Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI PESËMBËDHJETË

Ajo mbrojti popullin e Perëndisë

Ajo mbrojti popullin e Perëndisë

1-3. (a) Pse mund të ketë pasur frikë Estera që të shkonte te burri i saj? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në lidhje me Esterën?

ESTERA përpiqej të qetësonte zemrën teksa i afrohej oborrit të pallatit në Shushan. Nuk e kishte të lehtë. Çdo gjë e kështjellës ishte projektuar për të ngjallur nderim​—skulpturat shumëngjyrëshe në reliev të demave me krahë, të harkëtarëve e luanëve të bëra me tulla të lustruara, kolonat prej guri me hulli dhe statujat hijerënda, si edhe vendndodhja e kështjellës majë platformave gjigante pranë maleve Zagros mbuluar me dëborë, nga ku dukeshin ujërat e pastra të lumit Koaspes. E gjithë kjo kishte qëllim t’i kujtonte çdo vizitori fuqinë tejet të madhe të atij që Estera po shkonte të takonte, njeriut që e quante veten «mbreti i madh». Ai ishte edhe burri i saj.

2 Burri?! Sa ndryshe ishte Asueri nga bashkëshorti që do të donte çdo vajzë besnike judeje! * Burri i saj nuk ndiqte shembuj si ai i Abrahamit, i cili me përulësi pranoi drejtimin e Perëndisë që të dëgjonte Sarën, gruan e vet. (Zan. 21:12) Mbreti dinte pak ose aspak për Perëndinë e Esterës, Jehovain, ose për Ligjin e Tij. Por Asueri njihte ligjin pers, përfshirë një ligj që ndalonte pikërisht atë veprim që do të bënte pas pak Estera. Ç’thoshte ai? Po ja, ligji thoshte se kushdo që dilte para monarkut pers, pa qenë i thirrur nga ai, dënohej me vdekje. Esterën nuk e kishin thirrur, e prapëseprapë po shkonte te mbreti. Ndërsa afrohej në oborrin e brendshëm, ku do të dukej që nga froni i mbretit, mund të jetë ndier sikur po shkonte drejt vdekjes.​—Lexo Esterën 4:11; 5:1.

3 Pse rrezikoi kaq shumë Estera? Ç’mund të mësojmë nga besimi i kësaj gruaje të jashtëzakonshme? Së pari, le të shohim si u gjend Estera në pozitën e pazakontë si mbretëreshë e Persisë.

Prejardhja e Esterës

4. Cila ishte prejardhja e Esterës dhe si ndodhi që jetonte me kushëririn e saj Mordekain?

4 Estera ishte jetime. Dimë shumë pak për prindërit që i vunë emrin Hadasa, fjalë hebraike që do të thotë «mërsinë», një shkurre e këndshme me lule të bardha. Kur Esterës i vdiqën prindërit, një i afërm mirëdashës, i quajtur Mordekai, pati mëshirë për fëmijën. Ishte kushëriri i saj, por shumë më i madh se ajo në moshë. Mordekai e mori Esterën në shtëpi dhe e trajtoi si bijën e vet.​—Est. 2:5-7, 15.

Mordekai kishte arsye të forta për t’u ndier krenar për vajzën e tij të adoptuar

5, 6. (a) Si e rriti Esterën Mordekai? (b) Ç’lloj jete bënin ata në Shushan?

5 Mordekai dhe Estera jetonin si të mërguar judenj në atë kryeqytet pers, ku me sa duket përballeshin me njëfarë përbuzjeje për fenë e tyre dhe për Ligjin që përpiqeshin të zbatonin. Por Estera me siguri u lidh më shumë me kushëririn ndërsa ai e mësonte për Jehovain, për Perëndinë e mëshirshëm që kishte shpëtuar popullin e Tij mjaft herë nga telashet në të kaluarën. Këtë gjë Perëndia do ta bënte përsëri. (Lev. 26:44, 45) Kuptohet, mes Esterës e Mordekait u zhvillua një lidhje e dashur dhe besnike.

