Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 61

Ata nuk u përkulën

Ata nuk u përkulën

Njëfarë kohe pasi mbreti Nabukodonosor pa ëndrrën për shëmbëlltyrën, ai bëri një statujë tejet të madhe prej ari. E ngriti në rrafshinën e Durës dhe thirri njerëzit më të rëndësishëm të vendit, përfshirë Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon, që të mblidheshin para saj. Mbreti urdhëroi: «Sapo të dëgjoni tingullin e trumbetave, të harpave dhe të gajdeve, përkuluni para statujës. Kush s’përkulet, do të hidhet në furrën me zjarr.» A do të përkuleshin para shëmbëlltyrës tre hebrenjtë apo do të adhuronin vetëm Jehovain?

Pastaj mbreti urdhëroi të fillonte muzika. Të gjithë ranë përmbys dhe adhuruan statujën përveç Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos. Disa burra i panë dhe i thanë mbretit: «Ata tre hebrenjtë refuzojnë ta adhurojnë statujën tënde.» Nabukodonosori kërkoi që t’ia sillnin dhe u tha: «Po ju jap edhe një mundësi tjetër për ta adhuruar statujën. Nëse nuk e bëni, do t’ju hedh në furrë. Asnjë perëndi nuk ju shpëton dot nga unë.» Ata iu përgjigjën: «Nuk kemi nevojë për një mundësi tjetër. Perëndia ynë mund të na shpëtojë. Por, edhe nëse nuk e bën, o mbret, ne nuk do ta adhurojmë statujën.»

Nabukodonosori u xhindos. Shërbëtorëve të tij u tha: «Nxeheni furrën shtatë herë më shumë se zakonisht!» Ndërsa ushtarët i urdhëroi: «Lidhini këta burra dhe hidhini brenda.» Furra ishte kaq e nxehtë sa, kur ushtarët iu afruan, vdiqën menjëherë. Tre hebrenjtë ranë në mes të zjarrit. Por Nabukodonosori pa se brenda furrës kishte katër burra që ecnin dhe jo tre. Ai u tremb dhe pyeti zyrtarët: «A nuk hodhëm tre burra në mes të zjarrit?! Unë shoh katër dhe një prej tyre ngjan me një engjëll!»

Nabukodonosori iu afrua pak më shumë furrës dhe thirri: «Dilni, o ju shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë!» Të gjithë u habitën kur panë Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon të dilnin nga zjarri të padëmtuar. Lëkura, flokët dhe rrobat nuk ishin djegur e as nuk mbanin erë tymi.

Nabukodonosori tha: «Perëndia i Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos është i madh. Ai dërgoi engjëllin e tij dhe i shpëtoi. Nuk ka perëndi tjetër si perëndia i tyre.»

Ashtu si tre hebrenjtë, a je i vendosur t’i qëndrosh besnik Jehovait të ndodhë, ç’të ndodhë?

«Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.»​—Mateu 4:10