Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dashuria ime për muzikën, jetën dhe Biblën

Dashuria ime për muzikën, jetën dhe Biblën

Dashuria ime për muzikën, jetën dhe Biblën

Treguar nga Boris N. Gulashevski

Përfytyroni një njeri të verbër në të 60-at që ka kaluar dy infarkte të rënda. Me lotët që i rrjedhin nga sytë falënderon Perëndinë që i krijoi mundësinë ta njihte. Kjo ishte gjendja ime 11 vjet më parë.

LINDA në vitin 1930 në fshatin ukrainas të Cibuljevit, në rajonin e Çirkasit. Më 1937, gjatë një prej fushatave shtypëse staliniste, babanë e arrestuan dhe e dënuan si «armik të shtetit». Banesën na e konfiskuan dhe shumica e të njohurve na shmangte. Shpejt arrestuan edhe shumë prej tyre. Ishin kohë ku mbizotëronte mosbesimi, tradhtia dhe frika.

Dy muaj pas arrestimit të babait lindi ime motër, Lena. Nëna, Lena, vëllai im Nikolai dhe unë e kaluam atë dimër në një dhomë të vogël që nuk kishte as dritare dhe as sobë. Pastaj shkuam në shtëpinë e gjyshit. Unë dhe Nikolai kujdeseshim për shtëpinë, pritnim dru për zjarr dhe bënim riparime. Më vinte ndoresh të bëja punë të ndryshme. Bëja këpucë dhe punë zdrukthëtarie. Edhe muzika më pëlqente, kështu bëra vetë një balalaikë me një kompensatë dhe mësova t’i bie. Më vonë mësova kitarën dhe mandolinën.

Kur isha më i vogël, më kishin pagëzuar si katolik. Por meqë nuk i kuptoja doktrinat dhe traditat e kishës, pikëpamjet ateiste më dukeshin të arsyeshme. Pas Luftës II Botërore hyra në radhët e Komsomolit (organizatë e rinisë komuniste) dhe kur binte rasti, unë dhe anëtarë të tjerë debatonim me besimtarë për t’u mbushur mendjen se nuk kishte Zot.

Humba shikimin

Pas sulmit të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik në vitin 1941, vija e frontit kaloi disa herë përmes fshatit tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 16 mars 1944 u plagosa gjatë një bombardimi dhe humba dritën e syve. Ndihesha i dëshpëruar, i pashpresë dhe kisha dhembje.

Kur fronti u spostua drejt perëndimit dhe Gjermanët u tërhoqën, nisa të bëja ca shëtitje në kopsht dhe të dëgjoja këngën e zogjve. Ngaqë i vinte keq për mua, nëna më jepte të pija vodka dhe lokalet më ftonin nëpër festa ku luaja muzikë. Pija duhan dhe e mbytja dëshpërimin me alkool. Shpejt kuptova se siç ia kisha nisur, nuk do të zgjidhja gjë.

Tezja, që ishte mësuese, mori vesh për shkollat për të verbrit dhe e bindi nënën të më regjistronte. Më 1946 fillova shkollën në qytetin që tani quhet Kamjanec-Podilskji dhe u hyra mësimeve gjithë zell. Mësova të lexoj dhe të shkruaj në gjuhën braile. Vazhdova edhe mësimet e muzikës dhe kaloja orë të tëra duke mësuar koncertinën, një fizarmonikë e vogël. Duke parë zellin tim, zëvendësdrejtori më la t’i bija fizarmonikës së tij. Mësova edhe pianon.

Krijoj familje

Më 1948 u martova me një mësuese të shkollës që më kishte ndihmuar në mësime. I shoqi i kishte vdekur gjatë luftës dhe e kishte lënë me dy vajza të vogla. Pasi mbarova shkollën, shkova të jetoja në shtëpinë e saj. Bëja ç’kisha mundësi që të isha bashkëshort e baba i mirë, dhe siguroja jetesën duke luajtur muzikë. Në vitin 1952 u bëmë me djalë.

Mora masa që të ndërtoja një shtëpi për familjen time, e punësova të tjerë që të ndërtonin themelet dhe muret mbajtëse, por shumë gjëra i bëra vetë. Të prekurit dhe imagjinata më ndihmonin të kompensoja verbërinë. Merrja një copë dru, ia prekja sipërfaqen me duar dhe me mendje bëja një figurë me të. Pastaj e ktheja në një objekt e ndonjëherë edhe në vegla druri. Veglat prej metali i porositja në fabrikë. Bëra një sobë me tulla, mobilje dhe gjëra të tjera.

