REPUBLIKA DOMENIKANE
Kush është kreu?
‘T’ua heqim kreun vëllazërisë së tyre’
Më 13 korrik 1957 inspektori Kolon i shkroi sekretariatit të shtetit: «Një shprehje e njohur thotë: ‘Gjarprit shtypi kokën!’ Një hap i madh drejt zhdukjes së Dëshmitarëve të Jehovait nga vendi do të ishte largimi i misionarëve të tyre. Ky veprim do t’ua linte vëllazërinë pa krye dhe, pa drejtues, idetë e tyre nuk do të kishin sukses.»
Pak më vonë sekretari i sigurisë Arturo Espajati i urdhëroi dhjetë misionarët e mbetur të largoheshin nga vendi. Më 21 korrik 1957 Roi Branti i shkroi Truhijos dhe i kërkoi takim që t’i shpjegonte situatën tonë. Pjesërisht letra thoshte: «Fushata gjithë urrejtje që po bëjnë disa njerëz në këtë vend kundër emrit të Perëndisë Jehova është njësoj si fushata që bënë individë të keqinformuar kundër apostujve të Jezuit.» Më pas vëlla Branti e nxiste Truhijon të lexonte kapitujt 2-6 nga libri i Veprave dhe shpjegonte: «Këshilla e logjikshme dhe e drejtpërdrejtë e gjykatësit Gamaliel ka po të njëjtën vlerë sot sa edhe atëherë.» Më tej vëlla Branti iu referua Veprave 5:38, 39 dhe shkroi me shkronja të mëdha: ‘LËRINI REHAT KËTA NJERËZ SEPSE, NËSE VEPRA E TYRE ËSHTË NGA PERËNDIA, KA TË NGJARË QË NJË DITË TË KUPTONI SE KENI LUFTUAR ME PERËNDINË.’ Por, thirrja e tij ra në vesh të shurdhër. Më 3 gusht 1957 misionarët i çuan në aeroport dhe i dëbuan nga vendi.
‘Jezui është kreu’
Po tani që ikën misionarët, ç’do të ndodhte me vëllezërit e motrat vendës? A do të mbeteshin «pa krye», siç kishte parashikuar inspektor Koloni? Aspak, sepse Jezui «është kreu i trupit, i kongregacionit». (Kolos. 1:18) Prandaj, populli i Jehovait në Republikën Domenikane nuk mbeti «pa krye». Përkundrazi, e ndjeu vazhdimisht kujdesin e Jehovait dhe të organizatës së tij.
Donald Noelsi, i caktuar të mbikëqyrte veprën e degës pas dëbimit të misionarëve, ishte veçse 20 vjeç dhe i pagëzuar prej katër vjetësh. Edhe pse kishte shërbyer si mbikëqyrës qarkor për pak muaj, puna për zyrën e degës ishte e re për të. Kishte një zyrë të vogël modeste në shtëpinë e tij, me çati hekuri të galvanizuar, me mure druri e me dysheme dheu. Ajo ndodhej në Gualei, zonë shumë e rrezikshme në Sjutat-Truhijo. Me ndihmën e Feliks Martes bëri kopje të Kullës së Rojës për mbarë vendin.
Vëlla Noelsin e ndihmoi edhe Meri Gasi, burri i së cilës, Enriku, ishte në burg në atë kohë. Ajo shpjegon: «E lija punën në orën 17.00 dhe shkoja në zyrën e vëlla Noelsit që të shtypja Kullën e Rojës. Pas kësaj vëlla
Noelsi e dyfishonte me shaptilograf. Më pas një motër nga Santiago, që i kishim vënë emrin e koduar ‘engjëlli’, i vinte revistat e shaptilografuara në fund të një ene vaji gati 20 litërshe. Më pas e mbulonte literaturën me një pëlhurë dhe sipër vinte kasava, patate ose taro. Ena mbulohej me një copë thesi të trashë. Pastaj, me anë të transportit publik i çonte në veri të vendit dhe linte nga një kopje për çdo kongregacion. Familjet e merrnin me radhë kopjen që ta studionin së bashku.»Meri shton: «Duhej të tregoheshim shumë të kujdesshëm pasi rrugët ishin plot me agjentë të qeverisë, që po përpiqeshin të zbulonin ku shtypej Kulla e Rojës. Por nuk e gjetën kurrë, sepse Jehovai na mbronte gjithmonë.»