Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI TRE

Dy çelësa për një martesë të qëndrueshme

Dy çelësa për një martesë të qëndrueshme

1, 2. (a) Sa gjatë duhet të qëndrojë një martesë? (b) Si është e mundur kjo?

KUR Perëndia bashkoi burrin dhe gruan e parë në martesë, s’kishte ndonjë shenjë që të tregonte se bashkimi do të ishte vetëm i përkohshëm. Adami dhe Eva do të ishin së bashku gjithë jetën. (Zanafilla 2:24) Norma e Perëndisë për një martesë të ndershme është bashkimi i një mashkulli dhe i një femre. Vetëm imoraliteti i rëndë seksual nga ana e njërit apo e të dy bashkëshortëve, siguron bazën biblike për divorcin, me mundësinë për t’u martuar sërish.​—Mateu 5:32.

2 A është e mundur që dy individë të jetojnë së bashku në lumturi, për një periudhë të gjatë e të pacaktuar kohore? Po, dhe Bibla identifikon dy faktorë jetësorë, apo çelësa, për ta bërë të mundur këtë. Nëse të dy, burri dhe gruaja, i vënë këta në përdorim, atëherë do të çelin rrugën drejt lumturisë dhe bekimeve të shumta. Cilët janë këta çelësa?

ÇELËSI I PARË

3. Cilat janë tri llojet e dashurisë që duhen kultivuar nga bashkëshortët?

3 Çelësi i parë është dashuria. Interesant është fakti se ekzistojnë lloje të ndryshme dashurie të treguara në Bibël. Njëra është dashuri e përzemërt e ngrohtë dhe personale, është ajo lloj dashurie që ekziston ndërmjet miqve të ngushtë. (Gjoni 11:3) Një tjetër është dashuria që rritet ndërmjet pjesëtarëve të familjes. (Romakëve 12:10) Një lloj i tretë është dashuria romantike që dikush mund të ketë për dikë të seksit të kundërt. (Proverbat 5:15-20) Natyrisht, të gjitha këto duhet të kultivohen nga një burrë dhe një grua. Por ekziston edhe një lloj i katërt dashurie, shumë më e rëndësishme se të tjerat.

4. Cili është lloji i katërt i dashurisë?

4 Në gjuhën origjinale të Shkrimeve të Krishtere Greke, fjala për këtë lloj të katërt të dashurisë është a·gaʹpe. Kjo fjalë është përdorur në 1. Gjonit 4:8, ku na thuhet: «Perëndia është dashuri.» Në fakt, «ne e duam atë, sepse ai [Perëndia] na deshi i pari». (1. Gjonit 4:19) Një i krishterë e kultivon një dashuri të tillë së pari për Perëndinë Jehova e pastaj për njerëzit e tjerë. (Marku 12:29-31) Fjala a·gaʹpe është përdorur, gjithashtu, në Efesianëve 5:2, ku thuhet: «Ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne.» Jezui tha se kjo lloj dashurie do të identifikonte ithtarët e tij të vërtetë: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri [a·gaʹpe] për njëri--tjetrin.» (Gjoni 13:35) Le të vërejmë edhe përdorimin e fjalës a·gaʹpe 1. Korintasve 13:13: «Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria [a·gaʹpe].»

5, 6. (a) Përse dashuria është më e madhe se besimi dhe shpresa? (b) Cilat janë disa arsye, për të cilat dashuria do të ndihmojë që një martesë të jetë e qëndrueshme?

5 Përse kjo dashuri a·gaʹpe është më e madhe se besimi dhe shpresa? Ajo drejtohet nga parime, parime të drejta, që gjenden në Fjalën e Perëndisë. (Psalmi 119:105) Ajo është një kujdes altruist për t’u bërë të tjerëve atë që është e drejtë dhe e mirë nga pikëpamja e Perëndisë, edhe nëse ai që e merr e meriton apo jo. Një dashuri e tillë u jep mundësi partnerëve martesorë të ndjekin këshillën e Biblës: «Vazhdoni të duroni njëri--tjetrin e të falni lirisht njëri-tjetrin, nëse dikush ka ndonjë shkak për t’u ankuar kundër tjetrit. Ashtu si Jehovai ju fali lirisht, kështu bëni edhe ju.» (Kolosianëve 3:13, BR) Çiftet e dashura të martuara kanë dhe kultivojnë «dashuri të madhe [a·gaʹpe] për [njëri-tjetrin], sepse ‘dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh’». (1. Pjetrit 4:8) Vërej se dashuria i mbulon gabimet. Ajo nuk i eliminon ato, pasi asnjë njeri i papërsosur nuk mund të jetë pa gabime.​—Psalmi 130:3, 4; Jakovit 3:2.

