Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të mbrohem në shkollë?

Si të mbrohem në shkollë?

KAPITULLI 14

Si të mbrohem në shkollë?

Shëno e vërtetë ose e rreme për pohimet e mëposhtme:

1. Ata që e mbajnë veten për të fortë përdorin vetëm dhunë fizike.

□ E vërtetë

□ E rreme

2. Ngacmimet seksuale përfshijnë gjithnjë prekje fizike.

□ E vërtetë

□ E rreme

3. Edhe vajzat mund të ngacmojnë ose të bëjnë si të forta.

□ E vërtetë

□ E rreme

4. S’mund të bësh asgjë nëse dikush hiqet si i fortë me ty ose të ngacmon seksualisht.

□ E vërtetë

□ E rreme

MILIONA të rinj që i ngacmojnë në shkollë jetojnë çdo ditë me frikë. Një djalë me emrin Rajan thotë: «Ato 15 minuta rrugë në autobusin e shkollës ishin një torturë që s’mbaronte. Më binin në qafë me sharje dhe arrinin deri në keqtrajtim fizik.» Të rinj të tjerë i kanë ngacmuar seksualisht. «Një djalë që pëlqehej shumë në shkollë, më zuri në një cep të korridorit dhe filloi të më prekte,—thotë një vajzë me emrin Anita.—I thashë me të mirë t’i hiqte duart, por më kot. Kujtonte se nuk e kisha seriozisht.»

Madje, disa të rinj u janë qepur shokëve të klasës në Internet. Mbase të ngacmojnë edhe ty. Atëherë, a mund të bësh gjë? Po, mund të bësh shumë. Por, së pari, le t’u japim përgjigje pohimeve të bëra në fillim të kapitullit.

1. E rreme. Shumica e atyre që bëjnë si të fortë përdorin fjalët në vend se grushtin. Kërcënimet, sharjet, ironitë e hidhura dhe talljet mund të jenë mënyra për të treguar se janë «të fortë».

2. E rreme. Edhe një «kompliment» me nënkuptime, një barcaletë a shaka e ndyrë ose një shikim provokues mund të përbëjë ngacmim seksual.

3. E vërtetë. Mund të hiqen si të fortë e të ngacmojnë si djemtë, edhe vajzat.

4. E rreme. Ke çfarë të bësh për t’u dhënë fund ngacmimeve. Ja çfarë . . .

Si ta mundësh një «të fortë» pa përdorur grushtat?

Disa nga ata që e mbajnë veten për të fortë, provokojnë vetëm për të parë si do të reagosh. Por Bibla jep këtë këshillë të mençur: «Mos u fyej shpejt.» (Eklisiastiu 7:9) Faktikisht, ‘t’ua kthesh të keqen me të keqe’, është sikur t’i hedhësh benzinë zjarrit dhe i hap më shumë andralla vetes. (Romakëve 12:17) Atëherë, si ta mundësh një «të fortë» pa përdorur grushtat?

Mos ua vër shumë veshin. Nëse të tallin sa për humor, mos ua vër veshin, por merre me të qeshur. «Ndonjëherë, më mirë të mos tregohesh shumë i ndjeshëm kur të ngacmojnë me fjalë»,​—thotë një djalë me emrin Eljo. Nëse një «i fortë» sheh se s’të bëhet vonë për fjalët e tij, ndoshta s’të ngacmon më.

Trego butësi. Bibla thotë: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin.» (Proverbat 15:1) Ai që të ngacmon pret t’i përgjigjesh flakë për flakë, dhe kur ti ia kthen me butësi, ulen gjakrat. Është e vërtetë se për të qenë gjakftohtë kur të sulmojnë, duhet vetëkontroll. Por është gjithnjë gjëja më e mirë që mund të bësh. Proverbat 29:11 thotë: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por kush është i mençur, mban një frymë të qetë deri në fund.» Butësia është shenjë force. Kush është i butë nuk ç’ekuilibrohet lehtë, kurse ai që bën si i fortë shpesh ndihet i pasigurt ose i frikësuar. Bibla thotë një fjalë me vend: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm.»​—Proverbat 16:32.

Mbrohu. Nëse duket se një situatë ka dalë jashtë kontrollit, mbase duhet të gjesh një «rrugë shpëtimi». Proverbat 17:14 thotë: «Largohu . . . përpara se të plasë sherri.» Prandaj, nëse duket se do të plasë sherri, largohu ose ik me vrap. Nëse këtë s’e bën dot, mbrohu si të mundesh.

Trego. Prindërit kanë të drejtë të dinë çfarë po ndodh. Veç kësaj, mund të japin këshilla të dobishme. Për shembull, mund të të thonë të flasësh me një mësues, si për shembull me mësuesin kujdestar. Të jesh i sigurt se prindërit dhe mësuesi dinë si të veprojnë që të mos të hapin më shumë telashe.

Pra, cili është përfundimi? Një që bën si cub, sado i fortë, s’mund të fitojë nëse ti s’bën lojën e tij. Ndaj mos u ngatërro me ata që shfryjnë nga inati. Përkundrazi, merre në dorë situatën duke bërë siç sugjerohet më sipër.

