Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kolumbi

NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR

I jepet përparësi veprës globale të predikimit

I jepet përparësi veprës globale të predikimit

TË MËRKURËN më 23 shtator 2015, Trupi Udhëheqës njoftoi familjen Bethel në mbarë botën se po bëheshin një sërë ndryshimesh organizative për t’i përdorur sa më mirë fondet e organizatës. Më vonë, të shtunën e 3 tetorit 2015, një njoftim nga Trupi Udhëheqës shpjegonte: «Te Filipianëve 1:10 na thuhet që ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’. Në përputhje me këtë këshillë të mençur, ne [Trupi Udhëheqës] dëshirojmë t’u japim përparësi aktiviteteve që kontribuojnë në begatinë e popullit të Perëndisë dhe në zgjerimin e veprës globale të predikimit.»

Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës, shpjegoi më tej në JW Broadcasting: «Për Trupin Udhëheqës është shumë e rëndësishme të çojë përpara interesat e Mbretërisë. Prandaj kemi rianalizuar disa mënyra si mund të kursejmë në të gjitha degët, që të përdorim më shumë fonde në veprën e predikimit. Për shembull, shumë nga shërbimet që zakonisht ofroheshin në Bethel prej kohësh, janë reduktuar ose eliminuar. Si rezultat do të nevojiten më pak anëtarë të familjes Bethel.»

Prandaj, që nga shtatori i vitit 2015, janë caktuar në predikim rreth 5.500 anëtarë të familjes Bethel në mbarë botën. Ndonëse është dashur goxha përshtatje, bekimi i Jehovait ka qenë i dukshëm dhe këto ndryshime e kanë gjallëruar veprën e predikimit e të mësimdhënies.

Një çift në Sri-Lankë, të cilët u caktuan në predikim, e panë këtë si mundësi për të treguar besimin te Jehovai dhe te organizata e tij. Ata shkruan: «Nuk e kishim idenë si do të shkonin gjërat. Ama, ishim të sigurt që Jehovai nuk do të na linte në baltë. Kështu u lutëm: ‘O Jehova, sido që të shkojnë gjërat, të lutemi na ndihmo të bëjmë çmos të shërbejmë të dy si pionierë të rregullt.’ Muajin e parë kishim shumë pak nga ana materiale. Megjithatë, e ndiemë dashurinë dhe kujdesin e Jehovait, e tani kemi të ardhura të rregullta për të mbuluar shpenzimet. Jemi goxha të zënë me punët e shtëpisë, me punën dhe me shërbimin si pionierë. Por arrijmë ta organizojmë kohën mirë, sepse jemi stërvitur në Bethel. Nuk ka gjë më shpërblyese se të ndihmosh të tjerët të njohin të vërtetën dhe jemi shumë të lumtur që e po bëjmë këtë ndërsa shërbejmë si pionierë.»

Kolumbi disa ish-bethelitë kanë mësuar një gjuhë të re dhe janë transferuar në zona të largëta për t’ua predikuar mesazhin për Mbretërinë komuniteteve të izoluara. Këta vëllezër e motra kanë qenë një bekim edhe për kongregacionet ku janë caktuar. Një mbikëqyrës qarkor shkroi për një çift që u caktua në një nga kongregacionet e qarkut të tij: «Vëllezërit e motrat e vlerësojnë tej mase ndihmën e tyre. Është rritur pjesëmarrja në shërbim dhe vëllezërit vendës po stërviten për të marrë përgjegjësi të ndryshme në kongregacion.» Mjaft ish-bethelitë janë treguar të gatshëm të shërbejnë në Bethel në kohë të pjesshme, një a më shumë ditë në javë.

Një vëlla, që shërbeu në Bethelin e Japonisë për 31 vjet, u caktua në një kongregacion ku kishte vetëm dy pleq. Meqenëse kongregacioni kishte në program të rinovonte Sallën e Mbretërisë, ai vendosi të mos gjente punë për dy javë. Pikërisht para rinovimit, një tërmet 7 ballësh goditi zonën e Kumamotos, ku ndodhej kongregacioni i tij. Ngaqë nuk ishte në punë, mori drejtimin në veprën baritore dhe në dhënien e ndihmës pas tërmetit. Ai shprehet: «Kur shoh pas, mund të them se Jehovai më çoi pikërisht atje ku kishte më shumë nevojë.»

Fili dhe e shoqja, Sugar, të cilët shërbyen në degën e Australazisë, tregojnë: «Kur ndryshuam caktim, ishim të vendosur të mbanim një jetë të thjeshtë. U lutëm që Jehovai të na drejtonte të merrnim vendime të mençura, si dhe t’i bekonte këto vendime. Gjithmonë kemi dashur ta vëmë veten në dispozicion për të shërbyer në një shtet tjetër. Sigurisht, Jehovai i bekoi vendimet tona dhe na hapi rrugën që t’i shërbejmë me gjithë shpirt.» Ata po shërbejnë në një grup të gjuhës angleze në ishullin e Samalit në Davao, Filipine, që ka 34 lajmëtarë dhe 9 pionierë të rregullt. Çifti ka rreth 120 adresa të personave të interesuar. «Kemi goxha punë të kënaqshme përpara. Sa mirë që u mbështetëm plotësisht te Jehovai! Pa dyshim kjo përvojë na ka forcuar besimin e na ka shtuar dashurinë për Të.»

Një motër beqare në Rusi, e cila u caktua pioniere speciale, tregon: «Shërbimi si pioniere më jep mundësinë të marr pjesë më plotësisht në veprën më të rëndësishme e që s’do të përsëritet kurrë, predikimin për Mbretërinë e Perëndisë. Sa kënaqem që jam një mjet në duart e Jehovait!» Tani ajo drejton gjashtë studime biblike me njerëz nga Iraku, Nigeria, Sri-Lanka dhe Zambia.

Zambie: Kongregacioni i ri mirëpret ngrohtësisht ish-bethelitët

Shumë ish-bethelitë në Zambie janë caktuar pionierë të rregullt. Ata ndihen të ripërtërirë ngaqë po marrin pjesë më plotësisht në predikim. Andrea që shërben si pionier bashkë me të shoqen, shprehet: «Pak pasi u larguam nga Betheli, ndihmuam dy persona që ishin analfabetë të mësonin shkrim e lexim. Një nga studentët tanë, një djalë dhjetë vjeç, së shpejti do të ketë caktimin e parë në mbledhjen e mesjavës. Kurse një çift i martuar, të cilit i predikuam, mori pjesë në Përkujtim dhe që atëherë nuk ka munguar në asnjë mbledhje. Po ecin shumë mirë me studimin e Biblës. Mendojmë se e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur po të mos ndiqnim drejtimin e Jehovait, po të mos dallonim mbështetjen e tij dhe po të mos i mbanim sytë te bekimet e tij.»

Edsoni dhe Artnesa, të cilët po ashtu jetojnë në Zambie, kishin vetëm ca muaj martesë kur i caktuan në predikim. Artnesa tregon: «Stërvitja në Bethel na ka ndihmuar t’i përdorim me kujdes të ardhurat e pakta, të jemi të lumtur e të mos hyjmë në borxhe. S’jemi fare pishman që kemi shërbyer në Bethel. Kemi mësuar t’i përshtatim synimet dhe t’i arrijmë me ndihmën e Jehovait. Na është rafinuar cilësia e besimit dhe jemi të përgatitur t’i shërbejmë Jehovait me besnikëri.»