6 Kur një çift i martuar kultivon një dashuri të tillë për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin, martesa e tyre qëndron dhe është e lumtur, pasi «dashuria nuk dështon kurrë». (1. Korintasve 13:8, BR) Dashuria është «një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14, BR) Nëse je i martuar, si mund ta kultivosh ti dhe bashkëshorti yt këtë lloj dashurie? Lexoni së bashku Fjalën e Perëndisë dhe flitni për të! Studioni shembullin e dashurisë së Jezuit dhe përpiquni ta imitoni, të mendoni e të veproni si ai. Përveç kësaj, ndiqni mbledhjet e krishtere, ku mësohet Fjala e Perëndisë. Lutuni që Perëndia t’ju ndihmojë të zhvilloni këtë formë të lartë dashurie, e cila është një fryt i frymës së shenjtë të Perëndisë.​—Proverbat 3:5, 6; Gjoni 17:3; Galatasve 5:22; Hebrenjve 10:24, 25.

ÇELËSI I DYTË

7. Çfarë është respekti dhe kush duhet të tregojë respekt në martesë?

7 Nëse dy të martuar e duan vërtet njëri-tjetrin, atëherë duhet të kenë edhe respekt për njëri-tjetrin dhe respekti është çelësi i dytë për një martesë të lumtur. Respekt do të thotë «të marrësh në konsideratë të tjerët, duke i nderuar». Fjala e Perëndisë i këshillon të gjithë të krishterët, duke përfshirë burrat dhe gratë e martuara: «Prini njëri-tjetrit duke nderuar shokun më parë.» (Romakëve 12:10, DSF) Apostulli Pjetër shkroi: «Ju, burra, vazhdoni të banoni po kështu me to [gratë tuaja] sipas njohurisë, duke u dhënë atyre nder si një vazoje më të dobët, asaj femërore.» (1. Pjetrit 3:7, BR) Gruaja është këshilluar «të ketë respekt të thellë për burrin e saj». (Efesianëve 5:33, BR) Nëse dëshiron të nderosh dikë, ti tregohesh i sjellshëm me të, me respekt për dinjitetin e tij dhe për pikëpamjet që shpreh, si edhe i gatshëm për të plotësuar çdo kërkesë të arsyeshme që të bëhet.

8-10. Në cilat mënyra respekti do të ndihmojë për një bashkim martesor të qëndrueshëm e të lumtur?

8 Ata që dëshirojnë të kenë një martesë të lumtur, tregojnë respekt për bashkëshortët e tyre, duke ‘mos menduar për interesin [e vet] personal, por edhe për atë të [bashkëshortëve të tyre]’. (Filipianëve 2:4) Ata nuk mbajnë parasysh atë që është e mirë vetëm për ta, gjë që do të ishte egoiste. Përkundrazi, ata mbajnë parasysh çfarë është më e mirë edhe për shokun apo shoqen e tyre. Në të vërtetë, ata i japin kësaj përparësinë.

9 Respekti do t’i ndihmojë partnerët në martesë të pranojnë ndryshimet në pikëpamje. Nuk do të ishte e arsyeshme të prisnim që dy njerëz të kenë pikëpamje identike për çdo gjë. Diçka që mund të jetë e rëndësishme për një burrë, mund të mos jetë aq e rëndësishme për një grua dhe ato që i pëlqejnë një gruaje, ndoshta mund të mos i pëlqejnë një burri. Por secili duhet të respektojë pikëpamjet dhe zgjedhjet e tjetrit, përderisa këto të jenë brenda kufijve të ligjeve dhe parimeve të Jehovait. (1. Pjetrit 2:16; krahaso Filemonit 14.) Për më tepër, secili duhet të respektojë dinjitetin e tjetrit, duke mos e bërë atë objekt të komenteve poshtëruese apo të talljeve, qoftë në publik apo edhe privatisht.

