Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Parashikohen «mjete shkatërrimi»

Parashikohen «mjete shkatërrimi»

Parashikohen «mjete shkatërrimi»

«Mendja e ligë e njeriut gjithnjë studion si ta shfrytëzojë talentin e tij për të skllavëruar, shkatërruar ose mashtruar krijesat e tjera njerëzore.»​—Horës Uolpoli, shkrimtar anglez i shekullit të 18-të.

AVIACIONI i ka sjellë shumë të mira njerëzimit. Megjithatë, sa të vërteta janë fjalët e mësipërme të Horës Uolpolit! Edhe para se fluturimi i njeriut të bëhej realitet, njerëzit mendonin për mënyrat e shumta në të cilat mjetet ajrore mund të përdoreshin si mjete lufte.

Më 1670, më shumë se 100 vjet para se të fluturonte balona e parë me pilot, jezuiti italian Françesko Lana theksoi se kishte shumë mundësi që ‘Perëndia të mos lejonte kurrë të ndërtohej një mjet i tillë [aerostat], për të parandaluar pasojat e shumta që mund të trazojnë qeverinë dhe rendin’. Gjithsesi, me njëfarë largpamësie, ai shtoi: «E kush [nuk e kupton] se asnjë qytet nuk do të ishte i mbrojtur nga sulmet e befasishme, pasi aerostati mund të dilte në çdo orë të ditës direkt mbi sheshin e pazarit dhe të zbarkonte atje ekuipazhin? E njëjta gjë do të ndodhte në oborret e shtëpive dhe në anijet që përshkojnë oqeanin . . . Edhe pa u ulur fare, ai mund të hidhte pjesë të hekurta që do të përmbysnin mjetet e lundrimit, do të vritnin njerëz dhe anijeve mund t’u vihej zjarri me pajisje zjarrvënëse, me gjyle dhe bomba.»

Kur u shpikën balonat me ajër të nxehtë dhe me hidrogjen nga fundi i shekullit të 18-të, Uolpoli kishte frikë se këto mjete shpejt do të bëheshin «mjete shkatërrimi për racën njerëzore». Në të vërtetë, nga fundi i vitit 1794, balonat me hidrogjen po shfrytëzoheshin nga gjeneralët e ushtrisë franceze për të njohur territorin armik e për manovra ushtarake. Balonat u përdorën edhe në luftën civile në Amerikë, gjatë viteve 60 të shekullit të 19-të dhe në betejat franko-prusiane gjatë viteve 70 të të njëjtit shekull. Edhe gjatë dy luftërave botërore të shekullit të kaluar, balonat u përdorën shumë nga trupat amerikane, britanike, franceze dhe gjermane në misionet e zbulimit.

Në Luftën II Botërore, balonat u bënë vërtet një mjet vdekjeprurës kur ushtria japoneze dërgoi drejt Shteteve të Bashkuara 9.000 balona pa pilotë, të armatosura me bomba. Më shumë se 280 balona me eksplozivë mbërritën në Amerikën Veriore.

Parashikohen mjete ajrore luftimi

Që kur u projektua, edhe aeroplani shihej si një mjet i mundshëm lufte. Më 1907, Aleksandër Graham Beli tha: «Vetëm pak veta e dinë se Amerika është fare pranë zgjidhjes së një çështjeje që do t’i ndryshojë plotësisht luftimet në mbarë botën—e kam fjalën për ndërtimin e një mjeti ajror të efektshëm luftimi.» Po atë vit, gazeta The New York Times citoi fjalët e balonistit, kapitenit Tomas T. Lavles: «Brenda dy a pesë vjetësh çdo shtet i madh do të ketë mjete ajrore luftimi dhe kundërajrorë, siç kanë tani anije siluruese dhe kundërsilurues.»

Vetëm tre muaj më vonë, vëllezërit Rajt lidhën kontratë me Trupat Sinjalizuese të SHBA-së për ndërtimin e aeroplanit të parë ushtarak. Në një artikull të gazetës New York Times të datës 13 shtator 1908, shpjegohej përse ushtria interesohej për aeroplanët: «Një predhë mund të hidhet në oxhakun e një anijeje lufte, t’u shkaktojë dëme kolosale mekanizmave dhe, së fundi, të provokojë shpërthimin e avulluesve.»

Fjalët e Belit dolën të vërteta: falë aeroplanit ‘luftimet ndryshuan krejt në mbarë botën’. Në vitin 1915, ndërtuesit e mjeteve ajrore kishin prodhuar një mitraloz që vendosej në ballë të aeroplanit dhe ishte i sinkronizuar të gjuante midis fletëve të helikës. Aeroplanët luftarakë shpejt u pasuan nga bombardues që u bënë më të mëdhenj e më të fuqishëm në Luftën II Botërore. Më 6 gusht 1945, një bombardues i rëndë B-29 Superfortress hodhi bombën e parë atomike të përdorur në luftë dhe rrafshoi qytetin japonez të Hiroshimës. Si përfundim u shuajtën 100.000 jetë.

Vetëm dy vjet para kësaj, më 1943, Orvil Rajti kishte thënë privatisht se i vinte keq që ishte shpikur aeroplani. Ai tha se në rrjedhën e dy luftërave botërore, aeroplani ishte bërë vërtet një armë e tmerrshme. Që prej asaj kohe, prodhimi i predhave me lazer dhe të ashtuquajturat bomba inteligjente ose të programuara, e kanë shtuar fuqinë e tij vrasëse, ndërkohë që ‘është ngritur komb kundër kombi’.—Mateu 24:7.

[Figurat në faqet 22, 23]

1. Balonë bombambajtëse pa pilot

2. Balonë që përdorej si barrierë

[Burimi]

Biblioteka e Kongresit, Sektori i shtypit dhe i fotografive, FSA/OWI Collection, LC-USE6-D-004722

3. B-29 Superfortress

[Burimi]

Fotografi nga USAF

4. Aeroplan-bombardues F/A-18C Hornet

5. Gjuajtës nate F-117A Nighthawk

[Burimi]

Ministria Amerikane e Mbrojtjes