6 Me sa duket, Mordekai punonte si një lloj zyrtari në kështjellën e Shushanit, ku ulej rregullisht brenda portës së saj me shërbëtorë të tjerë të mbretit. (Est. 2:19, 21; 3:3) Nuk e dimë me siguri si e kalonte kohën Estera ndërsa rritej, edhe pse mund ta themi pa frikë se kujdesej mirë për kushëririn më të madh dhe për shtëpinë, e cila ka të ngjarë të ndodhej në një lagje të thjeshtë matanë lumit, që i ndante nga kështjella mbretërore. Mbase kënaqej duke shkuar në pazarin e Shushanit, ku arpunuesit, argjendarët dhe tregtarë të tjerë ekspozonin mallrat e tyre. Estera nuk e imagjinonte se lukse të tilla më vonë do të bëheshin të zakonshme për të. As e kishte idenë ç’e ardhme e priste.

«Ishte e bukur»

7. Pse u zëvendësua Vashti si mbretëreshë dhe cili ishte rezultati?

7 Një ditë, Shushani gumëzhinte nga thashethemet për rrëmujën në shtëpinë e mbretit. Në një gosti madhështore ku Asueri po kënaqte fisnikët e tij me ushqim e verë të kushtueshme, mbreti vendosi të thërriste mbretëreshën e tij të bukur, Vashtin, e cila po festonte veçmas me gratë. Por Vashti nuk pranoi të shkonte. I poshtëruar dhe i zemëruar, mbreti pyeti këshilltarët si duhej ndëshkuar ajo. Rezultati? U zëvendësua si mbretëreshë. Shërbëtorët e mbretit nisën të kërkonin nëpër gjithë vendin për virgjëresha të reja e të bukura nga të cilat mbreti do të zgjidhte një mbretëreshë tjetër.​—Est. 1:1–2:4.

8. (a) Pse mund të ketë qenë disi i shqetësuar Mordekai teksa Estera rritej? (b) Si mendon, si mund ta zbatojmë pikëpamjen e ekuilibruar të Biblës për bukurinë fizike? (Shih edhe Proverbat 31:30.)

8 Mund ta imagjinojmë Mordekain tek shihte herë pas here gjithë ëndje e krenari Esterën, e në të njëjtën kohë në merak që kushërira e vogël ishte rritur e ishte bërë kaq e bukur. Për të lexojmë: «Vajza kishte trup të hijshëm dhe ishte e bukur.» (Est. 2:7) Bibla paraqet një pikëpamje të ekuilibruar për bukurinë fizike: ajo është e këndshme, por duhet të shoqërohet me mençuri e përulësi. Përndryshe, mund të sjellë kryelartësi, krenari dhe cilësi të tjera të shëmtuara. (Lexo Proverbat 11:22.) A e ke parë ndonjëherë këtë? Po në rastin e Esterës, si do të ndikonte bukuria, për mirë apo për keq? Koha do ta tregonte.

9. (a) Ç’ndodhi kur shërbëtorët e mbretit e vunë re Esterën dhe pse ndarja nga Mordekai duhet të ketë qenë e vështirë? (b) Pse lejoi Mordekai që Estera të martohej me një jobesimtar pagan? (Përfshi kutinë.)

9 Shërbëtorët e mbretit e vunë re Esterën, e morën dhe e çuan larg Mordekait, në pallatin madhështor përtej lumit. (Est. 2:8) Duhet të ketë qenë ndarje e vështirë, pasi ishin si babë e bijë. Mordekai nuk do të donte që bija e tij e adoptuar të martohej me një jobesimtar, ndonëse mbret, por ngjarjet s’i kishte nën kontroll. * Kushedi me sa zjarr duhet t’i ketë dëgjuar Estera këshillat e Mordekait para se ta merrnin! Ndërsa e çonin në kështjellën e Shushanit, koka i ziente nga mendimet. Ç’jetë e priste tani?

Fitonte pëlqimin «e kujtdo që e shihte»

10, 11. (a) Si mund të ndikonte kollaj mjedisi i ri tek Estera? (b) Si e tregonte Mordekai merakun për mirëqenien e Esterës?

