Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë po më ndodh me trupin?

Çfarë po më ndodh me trupin?

KAPITULLI 6

Çfarë po më ndodh me trupin?

«U zgjata shumë shpejt. Nga kjo kisha dhembje. Megjithëse më pëlqente që po zgjatesha, më zinte ngërçi këmbët. Sa inat e kisha!»​—Poli.

«E kupton që trupi po të ndryshon dhe shpreson të mos e vërë re njeri. Kur ja, dikush të thotë pa të keq se të janë bërë vithet si grua. Të vjen të fshihesh diku e të mos dalësh më.»​—Kamela.

A TË ka ndodhur të transferohesh në një lagje të re? Ndryshimi s’ishte i lehtë, apo jo?! Le pas gjithçka​—shtëpinë, shkollën, shokët. Mund të të jetë dashur kohë të mësoheshe me ambientin e ri.

Kur fillon puberteti, ajo fazë e jetës në të cilën piqesh fizikisht, hyn në një etapë ku pëson ndryshimet më të mëdha të jetës. Është sikur po shkon në një «lagje» të re e krejt të panjohur. Emocionuese? Patjetër! Sidoqoftë, kalimi nga puberteti në moshën e pjekurisë ngjall ndjenja nga më të ndryshmet, dhe mund të jetë e vështirë të përshtatesh. Ç’ndodh gjatë kësaj periudhe të jetës plot emocione e trazime?

Për vajzat

Adoleshenca është një kohë ndryshimesh të mëdha. Disa prej tyre janë mjaft të dukshme. Për shembull, hormonet stimulojnë daljen e qimeve rreth zonës së organeve gjinore. Gjithashtu, vëren se të rritet gjoksi e të zgjerohen vithet dhe kofshët. Dalëngadalë trupi yt lë pas siluetën e një fëmije dhe merr format e lakuara të një të rriture. Mos u tremb, kjo është më se normale. Madje është shenjë që tregon se trupi yt po bëhet gati për kohën kur do të mund t’i dhurosh jetë një fëmije.

Disa kohë pas fillimit të pubertetit, do të të vijë për herë të parë cikli menstrual. Pa përgatitjen e duhur, kjo pikë kthese në jetën tënde mund të jetë e frikshme. «Isha krejt e papërgatitur, kur më erdhi cikli,—kujton Samanta.—Më dukej vetja pis. E fërkoja fort gjithë trupin në dush dhe thosha me vete: ‘Sa e shpifur!’ Mendimi se tani do ta kisha ciklin muaj për muaj, më terrorizonte!»

Megjithatë, mos harro se cikli tregon që po zhvillohet aftësia riprodhuese. Ndonëse duhet të kalojnë vite para se të jesh gati për t’u bërë nënë, ti po bëhesh zonjushë. Fillimi i ciklit mund të sjellë shqetësime. «Gjëja më e keqe ishte ndryshimi i humorit,—thotë Kejla.—S’arrija dot ta kuptoja se si gjithë ditën isha mirë e bukur, por në darkë qaja me dënesë.»

Nëse ndihesh edhe ti kështu në këtë moment, bëj durim. Me kalimin e kohës do të mësohesh. Aneta, një 20-vjeçare, thotë: «Më kujtohet që më në fund e pranova se ndryshe s’bëhesha dot grua dhe se Jehovai më kishte dhënë dhuratën e bukur për të sjellë në jetë fëmijë. Duhet pak kohë që ta pranosh, dhe për disa vajza është vërtet e vështirë. Por me kalimin e kohës mësohesh me ndryshimet.»

A ke pasur ndonjë nga shenjat për të cilat folëm më sipër? Shkruaj më poshtë pyetjet që të kanë lindur për to.

․․․․․

Për djemtë

Nëse je djalë, puberteti do të ndikojë goxha te pamja jote e jashtme. Për shembull, lëkura mund të të bëhet e yndyrshme dhe të të mbushet me puçrra e pika të zeza. * «Sa të bezdisshme dhe acaruese janë puçrrat,—thotë Matiasi, një 18-vjeçar.—Është sikur ato të shpallin luftë dhe ti duhet të luftosh patjetër. Nuk i dihet nëse do të ikin ndonjëherë, nëse do të ngelen shenjë a nëse të tjerët do të të vlerësojnë më pak.»

Megjithatë, e gjithë kjo ka edhe një anë të mirë. Mund të vëresh se po zgjatesh, po bëhesh më i fortë dhe po të zgjerohen shpatullat. Po ashtu, gjatë pubertetit mund të të dalin qime në këmbë, kraharor, faqe dhe sqetulla. Por kjo s’do të thotë aspak se sa më shumë qime të kesh, aq më shumë je bërë burrë. Kjo është thjesht çështje trashëgimie.

Meqenëse jo të gjitha pjesët e trupit rriten me të njëjtin ritëm, në këtë fazë mund të jesh disi i ngathët. «Më dukej vetja si xhirafa majë patinave,—kujton Deni.—Më dukej sikur truri jepte një komandë, por gjymtyrët e merrnin pas një jave.»

