Përse venitet dashuria?
Përse venitet dashuria?
«Duket se është shumë më e lehtë të biesh në dashuri, se ta ruash dashurinë.»—DR. KAREN KAJZER.
SHTIMI i shpejtë i martesave në të cilat s’ka dashuri ndoshta nuk është diçka për t’u habitur. Martesa është një marrëdhënie komplekse njerëzore dhe shumë veta hyjnë në të duke qenë fare pak të përgatitur. «Kur marrim patentën si shoferë, na kërkohet të tregojmë se kemi njëfarë aftësie,—vëren dr. Din S. Idel,—por ‘patentat’ e martesës mund të merren vetëm me një firmë.»
Prandaj, ndërkohë që shumë martesa lulëzojnë e janë vërtet të lumtura, në mjaft të tjera ka tension të madh. Ndoshta njëri ose që të dy bashkëshortët kanë hyrë në martesë duke pritur shumë prej saj, por u mungojnë aftësitë që nevojiten për të pasur një marrëdhënie të qëndrueshme. «Kur bëhen fillimisht të afërt,—shpjegon dr. Hari Rajs,—njerëzit provojnë një ndjenjë të jashtëzakonshme mbështetjeje nga njëri-tjetri.» U duket se partneri i tyre është «i vetmi person në botë që i sheh gjërat ashtu si ata. Nganjëherë kjo ndjenjë venitet, e kur ndodh, në martesë mund të ketë pasoja të rënda».
Lumturisht, shumë martesa nuk arrijnë në këtë pikë. Por le të shqyrtojmë shkurtimisht disa nga faktorët që në disa raste kanë bërë të venitet dashuria.
Zhgënjimi: «Nuk është kjo ajo që prisja»
«Kur u martova me Xhimin,—thotë Roza,—mendova se do të ishim si Bukuroshja e Fjetur dhe Princi i Kaltër: gjithë dashuri, përzemërsi dhe konsideratë për njëri-tjetrin.» Gjithsesi, pas pak kohe, «princi» i Rozës nuk dukej aq magjepsës. «Mbeta tmerrësisht e zhgënjyer nga ai»,—thotë ajo.
Mjaft filma, libra dhe këngë të preferuara e paraqesin dashurinë në mënyrë jorealiste. Ndërsa shoqërohen bashkë, një burrë dhe një grua mund të ndihen sikur po përjetojnë një ëndërr e cila po bëhet realitet. Por, pas pak vjetësh martesë, arrijnë në përfundimin se duhet të kenë qenë vërtet duke ëndërruar! Nëse nuk del si dashuria që përshkruhet në libra, edhe një martesë që mund të shkojë mirë ka të ngjarë t’u duket si një dështim kokë e këmbë.
Sigurisht, disa gjëra që priten në martesë janë krejtësisht me vend. Për shembull, është e përshtatshme të pritet dashuri, vëmendje dhe mbështetje nga bashkëshorti. Mirëpo edhe këto dëshira mund të mbeten të paplotësuara. «Ndihem gati-gati sikur nuk jam e martuar,—thotë Mina, një bashkëshorte e re në Indi.—Ndihem e vetmuar dhe e lënë pas dore.»
Papajtueshmëria: «S’kemi asgjë të përbashkët»
«Unë dhe im shoq jemi nja 180 gradë larg thuajse në çdo gjë,—thotë një grua.—Nuk kalon as
edhe një ditë që të mos ndiej, me hidhërim, keqardhje që kam vendosur të martohem me të. Nuk shkojmë fare me njëri-tjetrin.»Zakonisht nuk duhet shumë kohë që një çift i martuar të zbulojë se nuk janë edhe aq të ngjashëm sa ç’dukej gjatë shoqërimit. «Shpesh martesa nxjerr në pah karakteristika për të cilat, gjatë beqarisë, as ata vetë nuk ishin të vetëdijshëm që i kishin»,—shkruan dr. Nina S. Filds.
Për pasojë, pas martesës disa çifte mund të arrijnë në përfundimin se nuk përputhen fare me njëri-tjetrin. «Përveç disa ngjashmërive në shije dhe në personalitet, shumica e njerëzve hyjnë në martesë me mospajtime të mëdha në mënyrën e jetesës, në
zakone dhe në qëndrime»,—thotë dr. Aaron T. Bek. Shumë çifte nuk dinë se si t’i zgjidhin këto mospajtime.Konfliktet: «Gjithmonë zihemi»
«Habiteshim se sa shpesh grindeshim, madje duke bërtitur ose, edhe më keq, duke u sjellë vërdallë të heshtur e plot zemërim për ditë të tëra»,—thotë Sindi, ndërsa mendon për ditët e para të martesës.
Në martesë, mosmarrëveshjet janë të pashmangshme. Por, si përballohen? «Në një martesë të shëndetshme,—shkruan dr. Daniel Golman,—burri dhe gruaja ndihen të lirë të shprehin një ankesë. Veçse mjaft shpesh, në kulmin e zemërimit, ankesat shprehen në një mënyrë shkatërrimtare, si sulm ndaj karakterit të bashkëshortit.»