10 Estera e gjeti veten në një botë krejt të re e të huaj. Ishte mes ‘shumë vajzave’ që i kishin mbledhur nga të katra anët e Perandorisë Perse. Duhet të kishin zakone, gjuhë dhe qëndrime mjaft të ndryshme. Nën mbikëqyrjen e një zyrtari që quhej Hegai, vajzat do të bënin një trajtim estetik për një vit, që përfshinte masazhe me vajra aromatikë. (Est. 2:8, 12) Një mjedis dhe mënyrë jetese e tillë, fare lehtë mund të ketë nxitur tek ato vajza fiksimin pas pamjes, si edhe kryelartësinë e konkurrencën. Si ndikoi kjo tek Estera?

11 Askush në botë nuk ishte më i shqetësuar për Esterën, sa Mordekai. Lexojmë se ditë për ditë i afrohej sa të mundej shtëpisë së grave dhe përpiqej të merrte vesh si ishte Estera. (Est. 2:11) Teksa copëzat e informacionit i merrte me pikatore, mbase me anë të shërbëtorëve të shtëpisë që bashkëpunonin, zemra duhej t’i jetë bërë mal nga krenaria atërore. Pse?

12, 13. (a) Ç’përshtypje linte Estera te njerëzit përreth saj? (b) Pse mund të jetë kënaqur Mordekai kur mori vesh se Estera nuk kishte treguar për prejardhjen e saj judeje?

12 Kaq përshtypje i bëri Estera Hegait, saqë e trajtoi me dashamirësi të madhe duke i dhënë shtatë vajza si shërbëtore dhe vendin më të mirë në shtëpinë e grave. Madje tregimi thotë: «Ndërkohë Estera fitonte vazhdimisht pëlqimin e kujtdo që e shihte.» (Est. 2:9, 15) Mos ndoshta vetëm bukuria u bëri kaq përshtypje të gjithëve? Jo, Estera kishte shumë më tepër se kaq.

Estera e dinte se përulësia dhe mençuria ishin shumë më të rëndësishme se pamja e jashtme

13 Për shembull, lexojmë: «Estera nuk tregoi për popullin dhe për të afërmit e saj, sepse Mordekai e kishte urdhëruar të mos tregonte.» (Est. 2:10) Mordekai e kishte udhëzuar vajzën të ishte e matur për prejardhjen e saj judeje, pasi ai me siguri e kishte parë sa paragjykime kishte në oborrin mbretëror për popullin e tij. Ç’kënaqësi ishte të merrte vesh se tani, ndonëse larg tij, Estera ende tregonte të njëjtën frymë bindjeje e mençurie.

14. Si mund ta imitojnë të rinjtë sot shembullin e Esterës?

14 Edhe të rinjtë sot mund t’ua gëzojnë zemrën prindërve dhe atyre që kujdesen për ta. Kur janë larg prindërve, madje kur rrethohen nga njerëz të cekët, imoralë ose të degjeneruar, mund t’u rezistojnë ndikimeve të këqija e t’u përmbahen normave që e dinë se janë të drejta. Kur veprojnë kështu, ia gëzojnë zemrën Atit të tyre qiellor, siç bëri Estera.​—Lexo Proverbat 27:11.

15, 16. (a) Si e fitoi Estera dashurinë e mbretit? (b) Pse mund të ketë qenë i vështirë ndryshimi për Esterën?

15 Kur erdhi koha që Estera të paraqitej te mbreti, iu dha liria të zgjidhte ç’do gjë që mendonte se i nevojitej, ndoshta që të zbukurohej edhe më tepër. Por, me modesti ajo nuk kërkoi asgjë, veç asaj që i tha Hegai. (Est. 2:15) Ndoshta e kuptoi se vetëm bukuria nuk do t’ia fitonte zemrën mbretit dhe se një frymë modeste dhe e përulur do të ishte diçka me vlerë shumë më të rrallë në atë oborr. A kishte të drejtë?

