Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 5

Si të ruash paqen me të afërmit?

Si të ruash paqen me të afërmit?

«Vishuni me . . . mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi.»—Kolosianëve 3:12

Me martesën krijohet një familje e re. Ndonëse do t’i duash dhe do t’i respektosh gjithmonë prindërit, tani, personi më i rëndësishëm në botë për ty është bashkëshorti. Disa të afërm mund ta kenë të vështirë ta pranojnë këtë. Por, parimet biblike mund të të ndihmojnë të gjesh ekuilibrin, që të ruash paqen me të afërmit teksa përpiqesh fort të ndërtosh marrëdhënien e re familjare.

1 KI PIKËPAMJEN E DUHUR PËR TË AFËRMIT

ÇFARË THOTË BIBLA: «Ndero atin dhe nënën tënde.» (Efesianëve 6:2) Çfarëdo moshe të kesh, duhet t’i nderosh dhe t’i respektosh gjithmonë prindërit e tu. Mos harro se edhe bashkëshorti, meqë është djali ose vajza e dikujt, duhet t’u kushtojë vëmendje prindërve të vet. «Dashuria nuk është xheloze», prandaj kurrë mos u ndiej i kërcënuar nga lidhja që bashkëshorti ka me ta.—1 Korintasve 13:4; Galatasve 5:26.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Shmangi shprehjet përgjithësuese, si: «Familja jote më përçmon gjithmonë», ose «Nënës sate nuk i pëlqejnë kurrë gjërat që bëj»

  • Përpiqu t’i shohësh gjërat nga këndvështrimi i bashkëshortit

2 JI I VENDOSUR KUR DUHET

ÇFARË THOTË BIBLA: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Zanafilla 2:24) Kur martohesh, prindërit e tu mund të mendojnë se janë ende përgjegjës për ty, dhe mbase duan të përfshihen në martesën tënde më tepër se ç’duhet.

Është në dorën tënde dhe të bashkëshortit të mendoni ç’kufij duhet të vendosni për ta dhe më pas t’ua bëni të ditur me dashuri. Mund të flisni hapur dhe drejtpërdrejt, por me mirësjellje. (Proverbat 15:1) Përulësia, butësia dhe shpirtgjerësia do t’ju ndihmojnë të krijoni një lidhje të ngrohtë me të afërmit tuaj dhe të vazhdoni «duke e duruar njëri-tjetrin me dashuri».—Efesianëve 4:2.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Nëse ke merak se të afërmit janë përfshirë shumë në jetën tuaj, diskutoje me bashkëshortin në një moment të qetë

  • Bini të dy dakord se si do t’i zgjidhni këto gjëra