Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të jenë të rrezikshme lidhjet romantike në Internet?

A mund të jenë të rrezikshme lidhjet romantike në Internet?

Të rinjtë pyesin . . .

A mund të jenë të rrezikshme lidhjet romantike në Internet?

«Në Internet, nuk mund ta dish me siguri se kush është personi tjetër.»​—Dani, 17 vjeç. *

«Në Internet, njerëzit mund të gënjejnë. Është e lehtë të vësh maskë.»​—Xhorxhi, 26 vjeç.

LIDHJET romantike në Internet, sa vijnë dhe po përhapen gjithnjë e më shumë në mbarë botën. Siç u diskutua edhe në artikullin e mëparshëm që trajtonte të njëjtën temë, historitë romantike në Internet mund të lindin shpejt, por shpesh ato përfundojnë kur përballen me realitetin. * Megjithatë, diçka tjetër duhet të na shqetësojë më shumë sesa zhgënjimi. Të lidhesh me dikë në Internet mund të jetë e rrezikshme për ty, si fizikisht, edhe emocionalisht. Gjithashtu rrezikon marrëdhënien tënde me Perëndinë.

Si ka mundësi të jetë e rrezikshme për ty diçka që duket kaq e padëmshme dhe e sigurt, siç është kompjuteri që e ke brenda në shtëpi? Disa nga rreziqet lidhen me një parim të rëndësishëm të Biblës. Apostulli Pavël shkroi: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Kjo s’do të thotë se përdorimi i Internetit është një sjellje e pandershme, apo që përdorimi i Internetit do të të bëjë të pandershëm. Sidoqoftë, duhet të kuptojmë se shpesh të tjerët nuk janë të ndershëm. E tamam siç tregohej edhe në citimet e përmendura në hyrje të artikullit, duket se Interneti bën që disa veprime të pandershme të kryhen më kollaj, por të diktohen më me vështirësi. Dhe sidomos kur bëhet fjalë për lidhjet romantike, pandershmëria paraqet rreziqe të mëdha.

Për shembull, vër re sjelljen e pandershme për të cilën flet ky varg i Biblës: «Nuk rri me njerëz që nuk ecin në të vërtetën, dhe nuk përzihem me njerëz që e fshehin se ç’janë.» (Psalmi 26:4, BR) Çfarë do të thotë «njerëz që e fshehin se ç’janë»? Disa përkthime të Biblës, për këtë shprehje përdorin fjalën «hipokritë». Siç vëren një vepër referimi, kjo shprehje flet për «ata që ua fshehin të tjerëve qëllimet a planet e tyre ose që e maskojnë karakterin e tyre të vërtetë dhe synimet që kanë». Si praktikohet kjo pandershmëri në Internet? Dhe çfarë rreziqesh krijon për ata që kërkojnë të nisin një lidhje romantike?

Ujqër të veshur si dele

Një baba me emrin Majkëll, u alarmua kur dëgjoi në një seminar se një numër i madh fëmijësh hyjnë nëpër faqet e rrezikshme të Internetit duke mos iu bindur prindërve. «Ajo që më shqetësoi më shumë,​—thotë Majkëlli,​—ishte fakti tronditës se pedofilët mund të përdorin Internetin për t’i joshur fëmijët e mitur që t’i tërheqin në praktika seksuale të ulëta.» Kur të rinjtë përdorin Internetin për t’u njohur me njerëz të tjerë, mund të jenë në rrezik më shumë nga ç’mendojnë.

Sipas disa raporteve, nëpër Internet enden maniakë seksualë që hiqen sikur janë të rinj. Ashtu si kafshët grabitqare, ata «gjuajnë» të rinjtë si prenë e tyre. Sipas një studimi, «një në pesë fëmijë që përdorin Internetin, ka pasur oferta për marrëdhënie seksuale». Gjithashtu, një gazetë thoshte se 1 në 33 fëmijë të moshës nga 10 deri 17-vjeçare, ishte i shqetësuar pasi ndihej si «i ndjekur këmba-këmbës» nga mesazhet e vazhdueshme që i vinin në kompjuter.

Sa janë habitur disa të rinj kur kanë zbuluar se «i riu» me të cilin po zhvillonin një lidhje romantike në Internet, faktikisht ishte një i burgosur i madh në moshë! Të rinj të tjerë janë lidhur pa dashje me maniakë seksualë. Këta njerëz të poshtër, në fillim e «lajnë dhe e lyejnë» viktimën e ardhshme duke fituar besimin e saj me anë të mesazheve miqësore. Por, me kalimin e kohës bëjnë çmos të takohen me të që të plotësojnë dëshirat e tyre të degjeneruara. Mjerisht, si pasojë, disa të rinj janë rrahur, përdhunuar e madje janë vrarë.

Po, njerëzit e ligj me të vërtetë «e fshehin se ç’janë», me qëllim që të gjejnë viktimat e tyre në Internet. Këta mund t’ju kujtojnë ilustrimin e Jezuit për profetët e rremë, të cilët «vijnë te ju të veshur si dele», por në të vërtetë janë si «ujqër grabitqarë». (Mateu 7:15) Komunikimi në Internet me një të panjohur që nuk e sheh, mund të ta bëjë gati të pamundur të dallosh se tjetri po të mashtron. «Kur flet ballë për ballë me një njeri,​—thotë Xhorxhi, i cituar më parë,​—mund të mësosh diçka nga shprehjet e fytyrës dhe nga toni i zërit. Por në Internet nuk ke asnjë nga këto. Ta hedhin kur të duash.»