16 Tregimi përgjigjet: «Mbreti e deshi Esterën më shumë se të gjitha gratë e tjera. Ajo fitoi pëlqimin dhe dashamirësinë e tij më shumë se të gjitha virgjëreshat e tjera. Ai i vuri në kokë vellon mbretërore dhe e bëri mbretëreshë në vend të Vashtit.» (Est. 2:17) Duhet të ketë qenë e vështirë për këtë vajzë të thjeshtë judeje që të përshtatej me ndryshimin​—u bë mbretëresha e re, gruaja e monarkut më të fuqishëm të tokës në atë kohë! A i hyri vetja në qejf nga kjo pozitë duke u mbushur me krenari? As që bëhet fjalë.

17. (a) Në ç’mënyra Estera vazhdoi të ishte e bindur ndaj babait adoptues? (b) Pse është i rëndësishëm për ne sot shembulli i saj?

17 Estera mbeti e bindur ndaj babait adoptues, Mordekait. E mbajti sekret lidhjen me popullin jude. Për më tepër, kur Mordekai zbuloi një komplot për të vrarë Asuerin, Estera pa ngurruar ia bëri të ditur paralajmërimin e tij mbretit, dhe komplotistët dështuan. (Est. 2:20-23) Ajo ende tregonte besim te Perëndia duke shfaqur frymë të përulur e të bindur. Sot që bindja rrallë vlerësohet si virtyt dhe mosbindja e rebelimi janë të zakonshme, kemi shumë nevojë për shembullin e Esterës. Njerëzit me besim të sinqertë e çmojnë bindjen, siç bëri Estera.

Besimi i Esterës sprovohet

18. (a) Cila mund të ketë qenë një arsye pse nuk pranonte Mordekai të përkulej para Hamanit? (Shih edhe shënimin.) (b) Si e imitojnë sot burra e gra me besim shembullin e Mordekait?

18 Një njeri i quajtur Haman u ngrit në detyrë në oborrin e Asuerit. Mbreti e emëroi kryeministër, e bëri Hamanin këshilltarin e tij kryesor dhe të dytin për nga autoriteti në perandori. Madje mbreti dekretoi se, kushdo që e shihte këtë zyrtar, duhej të përkulej para tij. (Est. 3:1-4) Për Mordekain ky ligj përbënte një problem. Ai ishte dakord që t’i bindej mbretit, por jo në kurriz të respektit ndaj Perëndisë. Hamani ishte agagit. Kjo me sa duket do të thoshte se ishte pasardhës i Agagut, mbretit amalekit të ekzekutuar nga profeti i Perëndisë, Samueli. (1 Sam. 15:33) Kaq të ligj ishin amalekitët, sa ishin bërë armiq të Jehovait dhe të Izraelit. Amalekitët ishin një popull i dënuar nga Perëndia. * (Ligj. 25:19) E si mund të përkulej një jude besnik para një amalekiti?! Mordekai nuk e bënte dot këtë. Qëndroi i patundur. Deri sot e kësaj dite, burra e gra me besim kanë rrezikuar jetën që t’i përmbahen këtij parimi: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.»​—Vep. 5:29.

19. Çfarë donte të bënte Hamani dhe si ia mbushi mendjen mbretit?

19 Hamani u xhindos. Ai nuk donte vetëm ekzekutimin e Mordekait, por edhe shfarosjen e gjithë popullit të Mordekait. Hamani ia mbushi mendjen mbretit duke bërë një përshkrim negativ për judenjtë. Pa u përmendur emrin, nënkuptoi se ishin të papërfillshëm, një komb «i shpërndarë e i veçuar nga popujt». Më keq akoma, tha se nuk u bindeshin ligjeve të mbretit, prandaj ishin rebelë të rrezikshëm. Ai propozoi t’i dhuronte thesarit të mbretit një shumë të majme parash që të mbulonte shpenzimet e asgjësimit të të gjithë judenjve në perandori. * Asueri i dha Hamanit unazën e vet me nënshkrim që të vuloste çfarëdo urdhri që kishte në mendje.​—Est. 3:5-10.

20, 21. (a) Si ndikoi shpallja e Hamanit te judenjtë anekënd Perandorisë Perse, përfshirë Mordekain? (b) Për çfarë iu përgjërua Mordekai Esterës?

