Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 7

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

1. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Pse Jezui është Mbreti ideal? —MARKU 1:40-42.

Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore. Ajo do të zëvendësojë gjithë qeveritë e tjera dhe me anë të saj do të bëhet vullneti i Perëndisë në qiell dhe në tokë. Lajmi për Mbretërinë e Perëndisë është një lajm i mirë. Së shpejti kjo Mbretëri do të plotësojë nevojën e njerëzve për një qeveri të mirë. Ajo do të bashkojë gjithë njerëzit kudo në tokë.​—Lexo Danielin 2:44; Mateun 6:9, 10; 24:14.

Një mbretëri duhet të ketë një mbret. Jehovai ka caktuar Mbret të Mbretërisë së Tij Birin e vet, Jezu Krishtin.​—Lexo Zbulesën 11:15.

Shih videon Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

2. Pse Jezui është Mbreti ideal?

Biri i Perëndisë është Mbreti ideal, sepse është zemërmirë dhe i vendosur për të bërë atë që është e drejtë. (Mateu 11:28-30) Gjithashtu, ai është mjaft i fuqishëm për të ndihmuar njerëzit, sepse do të mbretërojë mbi tokë nga qielli. Pasi u ringjall, ai u ngjit në qiell dhe u ul të priste në të djathtë të Jehovait. (Hebrenjve 10:12, 13) Me kohë, Perëndia i dha pushtet që të niste të mbretëronte.​—Lexo Danielin 7:13, 14.

3. Cilët do të mbretërojnë bashkë me Jezuin?

Një grup i quajtur ‘të shenjtët’ do të mbretërojnë me Jezuin në qiell. (Danieli 7:27) Të shenjtët e parë që u zgjodhën, ishin apostujt e tij besnikë. Jehovai ka vazhduar të zgjedhë deri më sot burra e gra besnike si të shenjtët e tij. Njësoj si Jezui, ata ringjallen me trup qiellor.​—Lexo Gjonin 14:1-3; 1 Korintasve 15:42-44.

Sa njerëz shkojnë në qiell? Jezui i quajti «kope e vogël». (Luka 12:32) Në fund, numri i tyre do të jetë 144.000 dhe do të mbretërojnë me Jezuin mbi tokë.​—Lexo Zbulesën 14:1.

4. Çfarë ndodhi kur Jezui nisi të mbretëronte?

Mbretëria e Perëndisë nisi të qeveriste më 1914. * Veprimi i parë i Jezuit si Mbret ishte flakja e Satanait dhe e demonëve në tokë. Satanai u tërbua dhe filloi të shkaktonte telashe në mbarë botën. (Zbulesa 12:7-10, 12) Qysh atëherë, hallet e njerëzimit janë shtuar tmerrësisht. Luftërat, zitë e bukës, epidemitë dhe tërmetet janë të gjitha pjesë e një ‘shenje’ që tregon se Mbretëria së shpejti do të marrë plotësisht në dorë çështjet e botës.​—Lexo Lukën 21:7, 10, 11, 31.

5. Çfarë realizon Mbretëria e Perëndisë?

Me anë të një vepre globale predikimi, Mbretëria e Perëndisë po bashkon që sot një shumicë të madhe njerëzish nga të gjitha kombet. Miliona njerëz zemërbutë po bëhen nënshtetas të kësaj Mbretërie që ka në krye Jezuin. Mbretëria e Perëndisë do t’i mbrojë kur të shkatërrojë sistemin e sotëm të lig në tokë. Prandaj, kushdo që dëshiron të nxjerrë dobi nga Mbretëria e Perëndisë, duhet të mësojë t’i bindet e t’i nënshtrohet Jezuit. ​—Lexo Zbulesën 7:9, 14, 16, 17.

Gjatë një periudhe 1.000-vjeçare, Mbretëria do të realizojë qëllimin fillestar të Perëndisë për njerëzimin. Toka do të bëhet një parajsë globale. Në fund, Jezui do t’ia dorëzojë Mbretërinë Atit të tij. (1 Korintasve 15:24-26) A të vjen ndër mend dikush që të pëlqen t’i tregosh për Mbretërinë e Perëndisë?​—Lexo Psalmin 37:10, 11, 29.

 

^ par. 6 Për hollësi se si e parathanë profecitë e Biblës vitin 1914, shih faqet 217-220 të librit Çfarë na mëson Bibla?