Orkestër me fyej

Mora mësime të mëtejshme për muzikë dhe u bëra muzikant profesionist. Pasi ua mora dorën veglave të ndryshme muzikore, mësova t’i bie fyellit. Një herë rregullova një fyell të vogël prej bambuje. Me kalimin e kohës mësova të bëja edhe vetë fyej. Në atë kohë, mjeshtrat mendonin se nuk mund të bëheshin fyej që nxirrnin notat e ulëta bas, pasi nëse bëheshin fyej të tillë të mëdhenj, tingulli do të ishte shumë i dobët. Ja përse nuk kishte orkestra me fyej.

Megjithatë, unë arrita të bëja një fyell me një kuti rikumbimi të veçantë që përforconte tingullin. Kjo nënkuptonte se mund të bëheshin fyej me nota bas pa humbur volumin e tingullit. Dalëngadalë bëra grupe fyejsh të ndryshëm që krijonin harmoni.

Më parë kisha organizuar orkestra me vegla muzikore tradicionale. Një nga orkestrat e mia përbëhej vetëm nga muzikantë të verbër. Në vitin 1960, organizova një orkestër vetëm me fyej, e vetmja e këtij lloji në Bashkimin Sovjetik e ka mundësi edhe në botë.

Të reja dhe dyshime

Në vitin 1960 riparova disa instrumente te një mjeshtër që filloi të më fliste për fenë. Si zakonisht nisa të debatoja, duke i thënë se nuk kishte Zot. Ai më tha që ta dëgjoja vetëm sa të më lexonte diçka nga Bibla. Meqë nuk e kisha lexuar kurrë Biblën, thashë ta dëgjoja.

Më preku shumë historia e Jakobit që punoi pa u lodhur për të mbajtur familjen. Gjithashtu, më bëri për të qarë historia e Jozefit, të cilin vëllezërit e shitën si skllav, mundimet e tij dhe se si më vonë i fali vëllezërit e vet. (Zanafilla, kapitujt 37, 39-45) Më pëlqeu shumë edhe Rregulla e Artë, që t’i trajtojmë të tjerët siç do të donim të na trajtonin neve. (Mateu 7:12) Kështu u njoha me Biblën dhe nisa ta dua.

Fillova të ndiqja mbledhjet baptiste bashkë me shokun tim. Më dhanë «Besëlidhjen e Re» në gjuhën braile dhe nisa ta lexoj me kujdes. Por vura re kontradikta midis asaj që thuhej aty dhe doktrinave baptiste. Për shembull, siç tregon Bibla, Perëndia dhe Jezui janë dy persona të ndryshëm dhe Perëndia është më i madh se Jezui. (Mateu 3:16, 17; Gjoni 14:28; Veprat 2:32) Megjithatë, baptistët këmbëngulin se Perëndia dhe Jezui janë të barabartë, pjesë e një Triniteti. E lexova shumë herë «Besëlidhjen e Re» duke ndier në kuptim të mirëfilltë çdo fjalë, dhe isha i bindur se ky mësim nuk vinte nga Bibla.

Në përkthimin e Biblës që kishim, përdorej fjala «ferr». Përpiqesha ta imagjinoja ferrin siç e mësonin baptistët, pra si një vend ku mundohesh përjetësisht në zjarr. Kjo ide më tmerronte. Bibla thotë se Perëndia është dashuri dhe s’e imagjinoja dot që ai të krijonte një vend të tillë. (1 Gjonit 4:8) Koha kalonte dhe dyshimet që kisha për ferrin e për doktrina të tjera baptiste më shtoheshin.

Ndryshime të mëdha

Në vitin 1968 vajzat e gruas sime ishin të martuara dhe ishin bërë me fëmijë. Në atë kohë fillova të kisha mosmarrëveshje serioze me gruan. Kur sjell ndër mend ato vite, më vjen keq që nuk treguam dashuri dhe durim sa duhet me njëri-tjetrin. U divorcuam, dhe me divorc përfunduan edhe dy martesat e tjera që pata më vonë.

Në vitin 1981 u shpërngula nga Kamjanec-Podilskji, ku kisha jetuar 35 vjet, dhe shkova në Joshkar-Ola, rreth 600 km në lindje të Moskës. Atje vazhdova punën krijuese. Një nga orkestrat e mia kishte 45 pjesëtarë që u binin fyejve të ndryshëm. Kishim që nga fyejt 20 cm të gjatë dhe me diametër më pak se 1 cm, që nxirrnin nota të larta, e deri te fyejt bas, që ishin më se 3 m të gjatë e me diametër 20 cm. Koncertet tona transmetoheshin në radio e televizor dhe jepnim shfaqje në të katër anët e vendit.