10 Po, dashuria për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin, si edhe respekti reciprok, janë dy çelësat jetësorë për një martesë të suksesshme. Si mund të përdoren këta në disa nga fushat më të rëndësishme të jetës martesore?

KRYESI NGJASHËM KRISHTIT

11. Në bazë të Shkrimeve, cili është kreu i martesës?

11 Bibla na thotë se burri u krijua me atributet që do ta bënin atë një kryefamiljar të suksesshëm. Si i tillë, burri do të ishte përgjegjës përpara Jehovait për mirëqenien frymore dhe fizike të gruas dhe të fëmijëve të tij. Ai duhej të merrte vendime të ekuilibruara, të cilat do të pasqyronin vullnetin e Jehovait e do të ishin një shembull i mirë i sjelljes së devotshme. «Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës [kongregacionit, BR].» (Efesianëve 5:22, 23) Megjithatë, Bibla thotë se edhe burri ka një krye, Dikë që ka autoritet mbi të. Apostulli Pavël shkroi: «Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1. Korintasve 11:3) Një burrë i mençur mëson se si të ushtrojë kryesinë, duke imituar kreun e tij, Krishtin Jezu.

12. Çfarë shembulli të shkëlqyer dha Jezui si në shfaqjen e nënshtrimit, ashtu edhe në ushtrimin e kryesisë?

12 Edhe Jezui ka një krye, Jehovain dhe në mënyrë të përshtatshme është i nënshtruar ndaj tij. Jezui tha: «Nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.» (Gjoni 5:30) Sa shembull i shkëlqyer! Jezui është «i parëlinduri i çdo krijese». (Kolosianëve 1:15) Ai u bë Mesia. Ai do të ishte Kreu i kongregacionit të të krishterëve të mirosur dhe Mbreti i zgjedhur i Mbretërisë së Perëndisë, mbi të gjithë engjëjt. (Filipianëve 2:9-11; Hebrenjve 1:4) Edhe pse në një pozitë të tillë të lartë dhe me këto perspektiva madhështore, njeriu Jezu nuk ishte i ashpër, i ngurtë, apo tepër kërkues. Nuk ishte një despot, duke u kujtuar vazhdimisht dishepujve të tij se duhej t’i bindeshin. Jezui ishte i dashur dhe i dhembshur, sidomos kundrejt të shtypurve. Ai tha: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar e të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!» (Mateu 11:28-30) Sa e kënaqshme ishte të gjendeshe në shoqërinë e tij!

13, 14. Si do ta ushtrojë kryesinë një burrë i dashur, duke imituar Jezuin?

13 Një burrë që dëshiron një jetë të lumtur familjare, bën mirë të shqyrtojë cilësitë e mrekullueshme të Jezuit. Një burrë i mirë nuk është i ashpër dhe diktator, që e përdor gabimisht kryesinë si një dajak për të frikësuar të shoqen. Përkundrazi, ai e do dhe e nderon atë. Nëse Jezui ishte «i përulur nga zemra», burri ka edhe më shumë arsye për të qenë i tillë, sepse ai bën gabime, ndërsa Jezui jo. Kur bën gabime, burri ka nevojë që gruaja ta kuptojë. Prandaj, një burrë i përulur i pranon gabimet e tij, edhe pse fjalë të tilla, si «më vjen keq; kishe të drejtë», mund të jenë të vështira për t’u thënë. Gruaja do ta ketë shumë më të lehtë të respektojë kryesinë e një burri modest dhe të përulur, sesa kryesinë e një burri krenar e kokëfortë. Si rrjedhojë, gjithashtu, një grua me respekt do të kërkojë të falur kur është në gabim.

