishte njeriu që do të çlironte Izraelin.+ Jo vetëm kaq, por kjo është tashmë dita e tretë që kur ndodhën këto gjëra.
22 Madje, edhe disa gra mes nesh na çuditën, sepse ato kishin qenë herët në mëngjes te varri,*+
23 por nuk e kishin gjetur trupin e tij. Prandaj erdhën e na thanë se engjëjt u ishin shfaqur në mënyrë të mbinatyrshme dhe u kishin thënë se ai është gjallë.
24 Pastaj, disa nga ata që ishin me ne, shkuan te varri*+ dhe e gjetën ashtu si kishin thënë gratë, kurse atë nuk e panë.»
25 Atëherë Jezui u tha: «Pse tregoheni të pamend?! Pse ngurrojnë zemrat tuaja t’u besojnë të gjitha gjërave që thanë profetët?
26 A nuk duhej t’i vuante Krishti të gjitha këto+ dhe pastaj të merrte lavdinë që meriton?»+
27 Kështu, duke nisur që nga Moisiu deri te gjithë profetët,+ u shpjegoi gjithçka që thuhej në Shkrime për të.
28 Së fundi, iu afruan fshatit ku po shkonin, dhe ai bëri sikur do të vazhdonte rrugën më tutje.
29 Mirëpo ata ngulën këmbë që të rrinte dhe thanë: «Rri me ne, se tashmë është vonë dhe pas pak do të errësohet.» Atëherë ai hyri në shtëpi që të rrinte me ta.
30 Ndërsa po hanin,* ai mori bukën, falënderoi Perëndinë,* e theu dhe ua dha atyre.+
31 Menjëherë sytë e tyre u hapën plotësisht dhe ata e njohën, por ai iu zhduk nga sytë.+
32 Kështu i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjej zemra kur po na fliste rrugës dhe po na i zbërthente plotësisht* Shkrimet?!»
33 Ata u ngritën në çast dhe u kthyen në Jerusalem, ku gjetën të Njëmbëdhjetët dhe njerëzit që ishin mbledhur me ta,
34 të cilët u thanë: «Zotëria është ngritur vërtet nga të vdekurit dhe iu shfaq Simonit!»+
35 Atëherë edhe ata u treguan ç’u kishte ndodhur rrugës dhe se si e njohën kur theu bukën.+
36 Ndërkohë që flitnin për këto, Jezui vetë u shfaq mes tyre dhe u tha: «Paqja qoftë me ju!»+
37 Por, ngaqë ishin të tmerruar dhe të trembur, kujtuan se po shikonin ndonjë frymë.*
38 Prandaj ai u tha: «Pse jeni të shqetësuar dhe pse ua kanë pushtuar zemrën dyshimet?
39 Shihni duart dhe këmbët e mia, jam unë. Më prekni dhe shihni, sepse fryma* nuk ka mish dhe kocka, siç e shihni që kam unë.»
40 Ndërsa fliste, u tregoi duart dhe këmbët.
41 Ata nuk po u besonin akoma syve nga gëzimi i papërshkrueshëm dhe habia, prandaj ai i pyeti: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?»
42 Kështu i dhanë një copë peshku të pjekur,
43 dhe ai e mori dhe e hëngri në sytë e tyre.
44 Pastaj u tha: «Kur isha ende me ju, ju thashë+ se duhet të përmbushen të gjitha gjërat e shkruara për mua te Ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet.»+
45 Atëherë ua hapi plotësisht mendjen, që të kapnin domethënien e Shkrimeve+
46 dhe u tha: «Është shkruar se Krishti do të vuante, do të ngrihej nga të vdekurit ditën e tretë+
47 dhe, në emër të tij, do të predikohej mesazhi për pendimin dhe për faljen e mëkateve+ në të gjitha kombet,+ duke nisur nga Jerusalemi.+
48 Ju do të jeni dëshmitarë të këtyre gjërave,+
49 dhe unë do t’ju dërgoj atë që premtoi Ati im. Prandaj qëndroni në qytet derisa të visheni me fuqinë që vjen nga lart.»+
50 Atëherë i nxori jashtë qytetit dhe i çoi deri në Betani. Pastaj ngriti duart dhe i bekoi.
51 Ndërsa po i bekonte, u largua prej tyre dhe u mor lart në qiell.+
52 Ata i bënë nderime* dhe u kthyen me gëzim të madh në Jerusalem,+
53 ku shkonin vazhdimisht në tempull dhe lëvdonin Perëndinë.+
Shënimet
^ Gjethe, pluhur erëzash dhe vajra aromatikë që përdoreshin për përgatitjen e trupit për varrim.
^ Ose «varri përkujtimor».
^ Ose «varri përkujtimor».
^ Ose «varri përkujtimor».
^ Ose «varri përkujtimor».
^ Fjalë për fjalë «60 stade». Një stad ishte 185 metra. Shih Shtojcën B14.
^ Një mundësi tjetër «Mos je ti i vetmi vizitor në Jerusalem që nuk e di ç’ka ndodhur atje këto ditë?»
^ Ose «varri përkujtimor».
^ Ose «varri përkujtimor».
^ Ose «ishin shtruar në tryezë».
^ Fjalë për fjalë «e bekoi».
^ Ose «po na i shpjegonte qartë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «u përkulën para tij».