Po, sa e mençur është këshilla e Biblës: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen [vuajnë pasojat, BR].» (Fjalët e urta 22:3) Kuptohet, kjo s’do të thotë që çdo njeri që takon në Internet është i rrezikshëm. Gjithsesi, ka edhe disa mënyra të tjera sesi njerëzit «e fshehin se ç’janë».

Rreziqet e mashtrimit dhe të misterit

S’është çudi që shpesh ata që kërkojnë të krijojnë një lidhje romantike në Internet, nga njëra anë i zmadhojnë gjërat ose shtiren se kanë cilësi të mira, kurse nga ana tjetër i zvogëlojnë ose i fshehin të metat serioze. Për më tepër, gazeta The Washington Post citon fjalët e një shkrimtari që thotë: «Lidhjet në Internet mund të jenë të dëmshme, sepse njerëzit mashtrojnë.» Ai shton: «Shpesh njerëzit hiqen sikur janë persona të seksit tjetër. . . . Të ardhurat, . . . raca, krimet e kryera, shëndeti mendor dhe gjendja civile mbahen sekret për një kohë të gjatë në këto lidhje.» Për t’i paralajmëruar të tjerët, shumë kanë treguar përvoja të hidhura ngaqë janë mashtruar nga këto lidhje.

A mund të gënjejnë njerëzit edhe për gjëra të rëndësishme, siç mund të jetë feja? Mjerisht, po. Disa thonë se janë të krishterë të vërtetë, por në të vërtetë nuk janë. Po përse mashtrojnë? Sërish një faktor është se Interneti ua lehtëson punën. Një ri irlandez i quajtur Shon, pohon: «Është shumë e lehtë të hiqesh sikur je dikush tjetër, kur shkruan në kompjuter.»

Shumë veta e marrin lehtë këtë lloj mashtrimi, duke arsyetuar se është normale të gënjesh nga pak kur nis një lidhje romantike. Po mos harro, Perëndia e urren gënjeshtrën. (Fjalët e urta 6:16-19) Dhe ka arsye të vlefshme përse. Shumë prej vuajtjeve dhe mjerimeve në këtë botë vijnë nga gënjeshtrat. (Gjoni 8:44) Pandershmëria është themeli më i keq ku mund të bazohet një lidhje, sidomos kur synimi është që kjo lidhje të kthehet në një bashkim që do të zgjasë për tërë jetën. Akoma më keq, pandershmëria është një rrezik frymor, pasi ajo dëmton marrëdhënien e gënjeshtarit me Perëndinë Jehova.

Sa keq që shumë të rinj kanë kryer diçka tjetër të pandershme! Ata kanë nisur lidhje romantike në Internet dhe ua kanë mbajtur të fshehtë prindërve. Për shembull, prindërit e një adoleshenti u befasuan shumë, kur një ditë një vajzë e re që nuk kishte të njëjtat bindje të krishtere me familjen e tyre, erdhi papritur në shtëpinë e tyre pasi kishte bërë më shumë se 1.500 kilometra rrugë. Djali i tyre kishte gjashtë muaj që ishte lidhur me të në Internet dhe ata s’dinin gjë prej gjëje.

«Si është e mundur?»​—pyetën prindërit. Ata mendonin: «Djali ynë s’mund të jetë i dashuruar me një vajzë që s’e ka takuar kurrë.» Në fakt, djali i tyre i kishte mashtruar gjithë kohës, duke ua fshehur kush ishte në të vërtetë. A nuk je edhe ti dakord se këto lloj mashtrimesh janë një bazë e dobët për t’u lidhur me dikë?

Fol me personin, jo me ekranin

Lidhjet në Internet mund të paraqesin edhe rreziqe të tjera. Në disa raste, një mik që e ke zënë në Internet, mund të të bëhet edhe më real sesa njerëzit që i sheh çdo ditë. Familja, miqtë dhe përgjegjësitë kalojnë në vend të dytë. Monika, një vajzë nga Austria, thotë: «Nisa të lija pas dore persona që ishin të rëndësishëm për mua, sepse kaloja shumë kohë në kompjuter, duke biseduar me njerëz që njihja në Internet.» Kur e kuptoi se ku kishte arritur, vendosi të mos hynte më në Internet për t’u njohur me njerëz të tjerë.

Sigurisht, shumë janë të ekuilibruar kur përdorin Internetin. Mesazhet elektronike mund të të ndihmojnë që të komunikosh me miqtë dhe të afërmit. Gjithsesi, patjetër që edhe ti je dakord se nuk ka më mirë se të flasësh sy më sy me tjetrin. Nëse e ke «kaluar lulen e rinisë»​—koha kur dëshirat seksuale janë në kulmin e tyre​—dhe dëshiron të martohesh, je përballë njërit prej vendimeve më të rëndësishëm të jetës sate. (1 Korintasve 7:36) Pra, bëj çmos që të marrësh një vendim të matur.

Bibla këshillon: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Fjalët e urta 14:15) Në vend që t’i besosh çdo fjale që të shkruan dikush të cilin nuk e ke takuar asnjëherë, matu mirë për çdo hap që hedh. Është shumë më e mençur që të takoheni e të bëheni miq duke folur ballë për ballë. Kupto nëse përshtateni vërtet me njëri-tjetrin, sidomos kur bëhet fjalë për synimet dhe për vlerat frymore. Një periudhë e tillë njohjeje mund t’ju çojë në një martesë vërtet të lumtur.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa nga emrat janë ndryshuar.

^ par. 5 Shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . ‘A duhet të nis një lidhje romantike në Internet?’» në revistën Zgjohuni! të 22 prillit 2005.

[Figurat në faqen 12]

A e di vërtet se kush po të shkruan mesazh në Internet?

[Figura në faqen 14]

Në një periudhë njohjeje, asgjë s’mund ta zëvendësojë takimin ballë për ballë