Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta shmang pornografinë?

Si ta shmang pornografinë?

Të rinjtë pyesin . . .

Si ta shmang pornografinë?

«Në shkollë, një djalë kishte ngjitur brenda dollapit të vet fotografinë e një vajze të zhveshur. Dollapin e kishte afër timit.»​—Roberti. *

«Po bëja kërkime në Internet për një detyrë shkolle kur befas më del një sit pornografik.»​—Anja.

NË KOHËN e prindërve të tu, kush donte të shihte pornografi duhej të kërkonte ca, pa ta gjente. Sot s’ke pse lodhesh se pornografia vjen e të gjen vetë. Ashtu si Roberti, ndoshta edhe ty të kanë shkuar sytë pa dashje te ndonjë pamje pornografike që mbante një shok shkolle. Ose, ashtu si Anjës, mund të të ketë dalë papritur në Internet. Një vajzë 19-vjeçare thotë: «Ndonjëherë, kërkoj ose dua të blej diçka në Internet, ose thjesht dua të kontrolloj për veprimet bankare kur fap më del ndonjë pamje pornografike.» *

Kjo nuk është aspak e pazakontë. Gjatë një studimi, 90 për qind e të anketuarve të moshës nga 8 deri në 16 vjeç thanë se u kishin dalë befas në Internet pamje pornografike, në shumicën e rasteve teksa po bënin kërkime për detyrat e shtëpisë. Ç’është e vërteta, me gjithë këto miliona site Interneti që kanë me qindra milionë faqe me përmbajtje të hapur seksuale, pornografia është më e përhapur se kurrë. Atë mund ta shohësh edhe në celular. «Në shkollën time është bërë si modë,—thotë Denisa 16-vjeçare.—Të hënave, të gjitha bisedat rrotullohen po aty: ‘Çfarë fotosh ke shkarkuar në celular në fundjavë?’»

Meqë kaq shumë njerëz shohin pornografi, ndoshta pyet veten: ‘A është vërtet kaq e keqe pornografia?’ Përgjigjja është po dhe ka disa arsye. Le të shohim vetëm tri prej tyre:

Pornografia degjeneron si ata që e realizojnë, ashtu edhe ata që e shohin.​—1 Selanikasve 4:3-5.

▪ Interesi për pornografinë pasqyron fiksimin pas seksit që kishin frymërat e liga në kohën e Noesë.​—Zanafilla 6:2; Juda 6, 7.

Të shohësh pornografi, shpesh është një hap që çon drejt mëkateve seksuale.​—Jakovi 1:14, 15.

Pornografia lë pasoja shkatërrimtare tek ata që bien në kurthin e saj. Ja vetëm dy shembuj:

«Shihja pornografi që kur isha e vogël dhe m’u desh të bëja vërtet një luftë me veten që ta hiqja këtë ves. Edhe pse kanë kaluar vite, ato pamje nuk më shqiten nga kujtesa. Duket sikur dalin herë pas here nga skutat e mendjes dhe kurrë nuk e ke ndërgjegjen krejt të pastër. Pornografia të shkatërron respektin për veten dhe mund të të bëjë të ndihesh e ndyrë dhe pa pikë vlere. Gjithnjë mban një barrë që të mundon në heshtje.»—Era.

«Për 10 vjet isha skllav i pornografisë, dhe ka 14 vjet që kam shpëtuar prej saj. Megjithatë, edhe sot luftoj çdo ditë me veten. Ndonëse tani dëshira s’është më aq e fortë, prapëseprapë mbetet. Kuriozitetin e kam ende. Edhe pamjet më kanë mbetur. Ah sikur të mos i isha futur kurrë kësaj rruge të fëlliqur! Në fillim dukej fare e padëmshme. Por tani e di që s’është aspak ashtu. Pornografia është e dëmshme, perverse dhe i poshtëron të gjithë ata që përfshihen. Pavarësisht nga ato që thonë përkrahësit e saj, pornografia nuk ka asgjë, absolutisht asgjë të mirë!»—Niku.

Si ta shqyrtosh situatën

Si ta shmangësh pornografinë, qoftë edhe atëherë kur të shfaqet befas? Së pari, shqyrto situatën.

Sa shpesh ndodh të hasësh pornografi rastësisht?

Kurrë Ndonjëherë

Çdo javë Çdo ditë

Ku e has më shpesh?

Në Internet Në shkollë

Në televizor Raste të tjera

A ka rrethana të caktuara që rrezikon më shumë?

Mendo për këto raste:

A e kanë zakon disa nga shokët e shkollës të dërgojnë pornografi me anë të postës elektronike ose celularit? Duke e ditur këtë, mund t’i fshish këto mesazhe pa i hapur fare.

Kur je në Internet, a të shfaqen pamje a mesazhe pornografike nëse shtyp fjalë të caktuara për kërkime? Duke e ditur që mund të ndodhë kjo, do të përdorësh fjalë më specifike kur të kërkosh në Internet.

