Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të keqe kanë thashethemet?

Ç’të keqe kanë thashethemet?

KAPITULLI 12

Ç’të keqe kanë thashethemet?

«Një herë shkova në një festë dhe të nesërmen u hapën fjalë sikur atje kisha bërë seks me një djalë. Kjo nuk ishte aspak e vërtetë!»​—Linda.

«Ndonjëherë dëgjoj thashetheme sikur jam lidhur me një vajzë, të cilën as që e njoh. Shumë nga ata që merren me thashetheme as që e marrin mundimin të sigurohen për ato që thonë.»​—Majku.

THASHETHEMET mund të ta mbushin jetën me më shumë intriga se në një film. Mjafton të pyesim Ambrën 19-vjeçare. Ajo thotë: «Vazhdimisht kam qenë viktimë e thashethemeve. Kishin hapur fjalë se isha shtatzënë, se kisha bërë aborte, se shitja dhe blija drogë, e madje se merrja edhe vetë. Përse i thoshin njerëzit këto gjëra? Sinqerisht, as që e kam idenë!»

Me anë të postës elektronike dhe mesazheve në celular, një djalë ose një vajzë me dashaligësi mund t’ia njollosë emrin një tjetri pa nxjerrë nga goja as edhe një fjalë. Mjafton të shtypë ca taste për t’u nisur thashetheme keqdashëse dhjetëra të tjerëve që mezi i presin. Në disa raste është hapur një sit Interneti vetëm e vetëm për të poshtëruar dikë. Shpeshherë, faqet blogs, siç quhen disa site Interneti ku pjesëmarrësit mund të lexojnë ditarin e njëri-tjetrit, janë plot e përplot me thashetheme që s’t’i nxë goja.

Por, a është gjithmonë e gabuar të flasësh për të tjerët?

A është mirë të flitet për të tjerët?

Është i vërtetë apo i gabuar pohimi i mëposhtëm?

Të flasësh për të tjerët është gjithmonë e gabuar. □ E vërtetë □ E rreme

Cila është përgjigjja e saktë? Nëse për ty nënkupton thjesht që gjatë bisedës bie fjala te dikush, atëherë nuk është gabim që ndonjëherë të flasësh për të tjerët. Vetë Bibla na thotë ‘të shohim me interes edhe çështjet e të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Kjo s’do të thotë se duhet të futim hundët ku s’na takon. (1 Pjetrit 4:15) Por nga këto biseda të rastit shpesh marrim të dhëna të vlefshme, si për shembull kush do të martohet ose kush është bërë me fëmijë. Ç’është e vërteta, s’mund të themi se interesohemi për të tjerët nëse s’flasim kurrë për ta.

Vetëm se këto biseda të rastit mund të kthehen kollaj në thashetheme dashakeqe. Edhe një koment i thënë pa të keq, si për shembull «Fredi dhe Ada do të ishin një çift i bukur», mund të përcillet si «Fredi dhe Ada janë çift i bukur», ndonëse Fredi dhe Ada as që e dinë se paskan një histori dashurie. Ndoshta mendon se s’u bë nami. Por, po sikur të ishe Fredi ose Ada?

Xhuli 18-vjeçare u bë viktimë e këtyre lloj thashethemeve, dhe kjo e lëndoi. Ajo thotë: «U mërzita dhe s’dija në duhej t’u besoja më njerëzve apo jo.» Edhe Xhejnit, një vajze 19-vjeçare, i ndodhi e njëjta gjë. Ajo thotë: «Fillova t’i shmangem një djali me të cilin kishin dalë fjalë se po shoqërohesha.» Dhe shton: «Kjo s’ishte e drejtë sepse ne ishim shokë dhe, nëse flitnim me njëri-tjetrin, s’kishin pse bënin thashetheme për ne.»

Ktheje bisedën me stil

Si t’i vësh fre gjuhës kur tundohesh për të bërë thashetheme? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, mendo sa zotësi duhet që të ngasësh makinën në një rrugë plot trafik. Befas mund të dalë diçka që të detyron të ndërrosh korsi, t’u hapësh rrugë makinave të tjera ose të ndalosh fare. Kur je i vëmendshëm, e kupton se çfarë po ndodh dhe bën atë që duhet.

Njësoj është edhe me bisedat. Zakonisht e kupton kur biseda po kthehet në thashetheme. Kur ndodh kjo, me zotësi mund të ndërrosh korsi. Nëse nuk e bën, ta kesh të qartë se thashethemet mund të dëmtojnë. Majku tregon: «Fola keq për një vajzë​—thashë se vdiste për çunat​—dhe asaj i ra në vesh. Kurrë s’kam për ta harruar zërin e saj kur erdhi të sqarohej. Fjalët e mia të pamenduara e kishin lënduar shumë. Bashkë u rregulluam, por ndihesha keq kur mendoja që e kisha lënduar në atë mënyrë.»

