Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë duhet të bëj kur prindërit grinden?

Çfarë duhet të bëj kur prindërit grinden?

Të rinjtë pyesin . . .

Çfarë duhet të bëj kur prindërit grinden?

S’KA si të mos ndihesh keq kur prindërit grinden. Në fund të fundit i do dhe i ke mbështetje. Kështu, kur duket se nuk shkojnë mirë, të zë ankthi. Pse ndonjëherë duket sikur prindërit nuk merren vesh me njëri-tjetrin?

Pikëpamje të ndryshme

Jezui tha se kur një burrë dhe një grua martohen, bëhen «një mish i vetëm». (Mateu 19:5) Por, a do të thotë kjo se babi dhe mami do të jenë gjithnjë në një mendje? Aspak. Dy veta, kushdo qofshin, edhe nëse janë burrë e grua dhe janë vërtet të lidhur, hera-herës do të kenë mosmarrëveshje.

Nëse prindërit kanë mendime të ndryshme, kjo nuk do të thotë se martesa e tyre është në buzë të thyerjes. Ka shumë të ngjarë që ata ende duhen, edhe pse nganjëherë ia ngrenë nervat njëri-tjetrit. Pra pse grinden? Ndoshta për disa gjëra kanë pikëpamje të ndryshme, dhe kjo nuk është medoemos e gabuar dhe nuk do të thotë se martesën e tyre po e merr lumi.

Le ta ilustrojmë: të ka ndodhur ndonjëherë që kur ke parë një film me disa shokë të ngushtë, tjetër mendim kishe ti për filmin, e tjetër ata? Mund të ndodhë. Edhe njerëzit që janë mjaft të lidhur i shohin gjërat ndryshe.

E njëjta gjë mund të ndodhë me prindërit e tu. Ndoshta që të dy merakosen për buxhetin e familjes, por secili ka mendimin e vet si të shpenzohen paratë; të dy duan të organizojnë pushime si familje, por ndryshe e koncepton njëri çlodhjen e ndryshe tjetri; të dy merakosen që ti të dalësh mirë në mësime, por secili e mendon ndryshe se çfarë duhet për të të motivuar. Pra, ideja është: të jesh i lidhur ngushtë me dikë nuk do të thotë të jesh gjithnjë në një mendje me të. Edhe dy njerëz që janë si një mish i vetëm mund t’i shohin gjërat ndryshe.

Po përse ndonjëherë prindërit lejojnë që ndryshimet në pikëpamje të çojnë deri në fërkime? Përse mendimi i tjetrit, diçka krejt pa të keq, bën që një bisedë të kthehet në sherr?

Ndikimi i papërsosmërisë

Shumë grindje mes prindërve vijnë nga papërsosmëria. Bibla thotë: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur.» (Jakovi 3:2) Prindërit e tu nuk janë të përsosur, as ti. Hera-herës të gjithë themi gjëra që nuk i kemi me tërë mend, e nganjëherë fjalët tona mund të lëndojnë si «goditje shpate».—Proverbat 12:18.

Ndoshta e ke vënë re këtë edhe te vetja jote. Për shembull, a të kujtohet ndonjë rast kur je zënë keq me dikë që shkoje mirë? Ka shumë mundësi që po. Maria *, një e re, thotë: «Çdokujt i ka ndodhur të ketë bërë fjalë. Dhe tamam ata që dua më shumë, mund të m’i ngrenë nervat më shumë, mbase ngaqë pres tepër prej tyre.» Burri dhe gruaja që ndjekin parimet e Biblës presin mjaft nga njëri-tjetri, pasi Bibla ka vënë një standard të lartë për ta. (Efesianëve 5:24, 25) Ngaqë janë të papërsosur, herët a vonë do të gabojë njëri ose që të dy. Bibla thotë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.»—Romakëve 3:23; 5:12.

Prandaj, pritet që midis prindërve të tu të ketë të paktën ndonjë përplasje. Apostulli Pavël shkroi se çiftet e martuara do të kishin «shtrëngim në mish» ose siç përkthehet kjo shprehje te një përkthim tjetër, «dhembje dhe hidhërim». (1 Korintasve 7:28, The New English Bible) Një shef që s’kënaqet kollaj, një bllokim në trafik, një faturë e papritur për t’u paguar, janë vetëm disa nga streset që mund të krijojnë tension në familje.

Dijenia se prindërit janë të papërsosur dhe se ndonjëherë mund të jenë shumë të stresuar, mund të të ndihmojë t’i shohësh zënkat e tyre me sy realist. Këtë ka kuptuar edhe Maria. «Më duket sikur prindërit tani grinden më shumë se përpara, dhe ndonjëherë dyshoj se mbase janë lodhur me njëri-tjetrin. Por pastaj i them vetes: ‘Mos harro: 25 vjet martesë dhe pesë fëmijë nuk është e lehtë!’» Ndoshta edhe ti mund të tregosh «ndjenja të përbashkëta» dhe të kuptosh se prindërit mbajnë mbi supe shumë përgjegjësi.—1 Pjetrit 3:8.

Çfarë të bësh?

