Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jemi vërtet gati për t’u martuar?

A jemi vërtet gati për t’u martuar?

KAPITULLI 30

A jemi vërtet gati për t’u martuar?

Ke gjetur njeriun e përshtatshëm, jeni njohur mjaftueshëm dhe ke kuptuar që ke rënë në dashuri. Një martesë e lumtur duket në horizont. Apo nuk të duket kështu? Në prag të një prej vendimeve më të rëndësishme në jetë, fillon të vrasësh mendjen . . .

A jemi vërtet gati për t’u martuar?

ËSHTË normale të të mundojnë dyshimet për martesën edhe kur je i dashuruar. Me martesat e palumtura që shtohen dhe me numrin e divorceve që po shkojnë në stratosferë, është më se e kuptueshme të mendohesh mirë para se ta hedhësh këtë hap që të ndryshon jetën. Si ta kuptosh nëse je gati për t’u martuar? Tani më shumë se kurrë, ke nevojë të ç’rrënjosësh çdo ëndërr që mund të kesh krijuar për martesën dhe të jesh me këmbë në tokë. Për shembull:

ËNDRRA NR. 1 «Mjafton të duhemi.»

Realiteti: Dashuria nuk i paguan faturat dhe nuk i përballon dot vështirësitë financiare. Në fakt, studiuesit kanë vërejtur se paratë janë një nga shkaqet kryesore të grindjeve në martesë dhe të divorceve. Pikëpamja e paekuilibruar për paratë mund të ndikojë për keq në marrëdhënien me Perëndinë, në gjendjen emocionale dhe mund të gërryejë marrëdhënien me bashkëshortin. (1 Timoteut 6:9, 10) Çfarë mund të mësosh nga kjo? Mos e lini që ta diskutoni pas martese se si do t’i administroni paratë.

Bibla thotë: «Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet.»​—Luka 14:28.

Sugjerim: Flitni që tani për administrimin e parave me atë që mendon se do të jetë bashkëshorti yt, para se të martoheni. (Proverbat 13:10) Shqyrtoni pyetje të tilla si: si do t’i administrojmë të ardhurat tona? A do të kemi një llogari bankare të përbashkët apo secili të vetën? Cili prej nesh është më i zoti për të mbajtur llogaritë dhe për t’u kujdesur që faturat të paguhen? * Sa para mund të harxhojë njëri prej nesh pa u konsultuar me tjetrin? Tani është koha të filloni të bashkëpunoni si skuadër.​—Eklisiastiu 4:9, 10.

ËNDRRA NR. 2 «Do të jemi një çift i përsosur kur të martohemi, sepse biem dakord për çdo gjë, nuk kemi kurrë mosmarrëveshje.»

Realiteti: Nëse nuk keni mosmarrëveshje, ndoshta kjo ndodh sepse keni arritur t’i shmangni me kujdes çështjet që mund të ndezin një konflikt. Por, në martesë nuk do ta keni këtë luks. E vërteta është: dy njerëz të papërsosur nuk mund të shkojnë në mënyrë të përsosur, do të ketë patjetër disa mosmarrëveshje. (Romakëve 3:23; Jakovi 3:2) Është e nevojshme të mendosh jo vetëm sa mirë bini dakord, por edhe çfarë ndodh kur nuk jeni dakord. Një bashkim i fortë përbëhet nga dy njerëz që e pranojnë hapur se janë ndryshe dhe pastaj përpiqen ta zgjidhin çështjen me pjekuri dhe në mënyrë miqësore.

Bibla thotë: «Mos shko në shtrat i zemëruar.»​—Efesianëve 4:26, Contemporary English Version.

Sugjerim: Mendo me kujdes se si i ke zgjidhur deri tani mosmarrëveshjet me prindërit dhe motrat e vëllezërit e tu. Bëj një tabelë të ngjashme me atë në faqen 93 të këtij libri ose në faqen 221 në vëllimin 2. Shëno ngjarje specifike që kanë shkaktuar mosmarrëveshje, si reagove dhe si do të ishte më mirë të kishe reaguar. Për shembull, nëse ke reaguar në mënyrë impulsive në një konflikt duke shkuar si furtuna në dhomën tënde dhe duke përplasur derën me inat, shkruaj një reagim më të mirë, një që do të të ndihmonte ta zgjidhje problemin e jo ta rëndoje më shumë. Nëse mëson tani të reagosh më mirë në raste konfliktesh, do të fitosh një aftësi që është çelësi i një martese të lumtur.