Në një konkurs të vitit 1986 për grupet muzikore nga i gjithë Bashkimi Sovjetik, mora një certifikatë dhe një medalje për zhvillimin e artit të rënies së fyellit. Vite më vonë doli një film dokumentar me titull Solo për fyej ose historia e pabesueshme e një muzikanti. Gazeta Mariiskaya Pravda thoshte: «Boris Nikolajeviç Gulashevski, protagonisti i këtij filmi, mori një certifikatë të veçantë si krijues i një orkestre me fyej, e vetmja e këtij lloji në Rusi.»

Në kërkim të së vërtetës

Kur shkova në Joshkar-Ola, u regjistrova në bibliotekë ku kishte goxha material për të verbrit. U njoha me bindjet e katolikëve, pentekostalëve dhe metodistëve. Gjithashtu shkova edhe në meshat e ortodoksëve. U habita kur pashë se mësonin të njëjtat gjëra që kisha dëgjuar në kishën baptiste, që tashmë e dija se nuk bazoheshin në Bibël.

Një prift ortodoks, Aleksandër Meni, shkruante se Perëndia ka një emër: Jahveh. Gjithashtu thoshte se dikur judenjtë praktikonin adhurimin e pastër, por që më vonë u ndot me mësime pagane dhe idhujtari. Shkrimet e tij më mbetën në mendje dhe më shtuan dëshirën për të kërkuar të vërtetën.

Edhe më i vendosur

Në një nga orkestrat e mia ishte një muzikante që quhej Liza. Shikimi i saj ishte kaq i dobët, saqë konsiderohej pothuajse e verbër. U martuam më 1990 dhe ajo nisi të interesohej sikurse edhe unë për gjërat fetare. Po atë vit shkova të takoja nënën që jetonte me time motër, Lenën, në Baranoviç, Bjellorusi. Me kërkesën e nënës shkova në kishën katolike ku mora kungimin. Në Bashkimin Sovjetik ishte koha e perestrojkës, dhe prifti pjesën më të madhe të predikimit ua kushtoi ndryshimeve politike. Edhe kësaj here isha i bindur se kjo nuk ishte ajo që kisha nevojë.

Më 1994 kalova dy infarkte dhe u sëmura rëndë. Po atë vit nëna mbylli sytë. Pavarësisht nga të gjitha këto, ende e lexoja Biblën. Deri atëherë e kisha lexuar 25 herë «Besëlidhjen e Re» dhe pastaj nuk i numërova më. Por vazhdova ta lexoja dhe pyetjet më shtoheshin. E kisha të qartë se nuk mund t’i kuptoja vetë të vërtetat e Biblës.

Dritë kuptueshmërie

Më 1996, në derën tonë në Joshkar-Ola trokitën Dëshmitarët e Jehovait. Isha dyshues ndaj tyre, pasi gazetat kishin thënë se ishin një sekt i rrezikshëm. Por pastaj mendova: ‘E ç’të keqe do të më bëjnë?’ Gjëja e parë që i pyeta ishte se çfarë mendonin për Trinitetin. Ata m’u përgjigjën se në Bibël, Triniteti nuk ishte as si fjalë, as si koncept. U kënaqa, sepse edhe unë kisha nxjerrë të njëjtin përfundim.

Kur lexova Daljen 6:3 në Biblën sinodale në rusisht, ku del emri i Perëndisë, Jehova, zemra më rrahu fort. U befasova se si fetë i mashtrojnë njerëzit duke ua fshehur këtë emër. E më bëri përshtypje që Dëshmitarët e mbajnë emrin e Krijuesit dhe ua zbulojnë edhe të tjerëve.​—Isaia 43:10.

I mbyta me pyetje Dëshmitarët. Për shembull: «Pse Bibla flet për ferrin? Pse në versionin e përhapur sinodal në rusisht thuhet se toka do të digjet?» Bëra pyetje pas pyetjesh, por kur mora përgjigje nga Bibla, kuptova se kisha gjetur fenë që kisha ëndërruar për vite. Me lot gëzimi, u ula në gjunjë dhe falënderova Perëndinë.