S’do mend që fjalët lëndojnë. Edhe Bibla thotë se «ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate». (Proverbat 12:18.) Kjo është një arsye më shumë pse duhet t’i peshosh fjalët para se të flasësh. Vërtet, duhet vetëkontroll për të frenuar një bisedë që po bëhet interesante. Megjithatë, siç thotë edhe Karolina 17-vjeçare: «Duhet të kesh kujdes për ato që thua. Nëse nuk e ke dëgjuar nga një burim i sigurt, mund të përhapësh gënjeshtra.» Prandaj, nëse sheh se po përfshihesh në një bisedë që mund të kthehet në thashetheme dashakeqe, ndiq këshillën e apostullit Pavël që tha: «Të keni si synim të jetoni në qetësi, të shikoni punët tuaja.»​—1 Selanikasve 4:11.

Si mund të interesohesh për të tjerët pa i futur hundët në punët e tyre? Para se të flasësh për dikë, pyet veten: «A jam i sigurt për atë që po them? Për ç’qëllim po ia them një tjetri? Si do të ndikojnë këto që po them në reputacionin tim?» Pyetja e fundit është shumë e rëndësishme, sepse kur merresh me thashetheme dëmton më shumë veten sesa atë për të cilin e thua.

Kur bëjnë thashetheme për ty

Ç’mund të bësh nëse të tjerët përhapin thashetheme për ty? Eklisiastiu 7:9 thotë: «Mos u fyej shpejt.» Po, mos e merr shumë seriozisht. Bibla thotë: «Mos ua vër veshin gjithë fjalëve që mund të thonë njerëzit. . . . Sepse zemra jote e di mirë se ti vetë i ke mallkuar shumë herë të tjerët.»​—Eklisiastiu 7:21, 22.

Sigurisht që s’ka justifikim për thashethemet. Megjithatë, një reagim i ekzagjeruar mund të ta prishë reputacionin më shumë sesa vetë thashethemet. Ndaj përpiqu të bësh si Rëneja. Ajo thotë: «Zakonisht lëndohem kur dikush flet keq për mua, por përpiqem të mos ia vë veshin. E di se javën që vjen do të merren me dikë a diçka tjetër.» *

Prandaj tregohu i mençur dhe ndërro bisedë nëse e sheh se do të përfundojë në thashetheme. Nëse është folur keq për ty, tregohu i pjekur e mos e merr shumë seriozisht. Sjellja flet më mirë se fjalët. (1 Pjetrit 2:12) Kështu do ta kesh më të lehtë të kesh marrëdhënie paqësore me të tjerët dhe të bësh një emër të mirë para Perëndisë.

[Shënimi]

^ par. 21 Në disa raste mund të jetë mirë që me takt të ballafaqohesh me atë që ka folur. Megjithatë, shpeshherë, nuk është e nevojshme, pasi «dashuria mbulon një shumicë mëkatesh».​—1 Pjetrit 4:8.

SHKRIMI KYÇ

«Kush e mban gojën, ruan shpirtin e vet. Kush i hap shumë buzët, rrënohet.»​—Proverbat 13:3.

KËSHILLË

Nëse dëgjon ndonjë thashethem, mund të thuash: «S’më pëlqejnë muhabete të tilla. Aq më tepër që personi s’është këtu.»

A E DIJE . . . ?

Vetëm duke i dëgjuar thashethemet, mund të kesh një pjesë të fajit. Kur e lë tjetrin të vazhdojë historinë, lejon që thashethemi të marrë dhenë.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse tundohem të hap fjalë për dikë, do të ․․․․․

Nëse është folur keq për mua, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Kur është me vend të flitet për të tjerët?

● A ke qenë ndonjëherë viktimë e thashethemeve? Nëse po, çfarë mësimi ke nxjerrë?

● Si mund ta dëmtosh emrin tënd kur merresh me thashetheme?

[Diçitura në faqen 107]

«Nxora mësim kur personi për të cilin kisha bërë thashetheme e mori vesh. Kur erdhi të ballafaqohej, s’kisha nga t’ia mbaja. M’u desh të mësoja se është më mirë t’ia thuash në sy ato që ke për të thënë se të flasësh prapa krahëve.»​—Paola

[Figura në faqen 108]

Thashethemet janë si një armë e rrezikshme që mund të dëmtojë emrin e një tjetri