Gjatë viteve të adoleshencës, zëri trashet gradualisht. Ndonjëherë, nga zë i thellë e i plotë, papritmas ndodh të dalin tinguj të hollë e të ngjirur që të vënë në siklet. Megjithatë, mos e vrit mendjen. Në fund, zëri do të shtrohet. Ndërkohë, do ta kesh më të lehtë të kalosh sikletin, nëse mëson ta marrësh me të qeshur.

Gjatë pjekjes së sistemit riprodhues, organet gjinore rriten më shumë dhe rreth tyre dalin qime. Gjithashtu, fillojnë të prodhojnë spermën. Ky lëng përmban miliona spermatozoidë me përmasa mikroskopike, që lëshohen gjatë aktit seksual. Një spermatozoid është i aftë të fekondojë një vezë femër dhe të ngjizë një foshnjë.

Sperma grumbullohet në trup. Një pjesë e saj asimilohet nga vetë trupi, kurse pjesa tjetër mund të derdhet herë pas here natën kur je në gjumë. Kjo është më se normale. Edhe Bibla e përmend. (Levitiku 15:16, 17) Është diçka që tregon se sistemi riprodhues funksionon dhe se po bëhesh burrë.

A ke pasur ndonjë nga shenjat për të cilat folëm më sipër? Shkruaj më poshtë pyetjet që të kanë lindur për to.

․․․․․

Ndjesi të reja

Gjatë pjekjes së funksioneve riprodhuese, si djemtë, edhe vajzat bëhen të ndjeshëm ndaj seksit tjetër si kurrë më parë. «Kur arrita pubertetin, e kuptova menjëherë sa goca simpatike kishte,—thotë Matiasi.—Ky ishte një zhgënjim i madh, se e kuptoja edhe që s’mund të lidhesha me asnjërën pa u rritur tamam.» Kapitulli 29 i këtij libri do të flasë më gjerë për këtë aspekt. Tani për tani, duhet të kuptosh sa e rëndësishme është t’i frenosh impulset seksuale. (Kolosianëve 3:5) Sado e vështirë të duket, ti mund të zgjedhësh t’i refuzosh.

Gjatë pubertetit mund të provosh edhe ndjesi të tjera. Për shembull, s’është çudi që të ndihesh i pakënaqur me veten. Vetmia dhe dallgët e herëpashershme të trishtimit janë ndjesi të zakonshme mes të rinjve. Në të tilla raste, është mirë të hapesh me njërin nga prindërit ose me ndonjë të rritur të besuar. Shkruaj emrin e një të rrituri, me të cilin e ke të lehtë të flasësh për ndjenjat e tua:

․․․․․

Rritja më e rëndësishme

Megjithatë, rritja më e rëndësishme nuk është ajo e shtatit, e formave ose e tipareve të fytyrës, por rritja që dëshmon për pjekurinë tënde mendore, emocionale dhe, mbi të gjitha, frymore. Apostulli Pavël ka thënë: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë. Por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.» (1 Korintasve 13:11) Është e qartë çfarë donte të thoshte. Nuk mjafton të dukesh i rritur. Duhet të mësosh si të veprosh, të flasësh dhe të mendosh si i rritur. Mos u merakos aq shumë për ndryshimet e pamjes së jashtme, sa të lësh krejt pas dore botën tënde të brendshme!

Gjithashtu, mos harro se Perëndia «sheh zemrën». (1 Samuelit 16:7) Bibla thotë se mbreti Saul ishte shtathedhur dhe i pashëm, por si mbret dhe si njeri s’vlente një grosh. (1 Samuelit 9:2) Kurse Zakeu ishte «shtatvogël», por kishte aq forcë brenda vetes, sa ktheu rrugë dhe u bë dishepull i Jezuit. (Luka 19:2-10) S’do mend, është më e rëndësishme çfarë je nga brenda.

Rritjen fizike as e shpejton, as e vonon dot, dhe këtë s’e luan topi. Ndaj mos i prit këto ndryshime me frikë dhe fytyrëngrysur, por pranoji me maturi dhe me një ndjenjë humori. Puberteti nuk është sëmundje, dhe ti s’je as i pari, as i fundit që po e kalon. Të jesh i sigurt se do të mbijetosh. Kur kjo furtunë të ketë kaluar, do të kesh lënë pas fëmijërinë e do të jesh i rritur.

NË KAPITULLIN TJETËR:

A të pëlqen vetja kur shihesh në pasqyrë? Ka shumë mundësi që jo. Si të kesh një mendim të ekuilibruar për pamjen e jashtme?

[Shënimi]

^ par. 15 Këto i kanë edhe vajzat. Ato mund të mbahen nën kontroll me një kujdes të mirë për lëkurën.

SHKRIMI KYÇ

«Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme.»​—Psalmi 139:14.

KËSHILLË

Kur trupi merr zhvillim, më mirë shmang veshjet provokuese. Vishu gjithmonë «me modesti dhe mendje të shëndoshë».​—1 Timoteut 2:9.

A E DIJE . . . ?