S’kaloi shumë dhe Dëshmitarët filluan të më merrnin në mbledhjet e tyre. Më bënte përshtypje vëmendja e auditorit dhe fëshfërima e fletëve të Biblës kur oratori mbante ndonjë pjesë. Kur ai thoshte një varg biblik, njerëzit e gjenin në Biblat e veta. Kurrë nuk më kishte ndodhur diçka e tillë më parë. Në një mbledhje, Dëshmitarët kënduan një këngë të bazuar tek Isaia 35:5 që fillonte me fjalët: «Sigurisht të verbrit do të shikojnë.»

Nisa ta studioja Biblën katër herë në javë me Dëshmitarët, dhe kjo më kënaqte. Shpejt mësova përse Perëndia i lejon hallet dhe luftërat dhe si do t’i trajtojë pasojat e këtyre vuajtjeve. Më bëri përshtypje sidomos kur mësova për premtimin e dashur të Perëndisë për Mbretërinë e tij, me anë të së cilës do të plotësohet vullneti i tij që njerëzit e bindur të gëzojnë jetën e përhershme në tokën e kthyer në parajsë. (Zanafilla 1:28; Isaia 65:17-25; Zbulesa 21:1-5) Të vërtetat e Biblës m’u bënë gjithnjë e më të qarta dhe më 16 nëntor 1997, u pagëzova në simbol të kushtimit që i kisha bërë Perëndisë.

Të bashkuar në shërbimin e Perëndisë

Shpejt pas pagëzimit tim edhe Liza nisi të studionte Biblën. Megjithëse ishte e paralizuar, bëri shpejt përparim dhe u pagëzua më 1998. Atë duhej ta mbanin peshë deri në vaskën e pagëzimit, por ishte e vendosur që t’i shërbente Perëndisë me gjithë shpirt. Morëm një terapist masazhator, e përveç kësaj, Liza bënte edhe ushtrime. Me kalimin e kohës paraliza iu zhduk. Tani, jo vetëm që ndjek të gjitha mbledhjet, por edhe predikon shtëpi më shtëpi dhe shkon në territore të largëta për të predikuar.

Sa herë që dal në predikim lutem për guxim. Pas lutjes marr bastunin, dal nga shtëpia dhe shkoj drejt stacionit të tramvajit, në një rrugë që e di mirë. Kur ndiej hapa që më afrohen, filloj një bisedë për Biblën. Kur hipi në tramvaj, ulem diku nga mesi, flas për Biblën me njerëzit dhe u lë literaturë. Nëse dikush tregon interes, shkëmbejmë numrat e telefonit.

Jo shumë kohë më parë, në sanatorium, fola me një mësues muzike. Ai u mrekullua nga mençuria që gjeti në Bibël. Kur u kthye në shtëpi, nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Po në atë sanatorium takova drejtorin e një fabrike, djali i të cilit ishte i verbër. I fola për shpresën që kam. Ai tregoi interes dhe vlerësim për të vërtetat biblike që dëgjoi.

Që nga pagëzimi kam ndihmuar tetë veta të bëhen lajmëtarë të Mbretërisë dhe kam studiuar Biblën me shumë të tjerë. Jehovai vazhdon të më japë mua dhe gruas sime mbështetje të jashtëzakonshme me anë të motrave dhe vëllezërve të krishterë. Ata na lexojnë botime të bazuara në Bibël dhe diskutojmë bashkë. Gjithashtu na i regjistrojnë fjalimet që mbahen në kongrese dhe në kongregacion. Të gjitha këto na kanë ndihmuar që të vërtetat biblike të na rrënjosen në zemër dhe të flasim për to me të tjerët. Kështu kongregacioni është bërë për ne «një ndihmë fuqizuese».​—Kolosianëve 4:11.

I kushtova shumë vite muzikës, kurse tani këndoj me gëzim këngët e Mbretërisë. Kam mësuar përmendësh shumicën e këngëve të librit të këngëve në rusisht Këndojini lavdi Jehovait. Besoj se Jehovai më gjeti në këtë botë të ligë dhe më ndihmoi të gjeja rrugën për të dalë nga errësira frymore. Ja pse jam i bindur se një ditë do të më çlirojë edhe nga errësira e syve.

[Figura në faqen 19]

Duke i rënë një fyelli bas do maxhor

[Figura në faqen 20]

Duke i rënë fizarmonikës, 1960

[Figura në faqet 20, 21]

Orkestër me fyej

[Figura në faqen 23]

Me Lizën sot