Mësime që kemi nxjerrë nga udhëtimi i Loidës
Mësime që kemi nxjerrë nga udhëtimi i Loidës
ARTIKULLI «Udhëtimi i Loidës jashtë heshtjes» (8 maj 2000, anglisht) shkaktoi një reagim të madh te lexuesit. Kjo histori e vërtetë e një vajze me paralizë cerebrale, e cila nuk mundi të komunikonte deri në moshën 18-vjeçare preku thellë shumë zemra. Më poshtë janë disa nga komentet që u morën.
«S’pushoja dot së qari teksa lexoja mesazhet që i drejtonte Loida familjes së saj kur arriti më në fund të komunikonte. Guximi dhe forca e saj, pavarësisht nga rrethanat e vështira, janë gjëra që do të përpiqem t’i imitoj.»—K. G.
«Gëzoj shëndet shumë të mirë, e megjithatë, nganjëherë ankohem për gjëra të ndryshme. Pasi lexova për Loidën, i bëra një lutje Jehovait, duke i kërkuar të falur që nuk i kam çmuar ato që kam.»—R. H.
«Vëllai im më i vogël lindi në vitin 1980 me një mori problemesh shëndetësore, ku përfshihej edhe paraliza cerebrale, dhe nuk është në gjendje të flasë. Kjo përvojë e inkurajoi familjen time të mos dorëzohet kurrë, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë situata.»—L. W.
«Jam një vajzë 14 vjeçe dhe mendoja gjithnjë se isha e vetmja që kisha probleme. Kam dëshirë ta shoh Loidën mirë me shëndet dhe të bisedoj me të në Parajsë. Ajo është një nga njerëzit që kam në listën e atyre që dua të takoj dhe t’i bëj miq përgjithmonë.»—R. K.
«Ky artikull më preku zemrën. Më është dashur të duroj gjithfarësoj sëmundjesh mendore dhe emocionale. Duke lexuar se me sa padurim po e pret Loida botën e re të Perëndisë, më bën të dëshiroj edhe më shumë që të jem atje.»—P. B.
«Edhe unë jam me paralizë cerebrale, por nuk kam vështirësi në të folur. Ky artikull më tregoi se Jehovai sheh gjithçka që përjetojmë dhe e çmon çdonjërin prej nesh për atë që është në gjendje të kontribuojë si individ në shërbimin e tij.»—D. J.
«U preka shumë kur lexova se si Loida ia dedikoi jetën Jehovait në një moshë të re dhe, gjithashtu, se si merr pjesë në veprën e predikimit. Ne që gëzojmë shëndet më të mirë mund të nxjerrim mësim nga Loida në shumë drejtime.»—A. R.
«Përvoja e Loidës më bëri të përpiqem të mendoj më shumë për të tjerët dhe për atë që mund të bëj për ta. Nuk lejoj ta konsideroj si diçka të zakonshme privilegjin për të folur me të tjerët rreth Perëndisë Jehova.»—B. M.
«Çfarë artikulli i jashtëzakonshëm! Njohim një çift në një kongregacion fqinj, të cilët kanë një vajzë me paralizë cerebrale. Sot do t’u dërgoj një kartolinë për t’u bërë të ditur se i çmoj vërtet ata dhe gjithçka që bëjnë për vajzën e tyre.»—T. G.
«Kur ndihem e dëshpëruar, bëhem nganjëherë egoiste; ndërsa Loida interesohet në mënyrë të veçantë për të tjerët. Pikërisht këtë gjë po përpiqem fort të bëj. Gjithashtu, kam nevojë të përpiqem më shumë për të qenë si Loida dhe për t’iu lutur Jehovait kur ndihem e dërrmuar.»—N. D.
«Jam 14 vjeçe dhe jam e sëmurë me astmë. Nganjëherë mendoj se sëmundja ime është më e keqja nga të gjitha, por duke lexuar këtë përvojë mësova se nuk është kështu. Faleminderit për këtë përvojë të trishtuar, por në të njëjtën kohë të lumtur, që na jep shpresë.»—M. C.