ËNDRRA NR. 3 «Sapo të martohem, të gjitha dëshirat e mia seksuale do të plotësohen.»

Realiteti: Martesa nuk garanton «seks sipas kërkesës». Mos harro, bashkëshorti yt është qenie njerëzore me ndjenja që duhen marrë parasysh. Sinqerisht, do të ketë raste që bashkëshorti ose bashkëshortja nuk do të jetë shumë në qejf për të kryer marrëdhënie seksuale. Martesa nuk të jep të drejtën të këmbëngulësh për të plotësuar nevojat e tua. (1 Korintasve 10:24) E vërteta është se vetëkontrolli është mjaft i rëndësishëm si në beqari edhe në martesë.​—Galatasve 5:22, 23.

Bibla thotë: «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore.»​—1 Selanikasve 4:4, 5.

Sugjerim: Mendo me kujdes për dëshirat dhe impulset e tua seksuale dhe përpiqu të kuptosh si mund të ndikojnë ato në martesën tënde të ardhshme. Për shembull, a je skllav i masturbimit, këtij vesi që bën të përqendrohesh te vetja? A e ke pasur zakon të shihje pornografi? A i bredh sytë andej-këtej duke parë fshehurazi e me epsh ata të seksit tjetër? Pyete veten: «Nëse e kam të vështirë të kontrolloj dëshirat e mia seksuale para martese, si do të arrij t’i kontrolloj pas saj?» (Mateu 5:27, 28) Ka edhe diçka tjetër për të menduar: a ke pasur prirjen të flirtosh e të shkosh lule më lule, duke marrë kështu namin si një donzhuan ose flirtues ndër ata të seksit tjetër? Nëse po, si ke menduar ta kontrollosh këtë prirje pas martese, kur gjithë dashurinë tënde duhet t’ia kushtosh vetëm një personi​—bashkëshortit tënd?​—Proverbat 5:15-17.

ËNDRRA NR. 4 «Martesa do të më bëjë të lumtur.»

Realiteti: Ai që nuk është i lumtur si beqar, nuk do të jetë i lumtur as i martuar. Pse? Sepse lumturia varet më tepër nga pikëpamja që ka dikush, sesa nga rrethanat ku ndodhet. (Proverbat 15:15) Ata që kanë prirjen ta shohin me sy negativ jetën e tyre, zakonisht përqendrohen tek ajo që mungon në një marrëdhënie dhe jo tek ajo që kanë tashmë. Është shumë më mirë të zhvillosh dhe të ushqesh një qëndrim pozitiv ndërsa je ende beqar. Pastaj, kur të martohesh, do të nxjerrësh më të mirën tënde dhe më të mirën e bashkëshortit.

Bibla thotë: «Është më mirë të jesh i kënaqur me atë që ke, sesa të dëshirosh gjithmonë diçka tjetër.»​—Eklisiastiu 6:9, Today’s English Version.

Sugjerim: Qëndrimi negativ vjen ndonjëherë kur je jorealist në atë që pret. Në një fletë shkruaj dy-tri gjëra që pret nga martesa. Lexoji dhe pastaj pyet veten: «A bazohen më shumë në fantazi apo në realitet? A janë të ndikuara nga media, ndoshta nga filmat apo librat romantikë? A përqendrohen tek ajo çka dëshiroj që martesa të më sjellë mua​—ndoshta të shërojë nga vetmia kronike, të plotësojë dëshirën për seks, t’i bëjë të tjerët të respektojnë më tepër?» Nëse po, do të të duhet të mos mendosh më për «mua», por për «ne». Si ndihmë për këtë, shkruaj dy ose tri gjëra që pret nga martesa, ku përfshihesh ti dhe bashkëshorti yt i ardhshëm.

Ëndrrat e mësipërme për martesën mund të ndikojnë për keq në lumturinë tënde në martesë. Prandaj, bëj çmos që t’i largosh mendime të tilla dhe t’i zëvendësosh me pikëpamje realiste. Fleta e punës në faqet 216 dhe 217 mund të jetë një ndihmë për ty dhe bashkëshortin tënd të ardhshëm ndërsa pret me padurim atë që mund të jetë një nga bekimet më të mëdha të jetës: një martesë të lumtur.​—Ligji i përtërirë 24:5; Proverbat 5:18.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Kur ndahesh, të duket sikur të vdes një pjesë e jotja. Si t’i përballosh pasojat?