Ndoshta e pranon se prindërit janë të papërsosur dhe e di se ata çdo ditë duhet të përballojnë strese të ndryshme. Prapëseprapë mbetet çështja: ‘Çfarë të bësh kur ata grinden?’ Provo sugjerimet e mëposhtme:

Mos ndërhyr. (Proverbat 26:17) Nuk të takon ty roli i këshilltarit martesor ose të zgjidhësh mosmarrëveshjet e prindërve. Ka të ngjarë që çdo orvatje për të ndërhyrë të dalë për keq. «Më përpara mundohesha të bëhesha arbitër, dhe zakonisht më thoshin të mos i futja hundët»,—thotë Karla 18-vjeçare. Lëri prindërit ta zgjidhin vetë problemin.

Shihe gjendjen me sy realist. (Kolosianëve 3:13) Siç u tha më lart, fakti që hera-herës prindërit grinden, nuk do të thotë medoemos se janë në prag të ndarjes. Prandaj mos u alarmo më kot nga disa zënka të rastit. Melania 20-vjeçare thotë për prindërit e saj: «Edhe nëse zihen, e di që e duan akoma njëri-tjetrin dhe familjen. Do ta zgjidhin.» E njëjta gjë mund të vlejë fare mirë edhe për prindërit e tu kur kanë mosmarrëveshje.

Lutu për shqetësimet që ke. S’ka pse ta mbash përbrenda ankthin. Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Lutja të ndihmon shumë. Apostulli Pavël u shkroi filipianëve: «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja. . . . Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»—Filipianëve 4:6, 7.

Kujdesu për veten. Nuk është mirë të stresohesh për diçka që nuk varet nga ti. Kjo mund të të ndikojë për keq. Bibla thotë: «Nga ankthi i zemrës njeriu kërruset.» (Proverbat 12:25) Përpiqu ta lehtësosh ankthin duke ndenjur me miq inkurajues dhe duke u marrë me aktivitete të shëndetshme.

Fol me prindërit. Edhe pse nuk duhet të përfshihesh në debatet e prindërve, prapëseprapë mund t’ua bësh të ditur si ndikojnë te ti grindjet e tyre. Gjej momentin e duhur dhe fol me mamin ose babin. (Proverbat 25:11) Fol me «frymë butësie dhe me respekt të thellë». (1 Pjetrit 3:15) Mos akuzo. Thjesht trego si ndihesh kur ata grinden.

Përse të mos provosh sugjerimet e mësipërme? Ndoshta prindërit do t’u përgjigjen përpjekjeve të tua. Edhe po të mos ndodhë kështu, do të të kënaqë mendimi se megjithëse nuk mund të komandosh prindërit, mund të mbash nën kontroll mënyrën si reagon kur ata grinden.

[Shënimi]

^ par. 12 Në këtë artikull, emrat janë ndryshuar.

PËR TË MENDUAR

▪ Përse prindërit ndonjëherë e kanë të vështirë të shkojnë mirë?

▪ Çfarë do t’i thoshe motrës ose vëllait më të vogël që shqetësohet kur prindërit grinden?

[Kutia në faqen 20]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Në martesë do të ketë mosmarrëveshje se s’bën. Megjithatë, mënyrën si do t’i zgjidhni e keni në dorë. Grindjet e prindërve ndikojnë shumë te fëmijët. Kjo çështje meriton kujdes të veçantë, pasi martesa juaj është një model që ka shumë të ngjarë të ndiqet nga fëmijët tuaj kur të martohen. (Proverbat 22:6) Përse të mos i përdorni mosmarrëveshjet si një rast për të treguar cila është rruga e duhur për t’i zgjidhur ato? Provoni sugjerimet e mëposhtme:

Dëgjo. Bibla na thotë të jemi ‘të shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohemi në të folur e të mos zemërohemi shpejt’. (Jakovi 1:19) Mos i hidh dru zjarrit duke ‘e kthyer të keqen me të keqe’. (Romakëve 12:17) Edhe nëse bashkëshorti nuk ka dëshirë të dëgjojë, ti nga ana jote mund të vendosësh të dëgjosh.

Përpiqu të sqarohesh, jo të kritikosh. Me qetësi thuaji bashkëshortit se si ndihesh nga sjellja e tij ose e saj. («Lëndohem kur ti . . . ») Mos iu dorëzo prirjes për të akuzuar dhe kritikuar. («Ti nuk pyet për mua.» «Kurrë nuk më dëgjon.»)

Ndërprite grindjen. Ndonjëherë është më mirë ta ndërpresësh debatin dhe të bisedoni kur të jenë ftohur gjakrat. Bibla thotë: «Fillimi i grindjes është sikur t’u çelësh rrugë ujërave; largohu, pra, përpara se të plasë sherri.»—Proverbat 17:14.

Kërkojini falje njëri-tjetrit e, nëse duhet, edhe fëmijëve. Briana 14-vjeçare thotë: «Ndonjëherë pasi janë grindur, prindërit na kërkojnë falje mua dhe vëllait më të madh, sepse e dinë se si ndikon te ne.» Një nga gjërat më me vlerë që mund t’u mësoni fëmijëve është të thonë me përulësi: «Më fal.»

Për më shumë informacione, shih Zgjohuni! të janarit 2001, faqet 8-14 dhe të 22 janarit 1994, faqet 3-12 (anglisht).

[Figura në faqen 19]

Mos akuzo. Vetëm trego si ndihesh