Nga vdekja e ngadaltë në një jetë të lumtur
Nga vdekja e ngadaltë në një jetë të lumtur
TREGUAR NGA DIAMÁNTI DATSERIS
‘Jeta ime ka një afat.’ Ky mendim më sillej vazhdimisht nëpër mend kur dergjesha në shtratin e një spitali dhe gjaku rridhte dalëngadalë nga njësitë e gjakut në venat e mia. Për më shumë se 20 vjet më kishin thënë se kjo ishte mënyra e vetme që të vazhdoja të jetoja —nëse kjo mund të quhej vërtet jetë.
PAK pasi linda unë, në vitin 1969 në Ierápetra, në ishullin grek të Kretës, prindërit morën lajme ogurzeza. Mjekët u thanë se foshnja e tyre kishte talaseminë-beta ose ndryshe aneminë Kulli. Beta-talasemia madhore është një sëmundje e rëndë dhe e trashëguar e gjakut, e cila ndeshet më dendur te njerëzit me prejardhje nga Greqia, Italia, Lindja e Mesme, Azia Jugore ose Afrika.
Siç i shpjeguan mjekët prindërve, kur dikush ka këtë sëmundje, rruazat e kuqe nuk prodhojnë mjaft hemoglobinë—proteina që transporton oksigjenin për në qeliza. Për pasojë, qelizat e mia nuk marrin një sasi të mjaftueshme oksigjeni. Rruazat e kuqe qëndrojnë vetëm për pak kohë në sistemin e qarkullimit të gjakut, sepse pastaj mëlçia dhe shpretka i shkatërrojnë dhe i largojnë. Këto organe janë përgjegjëse për shkatërrimin e atyre rruazave të kuqe që janë anormale ose që kanë dalë jashtë përdorimit.
Prindërve të mi u thanë se i vetmi trajtim që njihej për talaseminë ishin transfuzionet e rregullta të gjakut dhe largimi i hekurit të grumbulluar. Megjithatë, siç shpjeguan mjekët, trajtimi me transfuzione shoqërohet me grumbullimin e vazhdueshëm të hekurit në zemër dhe në mëlçi, e kjo mund të jetë vdekjeprurëse. Transfuzioni—trajtimi që parandalon vdekjen te pacientët në dhjetë vitet e para të jetës—zakonisht është faktori kryesor i helmimit me hekur, që më pas është mjaft vdekjeprurës. Pacientët me talasemi që bëjnë vazhdimisht transfuzione, si unë, zakonisht vdesin nga një çrregullim në zemër para se të mbushin 30 vjeç.
Jetë me «afat»
Që nga fëmijëria e hershme, më kanosej vazhdimisht vdekja. S’ka fjalë për ta përshkruar se sa e vështirë është të jetosh duke pasur përpara një perspektivë kaq të zymtë. Nuk kisha as plane për të ardhmen, as ëndrra për një jetë normale kur të isha e rritur. Më dukej sikur talasemia ishte një bombë me sahat që pritej të shpërthente.
Meraku për shëndetin tim i bënte prindërit të ishin shumë të kujdesshëm. U rrita me një listë të pafund «mos-esh» dhe rregullash të tjera: «Mos vrapo!» «Mos u rrëmbe!» «Ki kujdes!»
Gjendja ime e bëri jashtëzakonisht fetare mamanë, e cila ishte ortodokse. Ajo u kërkonte ndihmë me gjithë zemër ikonave. Me qëllimin që unë të përmirësohesha, më çonte në manastire të largëta që ishin me nam për shërimet e mrekullueshme dhe më vinte hajmali ose nuska nga më të ndryshmet. Nëpër këto vende u prishën shumë para, por më kot.
Unë besoja dhe e doja Perëndinë, ndonëse nuk dija se si ta adhuroja. Kur isha në gjendje të dëshpëruar, lutesha me lot në sy: «O Zot, nëse ekziston dhe më do, të lutem më ndihmo.»
