Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku t’i gjej këshillat më të mira?

Ku t’i gjej këshillat më të mira?

PARATHËNIE

Ku t’i gjej këshillat më të mira?

Për vajzat

S’e shqit dot nga mendja atë çunin e bukur që sapo ka ardhur në klasën tënde. «Përderisa atij as që i bie ndër mend për mua,​—thua me vete,—ç’të keqe ka të mendoj për të?» Pastaj, sikur je vetëm ti. Tek ai i kanë sytë të gjitha gocat. S’po ia fut kot, pasi gjithë kohën i dëgjon të flasin për të.

Befas, ju ndeshen sytë, dhe ai të befason me një buzëqeshje që të heq trurin. Edhe ti i buzëqesh. Ai afrohet.

—Ç’kemi,—thotë ai si me ndrojtje.

—Ç’kemi,—ia kthen edhe ti.

—Jam Eno.

—Ti je ai i riu,—ia pret ti.

—Jemi transferuar si familje para pak javësh.

S’të besohet që Eno po flet me ty!

—E di çfarë,—vazhdon ai,—sot pas shkollës do të organizoj një festë në shtëpinë time. Do të vish?

Pastaj përkulet drejt teje dhe të flet në vesh.

—Po të paralajmëroj. Prindërit nuk i kam në shtëpi dhe do t’i kthejmë ca gota. Hë, si thua?

Eno pret përgjigje. Vajzat e tjera s’do të mendoheshin dy herë!

Çfarë do t’i thuash?

Për djemtë

Dy shokë klase të afrohen. Të mblidhet një lëmsh në grykë, pasi këtë javë të janë qepur dy herë që të pish duhan. Kjo është e treta.

I pari thotë: «Prapë vetëm? Po të prezantoj me një shok.» Kur thotë «shok» ai shkel syrin. Ndërkaq nxjerr diçka nga xhepi dhe ta zgjat.

Mes dy gishtave të tij dallon diçka që ngjan me cigaren. E di mirë çfarë është, dhe lëmshi në grykë të bëhet edhe më i madh.

—Më vjen keq,—i thua ti,—por të kam thënë që nuk e . . .

—S’të lë feja, ë?—ta pret fjalën i dyti.—Aman dhe ti, s’ia bëre një herë qejfin vetes!

—Apo s’ta mban?—ngacmon i pari.

—Jo se s’ma mban!—merr guximin të thuash.

—Ç’ke atëherë, merre,—të thotë qetë-qetë i dyti duke të hedhur dorën në qafë.

I pari ta afron te fytyra gjënë e bardhë që ka mes gishtave dhe pëshpërit: «Nuk i themi askujt. S’ka për ta marrë vesh njeri.»

Çfarë do të bësh?

SITUATA të ngjashme ndodhin pothuaj çdo ditë në çdo vend të botës. Megjithatë, disa të rinj janë më të përgatitur se të tjerët për t’i përballuar. Nga presioni i momentit, një djalë që e tundojnë të pijë duhan mund të mendojë: «S’dua të dorëzohem, por e kam të vështirë. Pse s’mund t’u tregoj shokëve se edhe unë jam si ata?» Ose një vajzë, që një djalë e ka ftuar për të dalë, mund të thotë me vete: «Ai s’është çun i keq. Pse të mos pranoj vetëm një herë, vetëm këtë herë?»

Nga ana tjetër, shumë të rinj janë stërvitur ta mbrojnë me bindje atë që besojnë. Si pasojë, edhe pse mund të duket e çuditshme, ata e ndiejnë më pak presionin për të gabuar. A do të doje të ishe edhe ti si ata? Sigurisht që mund të jesh! Por si?

Bibla mund të të ndihmojë t’i përballosh sfidat e rinisë i sigurt në vetvete. Ajo ka këshillat më të mira, sepse është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. (2 Timoteut 3:16, 17) Për ç’lloj problemesh mund të të ndihmojë Bibla? Hidhi një sy listës së mëposhtme dhe vër një përbri temave që të interesojnë në mënyrë të veçantë.

Raportet me seksin tjetër

Ndryshimet fizike të moshës

Miqësitë

Presioni në shkollë

Përdorimi i parave

Marrëdhëniet me prindërit

Kontrollimi i ndjenjave

Zgjedhja e zbavitjes

Rritja frymore

Siç do të vësh re në faqet 4 dhe 5, temat e renditura më sipër përkojnë me nëntë pjesët e këtij libri. Cilat shënove? Ndoshta mund t’ia nisësh me ato pjesë. Parimet biblike mund të të ndihmojnë në secilën nga këto fusha. Libri që ke në dorë do të të tregojë se si. *

Gjithashtu, ky libër të jep mundësi të shprehesh. Për shembull, nga fundi i çdo kapitulli, gjendet kutia me titull «Hapat që dua të bëj . . . ». Atje kërkohet të shkruash mendimin tënd se si mund ta zbatosh atë që ke lexuar. Disa fletë pune, si «Kur shokët të bëjnë presion» në faqet 132 dhe 133, do të të ndihmojnë të mendosh me kujdes për sfidat me të cilat përballesh dhe të gjesh zgjidhje praktike. Veç kësaj, çdo pjesë e këtij libri përfundon me një faqe të titulluar «Ditari im», ku mund të shkruash se si zbatohet në jetën tënde një aspekt i materialit. Përgjatë librit do të gjesh edhe nëntë faqe të titulluara «Ja një model». Në to dalin në pah personazhe biblike të denja për t’u imituar.

Bibla nxit: «Fito mençuri, fito kuptueshmëri.» (Proverbat 4:5) Fjalët «mençuri» dhe «kuptueshmëri» s’do të thonë thjesht të dallosh të drejtën nga e gabuara. Duhet të shkosh më thellë. Për shembull, kur di pasojat e një rruge të keqe dhe dobitë e një rruge të drejtë, e ke më të lehtë ta përballosh presionin e shokëve me bindje dhe guxim.

Për një gjë të jesh i sigurt: problemet e tua, sado të pakapërcyeshme të duken, i kanë edhe të tjerë. Mjaft të rinj i kanë përballuar dhe kapërcyer me sukses sfida si të tuat. Këtë mund ta bësh edhe ti. Shfrytëzoje mirë librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2. Do të bindesh se s’ka këshilla më të mira se ato që gjenden në Bibël!

[Shënimi]

^ par. 40 Një pjesë e mirë e këtij libri është hartuar duke u bazuar në artikuj të zgjedhur të serisë «Të rinjtë pyesin . . . », një rubrikë që del rregullisht në revistën Zgjohuni!, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.