Mosha që mund të konsiderohet si normale për pubertetin ndryshon shumë. Ai mund të fillojë që 8 vjeç ose rreth moshës 14 vjeçe më pas.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Tani që po rritem, cilësia në të cilën duhet të punojmë shumë është ․․․․․

Do të kujdesem për rritjen time frymore duke ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Pse ndryshimet fizike dhe emocionale të pubertetit janë kaq të vështira?

Ç’gjë është më e vështirë për ty gjatë kësaj faze ndryshimesh?

Pse ekziston prirja që gjatë pubertetit dashuria për Perëndinë të pakësohet, dhe si mund ta parandalosh këtë?

[Diçitura në faqen 61]

«Adoleshenca sjell shumë pasiguri, dhe asnjëherë nuk e di se si do të jetë në fund trupi yt. Por, duke u rritur, mëson t’i pranosh ndryshimet, e madje t’i mirëpresësh.»​—Aneta

[Kutia në faqet 63, 64]

Si të flas me mamin ose babin për seksin?

«Po të kisha ndonjë pyetje për seksin, s’do të pyesja prindërit.»​—Beti.

«S’ma mban t’i pyes për të tilla gjëra.»​—Denisi.

Ç’do të bëje po të ishe në vend të Betit ose të Denisit? Mund të jesh në mëdyshje. Nga njëra anë, do të dish për seksin, por, nga ana tjetër, s’do të pyesësh ata që i kanë përgjigjet, prindërit. Mund të çosh nëpër mend shumë gjëra:

Çfarë do të mendojnë?

«S’dua të dyshojnë ngaqë po i pyes.»​—Xhesi.

«Duan të të shohin gjithmonë të vogël e të padjallëzuar, dhe ditën që u hap këtë muhabet, për ta s’je më aq e vogël dhe e padjallëzuar.»​—Beti.

Si do të reagojnë?

«Kam frikë se prindërit do të nxirrnin përfundime të nxituara pa mbaruar ende fjalën dhe do të më mbanin kushedi sa orë leksion.»​—Gloria.

«Prindërit e mi s’e mbajnë dot brenda atë që ndiejnë, dhe kjo më tremb, se druaj mos shoh ndonjë fytyrë të zhgënjyer. Madje, ka shumë të ngjarë që, gjatë kohës që jam duke folur, babi po sajon në kokën e tij leksionin që do të më mbajë.»​—Pamela.

A do të ma marrin për ters?

«Mund ta ekzagjerojnë dhe të bëjnë pyetje si: ‘Mos je tunduar të bësh seks?’ ose ‘Mos po të bëjnë presion shokët?’ Ndërkohë që ti je thjesht kurioze.»​—Alisa.

«Sa herë flas për ndonjë djalë, babit i ikën fytyra. Kaq duhet dhe fillon të më mbajë leksion për seksin. Unë them me vete: ‘Babi, thashë vetëm që është i lezetshëm. S’përmenda gjë martesën apo seksin.’»​—Stejsi.

Ndoshta ndihesh më mirë po të dish se prindërit janë po aq në siklet sa edhe ti kur flasin për seksin. Mbase kjo shpjegon rezultatet e një ankete, ku 65 për qind e prindërve raportonin se flisnin me fëmijët për seksin, por vetëm 41 për qind e fëmijëve e kujtonin një bisedë të tillë.

Është e vërtetë se prindërit mund të ngurrojnë të flasin për seksin. Në të shumtën e rasteve, prindërit e tyre ndoshta s’u kanë folur kurrë për gjëra të tilla. Cilado qoftë arsyeja, mos u mërzit me ta. Ndoshta, me pak guxim mund ta hapësh ti muhabetin, dhe kjo do të të ndihmojë si ty, edhe ata. Si mund ta bësh?

Si ta hapësh muhabetin?

Prindërit janë një thesar mençurie dhe këshillash për seksin. Duhet të dish vetëm si të hapësh muhabetin. Provo sugjerimet e mëposhtme:

1 Shprehe frikën qartë dhe bëju të ditur se ke nevojë të flasësh. «Më vjen zor të flas për këtë se kam frikë mos mendoni që . . . »

2 Pastaj tregoji pse i je drejtuar atij ose asaj. «Por kam një pyetje dhe më mirë të ma thuash ti se ndonjë tjetër.»

3 Pastaj bëje pyetjen qartë. «Desha t’ju pyes për . . . »

4 Në fund, sigurohu se në të ardhmen do ta kesh gjithmonë derën hapur për të tilla biseda. «Nëse kam ndonjë pyetje tjetër, a mund të flas prapë me ty?»

Edhe pse e di se përgjigjja do të jetë po, kur prindi ta thotë, e kupton se dera do të jetë gjithnjë hapur dhe herën tjetër do të ndihesh rehat. Provoje njëherë. Mund të biesh në një mendje me Trinën. Tani ajo është 24 vjeçe dhe thotë: «Më kujtohet se, kur unë dhe mami flisnim, s’doja ta bënim fare atë bisedë. Por tani jam e kënaqur që mami fliste aq hapur me mua. Ka qenë vërtet një mbrojtje.»

[Figura në faqen 59]

T’i thuash lamtumirë fëmijërisë mund të jetë si të largohesh nga shtëpia, por mund të mësohesh