Kërkim i dëshpëruar për ngushëllim
Ndërsa rritesha, shëndeti keqësohej me shpejtësi, kryesisht për shkak të hekurit të tepërt në gjak. Si pjesë të trajtimit, përdorja një pajisje që pakëson hekurin në gjak. Çdo natë më duhej të futja një gjilpërë tamam nën lëkurën e barkut, që një kelatues hekuri të rridhte në trupin tim gjatë gjithë natës. Çdo natë duroja të njëjtin ritual torturues. Shpesh gjatë këtyre netëve pa gjumë dëshiroja të vdisja. Mendoja që Perëndia nuk i kishte përfillur lutjet e mia për ndihmë.
Në moshën 16-vjeçare fillova të shoqërohem me një grup të rinjsh që ishin zhytur në muzikën heavy metal. Duke kërkuar me dëshpërim ngushëllim, më dukej se muzika që ngrinte lart egërsinë, dhunën çnjerëzore dhe satanizmin siguronte njëfarë çlirimi. Fundja, përderisa e liga ishte gjithkund përreth meje, e pranoja idenë se një fuqi më e lartë e ligë kishte nën kontroll universin. Por shpejt pasojat e drogës dhe të satanizmit u bënë të dukshme. Shokëve të mi u duhej gjithmonë që t’ia mbathnin nga policia.
Transfuzionet e panumërta të gjakut kishin lënë gjurmë në trupin tim. Nga hekuri i tepërt më ishin krijuar rrathë të zinj poshtë syve dhe kisha një çehre të verdhë. Pamjen nuk ma përmirësonte aspak veshja—rrobat e zeza dhe një xhaketë lëkure, me gozhda e kafka, që ishin karakteristike për njerëzit me të cilët shoqërohesha. Lumturisht, nuk mora kurrë drogë.
Dora-dorës që vazhdoja të dëgjoja muzikë heavy metal, e cila e vinte theksin te vdekja, droga, demonët, spiritizmi dhe gjaku, ndieja që Satanai më kishte mbërthyer. Natën isha në gjendje depresioni dhe shpesh qaja. Pikërisht në këtë periudhë të dëshpëruar të jetës sime filloi të shndriste një rreze shprese.
Një kthesë në jetë
Një ditë, kur isha 20 vjeçe, një shoqe më dha një libër që e kishte marrë nga Dëshmitarët e Jehovait. Titullohej Bibla: Fjalë e Perëndisë apo e njeriut? * Asaj nuk i interesonte edhe aq libri, por kur i hodha një sy, mua më bëri përshtypje. Tregonte në mënyrë të qartë se parimet biblike mund të përmirësojnë jetën. Më bëri përshtypje edhe kur mësova rreth persekutimit të të krishterëve të parë dhe gatishmërisë që ta sakrifikonin jetën për bindjet e tyre. Kur e mbarova së lexuari librin, doja t’ua tregoja këto gjëra edhe të tjerëve. Në atë kohë takova Manolisin, i cili kishte njohuri për Jehovain dhe për mesazhin e Biblës, pasi disa nga të afërmit e tij ishin Dëshmitarë të Jehovait. Ai më çoi në vendin ku mblidheshin Dëshmitarët e Jehovait në zonën tonë dhe gjatë verës së vitit 1990 fillova të studioj Biblën me ta.
Nëpërmjet studimit të Biblës mësova se Krijuesi interesohet me të vërtetë për ne dhe se nuk është shkaktar i sëmundjeve dhe i dhembjeve që mundojnë shumë prej nesh. (1 Pjetrit 5:7) Mësova se ishte Satanai ai që futi mëkatin dhe dhembjen në këtë botë dhe se së shpejti Jehovai do t’i zhbëjë veprat e Satanait duke hequr këtë sistem të vjetër dhe duke e zëvendësuar me një botë të re të përsosur. (Hebrenjve 2:14) Në kushte parajsore, njerëzit që i frikësohen Perëndisë do të rikthehen në përsosmëri njerëzore. Atëherë askush nuk do të thotë: «Jam i sëmurë.»—Isaia 33:24.
Në të njëjtën kohë, mësova se në Bibël na thuhet të ‘përmbahemi nga gjaku’. (Veprat 15:20, 29; Zanafilla 9:4) Ndërsa ndërgjegjja ime filloi të mbruhej dhe të stërvitej nga normat dhe parimet e larta të Biblës, u ndjeva e nxitur të merrja një vendim personal lidhur me transfuzionet e gjakut. Vendosa të mos i bëja më.