[Shënimi]

^ par. 9 Kur flitet për «një grua të zonjën» te Proverbat 31:10-28, tregohet që ajo mbante një sërë përgjegjësish me peshë që kishin lidhje drejtpërdrejt me financën e familjes. Shih vargjet 13, 14, 16, 18 dhe 24.

SHKRIMI KYÇ

«Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.»​—Zanafilla 2:24.

KËSHILLË

Flitni me një çift me përvojë dhe pyetini se çfarë këshillash do t’i jepnin një çifti të sapomartuar që të kenë një martesë të lumtur.​—Proverbat 27:17.

A E DIJE . . . ?

Në një martesë të suksesshme, burri dhe gruaja e konsiderojnë njëri-tjetrin si shokë, komunikojnë mirë, dinë si t’i zgjidhin konfliktet dhe e shohin marrëdhënien e tyre si një bashkim për gjithë jetën.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Cilësia ku kam nevojë të punoj tani që të kem një marrëdhënie më të mirë me bashkëshortin kur të martohem, është ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Në disa vende, një përqindje e lartë e martesave përfundojnë në divorc. Pse mendon se ndodh kjo?

● Cilat janë rreziqet kur martohesh vetëm për të shpëtuar nga problemet në shtëpi?

● Pse është e rëndësishme të ndiqni parimet biblike kur të martoheni?

[Diçitura në faqen 220]

«Martesa është një hap shumë i madh. Është e rëndësishme të dish jo vetëm çfarë është martesa, por edhe të njohësh atë me të cilin do të martohesh.»​—Odra

[Kutia dhe figura në faqet 216, 217]

Fletë pune

A je gati të martohesh?

Mendo për pyetjet në këto dy faqe. Mund t’i përdorësh si bazë për diskutim me bashkëshortin tënd të ardhshëm. Sigurohu që t’i lexosh shkrimet e përmendura.

Çështjet financiare

□ Çfarë qëndrimi ke ndaj parave?​—Hebrenjve 13:5, 6.

□ Në ç’mënyra tregon që tani se je i përgjegjshëm në shpenzimin e parave?​—Mateu 6:19-21.

□ A ke borxhe? Nëse po, çfarë masash po merr për t’i shlyer?​—Proverbat 22:7.

□ Sa do t’ju shkojnë shpenzimet e dasmës? Nëse do të merrni borxh, sa mendoni se do të ishte e arsyeshme të merrni?​—Luka 14:28.

□ Pas martesës, a do të jetë e nevojshme që të punoni të dy? Nëse po, si do t’ia bëni me ndryshimet e programeve dhe me transportin?​—Proverbat 15:22.

□ Ku do të jetoni? Sa mendoni se mund të shkojnë shpenzimet për qiranë, ushqimet, veshjet e për gjëra të tjera dhe si do t’i siguroni paratë për to?​—Proverbat 24:27.

Çështjet familjare

□ Sa mirë shkon me prindërit dhe me motrat e vëllezërit?​—Dalja 20:12; Romakëve 12:18.

□ Si i zgjidh tani mosmarrëveshjet në familje?​—Kolosianëve 3:13.

□ Nëse je vajzë, në ç’mënyra shfaq ‘një frymë të qetë e të butë’?​—1 Pjetrit 3:4.

□ A keni vendosur të keni fëmijë? (Psalmi 127:3) Nëse jo, çfarë metodash për parandalimin e shtatzënisë do të përdorni?

□ Nëse je djalë, si ke menduar të marrësh drejtimin për ta ndihmuar familjen të mbajë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain?​—Mateu 5:3.

Cilësitë e personalitetit

□ Si ke treguar se je punëtor?​—Proverbat 6:9-11; 31:17, 19, 21, 22, 27.

□ Si ke treguar se ke një frymë vetëmohuese?​—Filipianëve 2:4.

□ Nëse je djalë, në ç’mënyra tregon se mund ta ushtrosh autoritetin si Krishti?​—Efesianëve 5:25, 28, 29.

□ Nëse je vajzë, çfarë provash ke dhënë se mund t’i nënshtrohesh autoritetit?​—Efesianëve 5:22-24.

[Figura në faqen 219]

Mos u hidh drejt e në martesë pa ditur fare se në çfarë «ujërash» po hidhesh