Kur të ngacmojnë seksualisht

Kur të ngacmojnë seksualisht, ke gjithë të drejtën të inatosesh. Por pyetja është, çfarë të bësh? Mund të bësh shumë. Ja disa sugjerime:

Refuzo prerazi. Për agresorët, nëse nuk arrin t’i bindësh për të kundërtën, një jo me gjysmë zëri në të vërtetë do të thotë po, ose se je me dy mendje. Prandaj, kur thua jo, thuaje me bindje. (Mateu 5:37) Nëse qesh ose bën ojna, qoftë edhe nga sikleti, ngacmuesi mund ta marrë sikur ta ka qejfi. Prandaj, mos ia përto dhe refuzo prerazi. Kjo është mbrojtja më e mirë.

Ngri zërin. Anita, vajza që përmendëm më lart, tha: «M’u desh ta bëja me turp në sy të shokëve, duke i bërtitur që t’i HIQTE duart.» Ç’ndodhi më pas? «Të gjithë shokët qeshën me të. Për pak kohë më rrinte me inat, por disa ditë më pas më kërkoi falje dhe më mbronte kur ndonjë më ngacmonte.»

Nëse s’arrin gjë me fjalë, largohu. Ose, më mirë, ik me vrap. Nëse s’ia del dot të ikësh, ke të drejtë të përdorësh çdo mënyrë për të mbrojtur veten. (Ligji i përtërirë 22:25-27) Ja çfarë tregon një vajzë: «Kur një çun deshi të përfitonte nga unë, ia futa një grusht me sa fuqi kisha dhe ia dhashë vrapit.»

Fol me dikë. «Në fund, vetëm kjo më mbeti të bëja,​—pranon Adriana, një vajzë 16-vjeçare.—U kërkova ndihmë prindërve, se një djalë që e mbaja për shok s’më linte rehat. Sa më shumë kundërshtoja, aq më shumë ngulte këmbë, sikur të ishte lojë.» Prindërit i dhanë Adrianës këshilla mjaft të mira që e ndihmuan ta kapërcente këtë problem. Pa dyshim, prindërit mund të të ndihmojnë edhe ty.

S’është e lehtë të kesh të bësh me ata që e mbajnë veten për të fortë ose që ngacmojnë seksualisht. Por, mos harro një gjë: të rinjtë e krishterë s’ka pse të jenë viktima të pambrojtura të atyre që hiqen si të fortë. Mos lejo askënd të të ngacmojë a të të joshë me provokime, por tregoji vendin. Duke bërë këto që thamë, mund t’i kapërcesh këto probleme.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 19

NË KAPITULLIN TJETËR:

Një nga gjërat më të vështira së cilës duhet t’i rezistosh, është presioni i shokëve. Mëso si ta përballosh me vetësiguri.

SHKRIMI KYÇ

«Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.»​—Romakëve 12:18.

KËSHILLË

Nëse një «i fortë» do sherr me ty, tregohu i prerë, por jo agresiv. Bëja të qartë se s’do të ngatërrohesh me të dhe ik qetë-qetë. Nëse ai vazhdon, fol me personin e duhur.

A E DIJE . . . ?

Kur mban disa ngjyra ose shenja që karakterizojnë ndonjë bandë, mund të bëhesh shënjestër sulmesh. Një ish-anëtar i një bande thotë: «Nëse dikush vishej si ne, por nuk bënte pjesë në bandën tonë, rrezikonte të ishte tabela jonë e qitjes. Ose do të bashkohej me ne, ose do të rrihej.»

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse dikush provon të më shajë ose të më provokojë, do të ․․․․․

Që të mos i hap telashe vetes, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Si mund të tregosh më shumë vetësiguri dhe maturi që të shmangësh ngacmimet në shkollë?

● Çfarë mund të bësh nëse të ngacmojnë seksualisht? (Mendo për disa situata tipike dhe për përgjigjet e mundshme.)

● Pse ngacmimet seksuale duhen marrë seriozisht?

[Diçitura në faqen 123]

«Nëse e sheh se do të plasë sherri, shko në shtëpi e mos u përziej. Disa rrinë e bëjnë sehir dhe futen në telashe kot.»​—Hajro

[Kutia në faqen 125]

Si t’i shmangësh ngacmimet seksuale?

Mos flirto. Kur flirton është sikur i provokon vetë ngacmimet. Bibla bën këtë pyetje: «Njeriu a mund të mbajë zjarr në xhepin e rrobës së tij, pa e djegur atë?» (Proverbat 6:27, ECM) Faktikisht, të flirtosh është si të luash me zjarrin.

Zgjidhe shoqërinë. Shumë ecin me mendimin: «Më thuaj me kë rri, të të them se cili je». Një vajzë me emrin Karla thotë: «Po të rrish me ato që ua ka qejfi t’i ngacmojnë ose u pëlqen të duken, do të të ngacmojnë edhe ty.»​—1 Korintasve 15:33.

Kujdes si vishesh. Veshja jomodeste është një sinjal i qartë se vdes të biesh në sy të seksit tjetër, dhe do të biesh.​—Galatasve 6:7.

Mos e fshih që je i krishterë. Nëse e fsheh, asnjeri s’do të presë nga ti të ndjekësh normat e krishtere.​—Mateu 5:15, 16.

[Figura në faqen 124]

T’ia kthesh flakë për flakë një «të forti», është si t’i hedhësh benzinë zjarrit

[Figura në faqen 127]

Thuaji të largohet atij që të ngacmon seksualisht!