Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dy fjalë për prindërit

Dy fjalë për prindërit

Dy fjalë për prindërit

Për të rinjtë adoleshenca mund të jetë si ecja mbi litar. Çdo hap mund të duket i pasigurt, madje i frikshëm. Si prindër, nganjëherë do të donit t’ia kursenit gjithë këtë fëmijës. Pa dyshim që s’mundeni, megjithatë mund të jeni shkopi i ekuilibrit. Ju jeni ata që mund të bëni shumë për t’i ndihmuar të mos marrin rrugë të shtrembër dhe të bëhen të rritur të përgjegjshëm.

Mendoni se është më e lehtë ta thuash se ta bësh? Kjo dihet. Mund të duket sikur dje djali ishte një çamarrok plot energji që s’i pushonte goja një moment, kurse tani është një adoleshent i mbyllur në vetvete që s’do të flasë. Jo shumë kohë më parë vajza juaj e vogël s’ju linte të shkonit askund pa të, tani s’di ku të futet nëse e shohin me prindërit!

Megjithatë, s’ka pse të ndiheni sikur s’dini të bëni atë që duhet kur gjendeni përballë këtyre ndryshimeve. Keni një burim mençurie me këshilla të vlefshme për veten dhe për fëmijët. Ai është Fjala e Perëndisë, Bibla.

Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, është bërë për t’i ndihmuar fëmijët të arsyetojnë mirë nga Shkrimet. Duke i hedhur një vështrim përmbajtjes në faqet 4 dhe 5 do të krijoni një ide se sa të larmishme janë temat që analizohen në këtë libër. Në të nuk do të paraqiten vetëm fakte. Ja disa nga veçoritë e tij:

(1) Libri e vë në punë lexuesin. Në shumë raste, fëmijët nxiten të shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetje dhe pohime të ndryshme. Për shembull, kutia «Kur shokët të bëjnë presion» në faqet 132 dhe 133, do t’i ndihmojë fëmijët të mendojnë për sfidat e veçanta që përballojnë dhe se si të përgjigjen. Veç kësaj, secila nga nëntë pjesët e këtij libri përfundon me një faqe të titulluar «Ditari im», ku fëmijët mund të shkruajnë çfarë mendojnë dhe ndiejnë për materialin e asaj pjese.

(2) Libri nxit komunikimin. Për shembull, në faqet 63 dhe 64 gjendet kutia: «Si të flas me mamin ose babin për seksin?» Gjithashtu, në fund të çdo kapitulli ka një kuti me titull: «Çfarë mendon?» Përveçse për rishikimin e materialit, kjo kuti mund të përdoret si skemë për t’u diskutuar si familje. Gjithashtu, në çdo kapitull gjendet kutia «Hapat që dua të bëj . . . » që në fjalinë e fundit i nxit të rinjtë t’u bëjnë pyetje prindërve. Kjo i inkurajon ata t’u drejtohen prindërve për këshilla të ekuilibruara teksa ecin në «litarin» e adoleshencës.

Një këshillë: që t’i inkurajoni të rinjtë të shkruajnë atë që mendojnë, lejojini të kenë kopjen e tyre personale e të shprehen si duan, pa ndërhyrjen tuaj. Më vonë, mund të hapen me ju për ato që kanë shkruar.

Është mirë që edhe ju të keni kopjen tuaj të librit dhe ta lexoni me kujdes. Teksa lexoni, mundohuni të kujtoni gjithë dramën, pështjellimin dhe ankthin që përjetuat kur ishit vetë adoleshentë. Kur ju duket me vend, tregojuni fëmijëve përvojat tuaja. Kjo do t’i nxitë të hapen me ju. Dëgjojini kur flasin. Mos u dorëzoni kur përpjekjet për të komunikuar me ta duken të kota. Edhe pse mund të duket se nuk ua vënë veshin këshillave tuaja, fëmijët priren të vlerësojnë më shumë këshillat e prindërve se të shokëve.

Është kënaqësi për ne t’ju japim juve dhe fëmijëve tuaj këtë mjet të bazuar në Bibël dhe lutemi që të jetë një bekim për familjen tuaj.

Botuesit