20 Shpejt lajmëtarët po rendnin me galop në çdo cep të perandorisë së paanë, duke shpërndarë dënimin me vdekje për popullin jude. Përfytyro si ndikoi kjo shpallje kur arriti në Jerusalemin e largët, ku një mbetje judenjsh, që ishin kthyer nga mërgimi babilonas, po përpiqeshin fort të rindërtonin një qytet që ende nuk kishte mure mbrojtëse. Ndoshta Mordekai mendoi për ta, si edhe për miqtë e të afërmit e tij në Shushan, kur dëgjoi lajmin e tmerrshëm. I dëshpëruar, shqeu rrobat, u vesh me copë thesi dhe leu kokën me hi, pastaj lëshoi një klithmë të fortë në mes të qytetit. Kurse Hamani, u ul të pinte me mbretin, i pandjeshëm ndaj hidhërimit që u kishte shkaktuar shumë judenjve e miqve të tyre në Shushan.​—Lexo Esterën 3:12–4:1.

21 Mordekai e dinte se duhej të vepronte. Por ç’mund të bënte? Estera mori vesh për dëshpërimin e tij dhe i dërgoi rroba, kurse ai nuk pranoi të ngushëllohej. Ndoshta kishte kohë që pyeste veten pse Perëndia i tij, Jehovai, kishte lejuar t’ia merrnin Esterën e shtrenjtë e ta bënin mbretëreshën e një sundimtari pagan. Tani dukej se arsyeja po dilte në pah. Mordekai i dërgoi një mesazh mbretëreshës, duke iu përgjëruar Esterës të ndërhynte te mbreti, që të mbronte «popullin e saj».​—Est. 4:4-8.

22. Pse kishte frikë Estera të dilte përpara burrit të saj, mbretit? (Shih edhe shënimin.)

22 Estera duhet të jetë ndier shumë në ankth kur dëgjoi mesazhin. Ja ku gjendej përballë provës më të madhe të besimit. Kishte frikë, siç iu përgjigj hapur Mordekait. Ajo i kujtoi ligjin e mbretit. Të dilje para mbretit pa qenë e thirrur, do të thoshte dënim me vdekje. Vetëm nëse mbreti shtrinte skeptrin prej ari, i kursehej jeta shkelësit. Dhe, a kishte ndonjë arsye Estera të pretendonte që ai t’ia kursente jetën, sidomos pas asaj që i ndodhi Vashtit kur nuk iu bind urdhrit të mbretit për t’u paraqitur tek ai? Estera i tha Mordekait se kishte 30 ditë që mbreti nuk e kishte ftuar ta takonte. Meqë nuk e kishte thirrur për një kohë kaq të gjatë, me të drejtë dyshonte nëse mbreti kapriçoz e shihte ende me pëlqim. *​—Est. 4:9-11.

23. (a) Çfarë tha Mordekai për t’ia forcuar besimin Esterës? (b) Pse Mordekai është një shembull për t’u imituar?

23 Mordekai u përgjigj me vendosmëri, që të forconte besimin e Esterës. Ai e siguroi se, po të mos vepronte, shpëtimi i judenjve do të vinte nga ndonjë burim tjetër. E si mund të priste t’i kursehej jeta asaj kur përndjekja të merrte hov? Kështu, Mordekai tregoi besim të thellë te Jehovai, i cili nuk do të lejonte kurrë që populli i tij të shfarosej dhe premtimet e tij të mos përmbusheshin. (Jos. 23:14) Më pas, Mordekai i tha Esterës: «Kushedi, mbase për një kohë të tillë arrite në këtë pozitë mbretërore.» (Est. 4:12-14) A nuk është një shembull për t’u imituar Mordekai? Ai besonte plotësisht te Perëndia i tij, Jehovai. Po ne?​—Prov. 3:5, 6.