Më poshtë, rendit situatat në të cilat ke hasur materiale pornografike.

․․․․․

Duke pasur parasysh sa më sipër, si mund t’i rrallosh rastet kur pa dashje ndesh pornografi? (Shkruaje atë që mendon.)

․․․․․

Çfarë bën kur të shfaqen materiale pornografike?

E shmang menjëherë

Kurioziteti më shtyn t’i hedh një sy

Nuk i heq sytë, madje kërkoj të shoh më shumë

Nëse ke zgjedhur përgjigjen e dytë a të tretë, çfarë synimi mund të vësh?

․․․․․

Si ta heqësh këtë ves

Disa që ndeshin rastësisht materiale pornografike, bëhen kuriozë dhe, me kalimin e kohës, u kthehet në ves të shohin pornografi. Nuk është e lehtë ta heqësh këtë ves. Niku, që përmendëm më sipër, thotë: «Para se të studioja Biblën, i kam provuar pothuajse të gjitha drogat më të njohura. Por të çlirohesha nga skllavëria e pornografisë, ishte më e vështirë se të çlirohesha nga çdo lloj droge.»

Nëse pornografia të është bërë ves, mos i humb shpresat. Mund të gjesh ndihmë. Si?

Kupto çfarë është në të vërtetë pornografia. S’është gjë tjetër veçse një orvatje e Satanait për të degjeneruar diçka që Jehovai e krijoi për të qenë e nderuar. Po ta mendosh kështu, do ta kesh më të lehtë ‘të urresh të keqen’.​—Psalmi 97:10.

Mendo për pasojat. Pornografia shkatërron martesën. Poshtëron gratë dhe burrat. Degjeneron atë që e sheh. Bibla ka arsye të fortë kur thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Më poshtë shkruaj ndonjë pasojë të rëndë që mund të kesh nëse do ta bëje zakon të shihje pornografi.

․․․․․

Merr një zotim. «Kam bërë një premtim solemn që kurrë të mos shoh me epsh një vajzë»,—tha Jobi, një burrë besnik. (Jobi 31:1, Today’s English Version) Më poshtë janë renditur disa ‘premtime solemne’ që mund t’i bësh vetes:

Nuk do ta përdor Internetin kur të jem vetëm në dhomë.

Do të heq menjëherë çdo pamje pornografike dhe do të mbyll çdo mesazh a sit të tillë që më del rastësisht.

Do të flas me një mik të pjekur nëse ndodh që t’i dorëzohem prapë këtij vesi.

A mendon për një ose dy vendime të tjera që mund të të ndihmojnë në luftën për të shmangur pornografinë? Nëse po, shkruaji më poshtë.

․․․․․

Lutu për çështjen. Psalmisti iu lut Jehovait: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.» (Psalmi 119:37) Vërtet, mund të jetë e vështirë t’i rezistosh diçkaje që është joshëse për mishin mëkatar. Por Perëndia Jehova dëshiron që ti t’ia dalësh mbanë dhe mund të të japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ për të bërë atë që është e drejtë.—2 Korintasve 4:7.

Fol me dikë. Të vjen zor? Ka shumë mundësi që po. Megjithatë, mendo sa i lehtësuar do të ndihesh kur ta heqësh këtë barrë. Po t’i hapesh dikujt, ai mund të «të bëhet vëlla në ditë të vështira». (Proverbat 17:17) Shpesh gjetja e një miku të besueshëm është një hap i rëndësishëm për t’u çliruar nga ky ves.

Nëse të është bërë ves të shohësh pornografi, shkruaj emrin e një personi të pjekur me të cilin ndihesh rehat të flasësh për këtë problem.

․․․․․

Ji i sigurt se mund ta mposhtësh këtë ves. Sa herë që e shmang pornografinë, ke arritur një fitore të rëndësishme. Fol me Jehovain për këtë fitore dhe falënderoje për forcën që të dha. Kurrë mos harro se, kur shmang murtajën e pornografisë, ia gëzon zemrën Jehovait.​—Proverbat 27:11.

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 5 Termi pornografi tregon materiale me përmbajtje të hapur seksuale, që kanë si qëllim të eksitojnë shikuesin, lexuesin ose dëgjuesin. Këtu përfshihen si pamjet, ashtu edhe materialet e shkruara ose që dëgjohen.

PËR TË MENDUAR

▪ Në ç’mënyrë pornografia degjeneron diçka që është e nderuar?

▪ Ç’masa praktike mund të marrësh për t’u mbrojtur nga pornografia?

▪ Si do ta ndihmoje motrën ose vëllanë nëse ka një problem me pornografinë?

[Figura në faqet 12, 13]

A e kanë zakon disa nga shokët e shkollës të dërgojnë pornografi me anë të postës elektronike ose celularit?