14 Perëndia e krijoi gruan me atribute të shkëlqyera, të cilat ajo mund t’i përdorë në dobi të lumturisë familjare. Një burrë i mençur do ta pranojë këtë e nuk do t’i zërë frymën së shoqes. Shumë gra kanë prirjen të kenë dhembshuri dhe ndjesi më të madhe, cilësi që janë të nevojshme në përkujdesjen e një familjeje dhe në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore. Zakonisht, gruaja është shumë e zonja për ta bërë shtëpinë një vend të kënaqshëm banimi. «Gruaja e aftë», që përshkruhet në kreun 31 të Proverbave, kishte shumë cilësi të bukura dhe talente të shkëlqyeshme dhe familja e saj përfitonte plotësisht prej tyre. Përse? Sepse zemra e burrit të saj ‘kishte besim’ tek ajo.​—Proverbat 31:10, 11.

15. Si mund të tregojë një burrë dashuri dhe respekt për gruan e tij, ngjashëm Krishtit?

15 Në disa kultura, autoriteti i burrit është mbitheksuar, aq sa edhe po t’i drejtosh një pyetje konsiderohet si diçka pa respekt. Ai mund ta trajtojë gruan pothuajse si një skllave. Një ushtrim i tillë i gabuar i kryesisë sjell si rezultat një marrëdhënie të varfër jo vetëm me gruan e tij, por edhe me Perëndinë. (Krahaso 1. Gjonit 4:20, 21.) Nga ana tjetër, disa burra nuk marrin drejtimin dhe lejojnë që shtëpinë ta sundojë gruaja. Burri që është tamam i nënshtruar ndaj Krishtit, nuk e shfrytëzon gruan e tij, apo nuk i heq asaj dinjitetin. Përkundrazi, ai imiton dashurinë vetëflijuese të Jezuit dhe vepron ashtu siç këshilloi Pavli: «Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën [kongregacionin, BR] dhe e ka dhënë veten e vet për të.» (Efesianëve 5:25) Krishti Jezu i deshi aq shumë ithtarët e tij, sa vdiq për ta. Një burrë i mirë do të përpiqet ta imitojë këtë qëndrim altruist, duke kërkuar të mirën e gruas së tij, në vend se të jetë kërkues ndaj saj. Kur burri është i nënshtruar ndaj Krishtit dhe shfaq dashuri e respekt ngjashëm Jezuit, e shoqja do të ketë arsye për t’u nënshtruar ndaj tij.​—Efesianëve 5:28, 29, 33.

NËNSHTRIMI I GRAVE

16. Çfarë cilësish duhet të shfaqë një grua në marrëdhëniet e saj me të shoqin?

16 Ca kohë pas krijimit të Adamit, «Perëndia Jehova vazhdoi të thoshte: ‘Nuk është mirë për njeriun të vazhdojë vetëm. Do të bëj një ndihmës për të, si një plotësim i tij.’». (Zanafilla 2:18, BR) Perëndia e krijoi Evën si «një plotësim», jo si një konkurruese. Martesa nuk do të ishte si një anije me dy kapitenë që konkurrojnë. Burri do të ushtronte kryesinë me dashuri dhe gruaja do të tregonte dashuri, respekt dhe nënshtrim të vullnetshëm.

17, 18. Cilat janë disa mënyra, në të cilat gruaja mund të jetë një ndihmëse e vërtetë për të shoqin?

17 Megjithatë, një grua e mirë është më shumë se vetëm e nënshtruar. Ajo përpiqet të jetë një ndihmëse e vërtetë, duke përkrahur të shoqin në vendimet që ai merr. Natyrisht, është më e lehtë për të kur bie dakort me vendimet e tij. Por edhe atëherë kur nuk është, mbështetja e saj aktive mund të ndihmojë që vendimet e tij të kenë një rezultat sa më të suksesshëm.