Besim më i fortë se frika nga vdekja

24. Si shfaqi besim dhe guxim Estera?

24 Estera tani duhej të merrte një vendim. Ajo i kërkoi Mordekait të mblidhte judenjtë e të agjëronin me të për tri ditë, duke e përfunduar mesazhin me një pohim që ka bërë jehonë deri më sot për besimin dhe guximin e qartë që përmban: «Nëse duhet të vdes, le të vdes.» (Est. 4:15-17) Gjatë atyre tri ditëve, ajo duhet të jetë lutur më me zjarr se kurrë më parë. Më në fund erdhi koha. Ajo u vesh me stolitë më të mira mbretërore dhe bëri gjithçka mundej që të ishte tërheqëse para mbretit. Pastaj u nis.

Estera vuri në rrezik jetën për të mbrojtur popullin e Perëndisë

25. Përshkruaj si rrodhën ngjarjet kur Estera doli para burrit të saj.

25 Siç përshkruhet në hyrje të këtij kapitulli, Estera mori rrugën për në oborrin e mbretit. Vetëm mund t’i përfytyrojmë mendimet plot ankth dhe lutjet e zjarrta që i vërshonin në mendje e në zemër. Ajo hyri në oborr, nga ku mund të shihte Asuerin në fron. Ndoshta u përpoq t’ia lexonte çehren e fytyrës. Nëse iu desh të priste, duhet t’i jetë dukur një përjetësi. Megjithatë, ai çast kaloi kur burri e pa. Me siguri mbreti u habit, por pamja iu zbut. Ai shtriu skeptrin e artë.​—Est. 5:1, 2.

26. Pse u duhet një guxim si ai i Esterës të krishterëve? Pse themi se puna e saj sapo kishte filluar?

26 Falë përpjekjeve, Esterës iu kushtua vëmendje. Ajo mori anën e Perëndisë e të popullit të saj, duke lënë një shembull të bukur besimi për gjithë shërbëtorët e Perëndisë përgjatë kohëve. Të krishterët e vërtetë sot i çmojnë shumë këta shembuj. Jezui tha se dishepujt e vërtetë do të dalloheshin nga dashuria vetësakrifikuese. (Lexo Gjonin 13:34, 35.) Shpesh duhet guxim si ai i Esterës që të shfaqim një dashuri të tillë. Edhe pasi Estera mbrojti popullin e Perëndisë atë ditë, puna e saj vetëm sa kishte filluar. Si do ta bindte mbretin se këshilltari i tij i preferuar, Hamani, ishte një komplotist i lig? Si do ta shpëtonte popullin e saj? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në kapitullin tjetër.

^ par. 2 Asueri mendohet gjerësisht të ketë qenë Kserksi I, i cili sundoi Perandorinë Perse në fillim të shekullit të pestë p.e.s.

^ par. 9 Shih kutinë «Pyetje rreth Esterës» në kapitullin 16.

^ par. 18 Hamani mund të ketë qenë ndër amalekitët e fundit fare, pasi ‘mbetja’ e tyre ishte shkatërruar kur mbret ishte Hezekia.​—1 Kron. 4:43.

^ par. 19 Hamani ofroi 10.000 talenta argjendi, me vlerë qindra milionë dollarë sot. Nëse Asueri ishte Kserksi I, paratë mund ta kenë bërë ofertën e Hamanit më tërheqëse. Kserksi kishte nevojë për shumë para që të vazhdonte luftën e planifikuar prej shumë kohësh kundër Greqisë e cila në fund do të rezultonte shkatërrimtare për të.

^ par. 22 Kserksi I njihej për temperamentin e paqëndrueshëm e të dhunshëm. Historiani grek, Herodoti, dokumentoi disa shembuj të sjelljes së tij nga lufta me Greqinë. Mbreti urdhëroi që të ndërtohej një urë lundruese me anije në ngushticën e Helespontit. Kur një stuhi shkatërroi urën, Kserksi urdhëroi që t’u pritej koka inxhinierëve e madje bëri që burrat e tij ta «ndëshkonin» Helespontin duke rrahur ujin me kamxhik ndërsa lexohej me zë të lartë një shpallje sharëse. Në të njëjtën fushatë, kur një i pasur u lut që të birin të mos ia merrnin në ushtri, Kserksi bëri që djalin ta pritnin më dysh dhe trupin e tij ta tregonin si paralajmërim.