Sipas Mateut 7:1-29
7 Mos gjykoni më,+ që të mos gjykoheni,
2 sepse do t’ju gjykojnë me po atë gjykim që gjykoni,+ dhe do t’ju matin me po atë masë që matni.+
3 Pse, atëherë, shikon lëmishten në syrin e vëllait dhe nuk vëren traun në syrin tënd?+
4 Si mund t’i thuash vëllait: ‘Prit pak të të heq lëmishten nga syri’, kur për vete ke një tra në sy?
5 Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh qartë si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait.
6 Mos u jepni qenve atë që është e shenjtë, as margaritarët tuaj mos ua hidhni derrave,+ që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen e t’ju shqyejnë.
7 Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet,+ vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet;+
8 sepse kush kërkon, merr,+ kush kërkon me ngulm, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet.
9 Në të vërtetë, kush nga ju, kur i biri t’i kërkojë bukë, do t’i japë një gur?!
10 Apo nëse i kërkon një peshk, mos do t’i japë një gjarpër?!
11 Prandaj, nëse ju, edhe pse mëkatarë,* dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira+ atyre që ia kërkojnë.+
12 Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta,+ sepse kjo është domethënia e Ligjit dhe e Profetëve.+
13 Hyni nga porta e ngushtë,+ sepse e gjerë është porta dhe e madhe* është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo.
14 Por e ngushtë është porta dhe e vogël* rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.+
15 Ruhuni nga profetët e rremë,+ që vijnë te ju të veshur si dele,+ por përbrenda janë ujqër të pangopur.+
16 Do t’i njihni ata nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga gjembaçët?!+
17 Po njësoj, çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq.+
18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fryt të keq, dhe as një pemë e kalbur nuk mund të prodhojë fryt të mirë.+
19 Çdo pemë që nuk prodhon fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.+
20 Prandaj do t’i njihni ata njerëz nga frytet e tyre.+
21 Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në Mbretërinë e qiejve, por do të hyjë vetëm ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.+
22 Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri,+ a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’+
23 E megjithatë unë do t’u them: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni vepra të paligjshme!’*+
24 Prandaj, kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i zbaton, është si një njeri i mençur,* i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb.+
25 Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe u përplasën me forcë pas shtëpisë, por ajo s’u shemb, sepse e kishte themelin në shkëmb.
26 Por, kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe nuk i zbaton, është si një njeri mendjelehtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në rërë.+
27 Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe e goditën shtëpinë,+ dhe ajo u shemb dhe u shkatërrua e tëra.»
28 Kur Jezui i mbaroi këto fjalë, turma mbeti e mahnitur nga mënyra si mësonte,+
29 sepse ai mësonte si njeri me autoritet+ dhe jo si skribët e tyre.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «të ligj».
^ Ose «e lehtë».
^ Ose «e vështirë».
^ Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.
^ Ose «i matur».