18 Gruaja mund ta ndihmojë të shoqin që të jetë një krye i mirë edhe në mënyra të tjera. Ajo mund të shfaqë vlerësim për përpjekjet që ai bën për të marrë drejtimin, në vend se ta kritikojë apo të bëjë që ai të ndihet sikur s’mund ta kënaqë kurrë. Që të sillet në mënyrë pozitive me burrin e saj, ajo duhet të mos harrojë se ‘një shpirt i butë dhe i qetë . . . ka vlerë të madhe përpara Perëndisë’, jo vetëm në sytë e të shoqit. (1. Pjetrit 3:3, 4; Kolosianëve 3:12) Po sikur burri të mos jetë besimtar? Sidoqoftë, Shkrimet i inkurajojnë gratë «të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre, të jenë fjalëpaka, të dëlira, t’u kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet». (Titit 2:4, 5) Nëse dalin çështje të ndërgjegjes, një burrë jobesimtar ka më shumë të ngjarë të respektojë pozitën e gruas së tij, nëse ajo paraqitet me «butësi dhe respekt të thellë». Disa burra jobesimtarë janë «fituar pa fjalë, me anë të sjelljes së grave të tyre, pasi kanë parë me sytë e tyre sjelljen [e tyre] të dëlirë, bashkë me respekt të thellë».​—1. Pjetrit 3:1, 2, 15, BR; 1. Korintasve 7:13-16.

19. Ç’mund të bëhet nëse burri i kërkon gruas të thyejë ligjet e Perëndisë?

19 Po nëse burri kërkon prej gruas diçka që Perëndia e ndalon? Nëse ndodh kështu, ajo nuk duhet të harrojë se Perëndia është Sundimtari i saj më i lartë. Ajo merr si shembull atë që bënë apostujt, kur autoritetet u kërkuan të dhunonin ligjin e Perëndisë. Veprat 5:29 thotë: «Pjetri dhe apostujt, duke u përgjigjur, thanë: ‘Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.’»

KOMUNIKIM I MIRË

20. Cila është një fushë jetësore, në të cilën dashuria dhe respekti janë thelbësorë?

20 Dashuria dhe respekti janë thelbësore edhe në një fushë tjetër të martesës: komunikimi. Një burrë i dashur do të bisedojë me gruan për aktivitetet, problemet dhe pikëpamjet e saj mbi çështje të ndryshme. Ajo ka nevojë për këtë. Një burrë që gjen kohë për të folur me gruan e tij dhe dëgjon me të vërtetë atë që ajo thotë, tregon dashurinë dhe respektin e tij për të. (Jakovit 1:19) Disa gra ankohen se burrat e tyre kalojnë shumë pak kohë duke folur me to. Kjo është për të ardhur keq. Vërtet, në këto kohë të ngarkuara, burrat ndoshta punojnë me orë të zgjatura jashtë shtëpisë dhe për shkak të rrethanave ekonomike edhe gratë mund të kenë një punë. Por një çift i martuar ka nevojë të rezervojë kohë për njëri-tjetrin. Përndryshe, mund të bëhen të pavarur nga njëri-tjetri. Probleme serioze do të dilnin edhe nëse ata do të ndiheshin të detyruar të kërkonin shoqëri të dhembshura jashtë rregullit martesor.

21. Si do të ndihmojë të folurit e përshtatshëm, për të mbajtur një martesë të lumtur?

21 Mënyra se si komunikojnë burrat dhe gratë është e rëndësishme. «Fjalët e ëmbla janë . . . ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.» (Proverbat 16:24) Edhe nëse njëri nga bashkëshortët është besimtar apo jo, zbatohet këshilla biblike «të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë», d.m.th., me shije të mirë. (Kolosianëve 4:6) Kur njëri ka pasur një ditë të vështirë, nja dy fjalë të ëmbla dhembshurie nga ana e bashkëshortit mund të bëjnë shumë mirë. «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollë të arta mbi një enë argjendi.» (Proverbat 25:11) Toni i zërit dhe zgjedhja e fjalëve janë shumë të rëndësishme. Për shembull, në mënyrë të ashpër dhe arrogante, njëri mund t’i thotë tjetrit: «Mbylle atë derë, të shkretën!» Por sa më shumë ‘të ndrequra me kripë’ janë këto fjalë të thëna me një zë të qetë e të kuptueshëm: «A mund ta mbyllësh pak derën, të lutem?»