Për më shumë se 20 vjet më kishin bërë të mendoja se e vetmja mënyrë që të mbetesha gjallë ishte të bëja rregullisht transfuzione gjaku. A do të nënshkruaja dënimin tim me vdekje duke iu bindur urdhrit të Biblës? Çfarë do të mendonin prindërit për faktin që s’do të pranoja gjak? A do të përpiqeshin të më bënin presion mjekët dhe personeli mjekësor?
Marr vendime kritike
Me anë të lutjeve të zjarrta i hodha të gjitha ankthet e mia mbi Jehovain. (Psalmi 55:22) Vendosa, gjithashtu, të kërkoja trajtime të tjera mjekësore. Pas shumë studimesh, zbulova se mund t’i zëvendësoja transfuzionet e gjakut me një dietë të përzgjedhur me kujdes dhe të pasur me hekur e vitamina. Mbi të gjitha, isha e vendosur të veproja sipas ligjit të Perëndisë, siç është shprehur në Bibël.
Natyrisht, prindërit ishin mjaft të shqetësuar. Që nga foshnjëria ime kishin bërë çmos që të mbetesha gjallë dhe ja tek po u thosha ‘jo’ transfuzioneve të gjakut! Megjithatë, së fundi, thanë se do ta respektonin vendimin tim personal në këtë çështje.
Pastaj ia shpjegova qëndrimin tim fetar personelit mjekësor të spitalit, duke u bërë të ditur, gjithashtu, se do të ndiqja me të gjitha forcat metoda alternative ndaj transfuzionit të gjakut. Mjekët, me ngurrim, pranuan të vepronin sipas dëshirave të mia.
Kur bëja transfuzione gjaku në të kaluarën, kisha krijuar shoqëri me disa të rinj të tjerë të sëmurë me talasemi. Tani atyre u vinte çudi nga qëndrimi im në lidhje me gjakun. Njëra prej tyre më tha me sarkazëm se së shpejti ‘do të më mbartnin katër veta’—një shprehje që përdoret në greqisht, për të thënë se do të vdisja. Mjerisht, më vonë ajo ishte një ndër pesë pacientë që vdiqën si pasojë e transfuzionit me gjak të infektuar.
Që nga gushti i vitit 1991 nuk kam bërë transfuzione gjaku. Në kundërshtim me të gjitha parashikimet, jam gjallë dhe me një shëndet relativisht të mirë. Duke ndjekur një dietë të pasur me vitamina dhe me hekur, kam mundur të mbaj një shëndet të kënaqshëm, me gjithë ndërlikimet e herëpashershme dhe kufizimet kronike që më shkakton talasemia.
Por, mbi të gjitha, kam një jetë me qëllim, një jetë të pasuruar nga marrëdhënia e ngushtë me Krijuesin, Perëndinë Jehova. Në korrik 1992, e simbolizova dedikimin ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Manolisi—ai mik i dashur që më vuri në kontakt me kongregacionin e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait që më dha mbështetje jetësore—u pagëzua po atë ditë. Rreth 18 muaj më pas u martuam. Më vonë pata gëzimin të shoh mamanë dhe motrën të bëheshin shërbëtore të pagëzuara të Jehovait. Opinioni i babait për Dëshmitarët e Jehovait ka ndryshuar dhe herë pas here ai merr pjesë në mbledhjet e kongregacionit.
Kam mësuar se ndonëse vdekja është një armik, nuk është një armik për t’u pasur frikë. (Psalmi 23:4) Edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait. Jeta jonë është në duart e tij. (Romakëve 14:8) Do t’i jem gjithnjë mirënjohëse që më shpëtoi nga një jetë perspektiva e vetme e së cilës ishte një vdekje e ngadaltë. Në fakt, ai më ka dhënë shpresën e jetës së përhershme!—Zbulesa 21:1-4.
[Shënimi]
^ par. 18 Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figura në faqen 21]
Po kërkoja me dëshpërim ngushëllim
[Figura në faqen 22]
Me burrin tim, Manolisin