Kur ndodh kështu, biseda është një fushë beteje ku pikëpamjet mbrohen me vendosmëri të paepur dhe ku fjalët janë armë, e jo mjete komunikimi. Një ekip specialistësh thotë: «Një nga gjërat më të dëmshme në diskutimet që dalin jashtë kontrollit është fakti që bashkëshortët priren të thonë gjëra të cilat kërcënojnë elementin më jetësor të martesës.»
Apatia: «Jemi dorëzuar»
«Kam hequr dorë nga përpjekjet që ta bëj të funksionojë martesën tonë,—tha një grua pas pesë vjetësh martesë.—E di që tanimë s’ka për të funksionuar kurrë. Prandaj e vetmja gjë që më intereson janë fëmijët.»
Thuhet se e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por apatia. Vërtet, indiferentizmi mund të jetë po aq shkatërrimtar në martesë, sa edhe armiqësia.
Mjerisht, ama, disa bashkëshortëve u bëhet kaq e zakonshme një martesë në të cilën s’ka dashuri, sa heqin dorë nga çdo shpresë për ndonjë ndryshim. Për shembull, një burrë tha se fakti që ishte i martuar nga 23 vjet ngjante si «të ishte në një punë që s’i pëlqente». Ai shtoi: «Bën më të mirën që mundesh në atë situatë.» Në mënyrë të ngjashme, një grua e quajtur Uendi ka hequr dorë nga çdo shpresë në lidhje me burrin e saj, me të cilin ka shtatë vjet martesë. «U përpoqa kaq e kaq herë,—thotë ajo,—dhe gjithnjë më zhgënjente. Përfundoja në gjendje depresioni. Nuk dua ta përjetoj më një gjë të tillë. Nëse zgjoj shpresa, vetëm sa do të lëndohem. Më mirë të mos pres asgjë. Vërtet, kështu nuk do të jem e kënaqur, por të paktën nuk do të bie në depresion.»
Zhgënjimi, papajtueshmëria, konfliktet dhe apatia janë vetëm disa nga faktorët që mund të kontribuojnë në një martesë pa dashuri. Është e qartë se ka edhe shumë të tjerë, disa nga të cilët janë përmendur në kutinë në faqen 5. Cilido qoftë shkaku, a ka shpresë për ata bashkëshortë që duket se janë zënë në kurth në një martesë në të cilën s’ka dashuri?
[Kutia dhe figura në faqen 5]
MARTESA KU S’KA DASHURI: DISA FAKTORË TË TJERË
• Paratë: «Mund të mendohet se administrimi i parave do ta ndihmojë një çift të jetë i bashkuar, pasi e bën të domosdoshme që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, duke kontribuar bashkërisht për gjërat e domosdoshme të jetës dhe duke gëzuar frytet e mundit të tyre. Por edhe në këtë gjë, ajo që mund t’i afronte bashkëshortët në një projekt të përbashkët shpesh shërben për t’i ndarë.»—Dr. Aaron T. Bek.
• Të qenët prind: «Kemi zbuluar se 67 për qind e çifteve përjetojnë një rënie të konsiderueshme në kënaqësinë martesore pas lindjes së fëmijës së parë dhe kanë tetë herë më shumë konflikte. Kjo vjen pjesërisht ngaqë prindërit janë të lodhur dhe nuk kanë shumë kohë për vete.»—Dr. Xhon Gotman.
• Mashtrimi: «Jobesnikëria zakonisht përfshin mashtrimin dhe mashtrimi s’është gjë tjetër veçse tradhtim i besimit. Duke qenë se besimi është element thelbësor në çdo martesë të suksesshme e të qëndrueshme, a është çudi që mashtrimi mund ta rrënojë lidhjen martesore?»—Dr. Nina S. Filds.
• Marrëdhëniet seksuale: «Në kohën kur njerëzit fillojnë procedurat për divorc, privimi i marrëdhënieve seksuale, që ka zgjatur për shumë vjet, është diçka tmerrësisht e përhapur. Në disa raste nuk ishin krijuar kurrë marrëdhënie seksuale, ndërsa në disa të tjera ato ishin mekanike, thjesht për të kënaqur nevojat fizike të njërit bashkëshort.»—Xhudit S. Uolërstain, psikologe.
[Kutia dhe figura në faqen 6]
SI NDIKON TE FËMIJËT?
A mund të ndikojë te fëmijët cilësia e martesës? Sipas dr. Xhon Gotman, i cili ka bërë për afro 20 vjet studime në lidhje me çiftet e martuara, përgjigjja është po. «Nga dy studime dhjetëvjeçare,—thotë ai,—kemi zbuluar se foshnjat e prindërve të palumtur kanë rrahje zemre më të shpeshta kur luajnë me të tjerët e nuk janë edhe aq në gjendje të qetësohen. Me kalimin e kohës, konfliktet në martesë bëjnë që fëmija të ketë rezultate më të dobëta në shkollë, pavarësisht nga niveli i tij i inteligjencës.» Në kontrast me këtë, siç vëren dr. Gotman, fëmijët e çifteve të ekuilibruara «shkojnë më mirë si në shkollë, ashtu edhe në shoqëri, sepse kanë parë nga prindërit se si t’i trajtojnë të tjerët me respekt dhe si t’i përballojnë shqetësimet emocionale».