22. Për çfarë qëndrimi kanë nevojë çiftet, në mënyrë që të mbajnë një komunikim të mirë?

22 Komunikimi i mirë lulëzon aty ku ekzistojnë fjalë të thëna me mirësjellje, vështrime dhe gjeste të ëmbla, dashamirësi, kuptueshmëri dhe butësi. Duke punuar shumë për të mbajtur një komunikim të mirë, burri dhe gruaja do të ndihen të lirë të shprehin nevojat e tyre dhe mund të bëhen burim ngushëllimi dhe ndihme për njëri-tjetrin në kohë zhgënjimesh apo shqetësimesh. «Të ngushëlloni zemërlëshuarit»,​—nxit Fjala e Perëndisë. (1. Selanikasve 5:14) Do të ketë kohë kur burri të jetë zemërlëshuar dhe kohë kur gruaja të jetë në këtë gjendje. Ata mund ‘të ngushëllojnë’, duke ndërtuar njëri-tjetrin.​—Romakëve 15:2.

23, 24. Si do të ndihmojnë dashuria dhe respekti në raste mosmarrëveshjesh? Jep një shembull.

23 Shokët bashkëshortorë që shfaqin dashuri dhe respekt nuk do ta konsiderojnë çdo mospajtim si një sfidë. Ata do të përpiqen ‘të mos bëhen të ashpër’ me njëri-tjetrin. (Kolosianëve 3:19) Të dy duhet të mbajnë mend se «përgjigjja e ëmbël e fashit zemërimin». (Proverbat 15:1) Bëj kujdes të mos e përçmosh apo të mos e dënosh bashkëshortin që të zbraz ndjenjat e zemrës! Përkundrazi, konsideroji këto shprehje si një rast për të kuptuar më mirë pikëpamjet e tjetrit. Së bashku, përpiquni të punoni mbi ndryshimet e të arrini në një përfundim të harmonishëm!

24 Sill ndër mend rastin kur Sara i rekomandoi burrit të saj, Abrahamit, një zgjidhje për njëfarë problemi, por që nuk përputhej me mendimet e tij. Megjithatë, Perëndia i tha Abrahamit: «Dëgjoje zërin e saj.» (Zanafilla 21:9-12 DSF) Abrahami e bëri dhe u bekua. Në mënyrë të ngjashme, nëse një grua sugjeron diçka të ndryshme nga ajo që ka ndër mend i shoqi, ai duhet që të paktën ta dëgjojë. Në të njëjtën kohë, gruaja nuk duhet të mbizotërojë në bisedë, por duhet të dëgjojë çfarë ka për të thënë burri. (Proverbat 25:24) Qoftë për burrin, qoftë për gruan nuk do të ishte as e dashur dhe as e respektueshme të këmbëngulnin gjithmonë në të tyren.

25. Si do të kontribuojë komunikimi i mirë për lumturinë në aspektet intime të jetës martesore?

25 Komunikimi i mirë është, gjithashtu, i rëndësishëm në marrëdhëniet seksuale të një çifti. Egoizmi dhe mungesa e vetëkontrollit mund ta dëmtojnë seriozisht këtë marrëdhënie nga më intimet në martesë. Komunikimi i hapur, bashkë me durimin, është thelbësor. Kur secili kërkon në mënyrë altruiste mirëqenien e tjetrit, rrallëherë seksi mund të jetë një problem serioz. Në këtë çështje, si edhe në të tjerat, «askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit».​—1. Korintasve 7:3-5; 10:24.

26. Edhe pse çdo martesë do të ketë të përpjeta dhe të tatëpjeta, si do të ndihmojë dëgjimi i Fjalës së Perëndisë që një çift i martuar të gjejë lumturinë?

26 Sa këshilla të shkëlqyeshme ofron Fjala e Perëndisë! Vërtet, çdo martesë do të ketë të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj. Por, kur bashkëshortët i nënshtrohen mendimit të Jehovait, siç zbulohet në Bibël dhe e mbështetin marrëdhënien e tyre mbi dashurinë dhe respektin parimor, ata mund të kenë besim se martesa e tyre do të jetë e qëndrueshme dhe e lumtur. Në këtë mënyrë, ata do të nderojnë njëri-tjetrin, por edhe Nismëtarin e martesës, Perëndinë Jehova.