Vdekja—Armike e përhershme?
Vdekja—Armike e përhershme?
NDOSHTA asnjë pyetje nuk ka qenë kaq e vështirë dhe nuk ka mbetur për kaq shumë kohë e pazgjidhur, sesa pyetja çfarë ndodh kur vdesim. Për mijëra vjet, mendjet e ndritura të çdo qytetërimi janë munduar shumë për këtë pyetje. Por filozofia njerëzore dhe studimet shkencore vetëm sa kanë prodhuar një lëmsh me teori e mite.
Po Biblën, a ia vlen ta shqyrtojmë se ç’thotë për këtë temë? Disa thonë se Bibla vetëm sa krijon pështjellim në lidhje me temat e vdekjes dhe të jetës së përtejme. Por, sinqerisht, duhet ta pranojmë se për këtë pështjellim fajin e kanë fetë e shumta që i turbullojnë me gënjeshtra dhe legjenda ujërat e kulluara të mësimeve të Biblës. Nëse i lini mënjanë traditat e mitet dhe shqyrtoni vetë se ç’thotë në të vërtetë Bibla, do të zbuloni se ajo mëson diçka që ka kuptim dhe jep shpresë.
Ku ishit para se të vinit në jetë?
A kujtoni dy thëniet e mbretit Solomon që përmendëm në artikullin e mëparshëm? Ato e bëjnë të qartë se të vdekurit—si njerëzit, si kafshët—nuk janë të vetëdijshëm për asgjë. Pra, sipas Biblës, kur njeriu vdes, nuk bën më asgjë, nuk reagon, nuk provon asnjë ndjenjë dhe nuk ka asnjë mendim.—Eklisiastiu 9:5, 6, 10.
A ju duket e vështirë për ta besuar? Pa mendoni: në ç’gjendje është njeriu para se të vijë në jetë? Ku ishit para se qelizat e vockla nga prindërit tuaj të bashkoheshin dhe të formonin njeriun që jeni tani? Nëse njerëzit kanë diçka të padukshme që vazhdon të jetojë pas vdekjes, ku ishte ajo para ngjizjes? E vërteta është se më parë nuk ndodheshit asgjëkundi. Para se të ngjizeshit, nuk ekzistonit. Kaq e thjeshtë është përgjigjja.
Kështu, është e logjikshme të nxjerrim përfundimin se, kur njeriu vdes, nuk është më i vetëdijshëm, pikërisht siç nuk ishte para se të vinte në jetë. Është ashtu si i tha Perëndia Adamit kur nuk iu bind: «Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Në këtë kuptim, njerëzit nuk janë ndryshe nga kafshët. Gjendja e të vdekurve është pikërisht siç thotë Bibla: «Njeriu s’ka asnjë epërsi mbi kafshët.»—Eklisiastiu 3:19, 20.
A do të thotë kjo se njeriu jeton vetëm disa dhjetëvjeçarë e më pas përfundon përgjithmonë në asgjë? Apo ka ndonjë shpresë për të vdekurit? Shqyrtoni ç’thuhet më poshtë.
Një dëshirë e lindur për të jetuar
Pothuajse të gjithë njerëzve nuk u pëlqen të flasin për vdekjen, sidomos kur bëhet fjalë për vdekjen e tyre. Madje as duan të mendojnë për të. Por, në anën tjetër, ata bombardohen nga skenat në televizor dhe në kinema të cilat përshkruajnë njerëz që vdesin në lloj-lloj mënyrash, si edhe nga lajme e pamje të vdekjeve reale që paraqiten nga media.
Si pasojë, vdekja e të panjohurve mund të mos na bëjë ndonjë përshtypje. Por, kur bëhet fjalë për vdekjen e një njeriu të afërt ose për vdekjen tonë, nuk është aspak kështu. Dhe kjo sepse njerëzit kanë të rrënjosur dëshirën e natyrshme për të jetuar. Gjithashtu, ne arrijmë të konceptojmë rrjedhën e kohës dhe përjetësinë. Mbreti Solomon shkroi se Perëndia «ka vënë edhe përjetësinë në zemrën» e njerëzve. (Eklisiastiu 3:11) Në kushte normale ne duam të vazhdojmë të jetojmë pafundësisht. Nuk ka asnjë provë se kafshët kanë një dëshirë të tillë. Ato nuk janë të vetëdijshme për të ardhmen.
Kapaciteti i pafund i njeriut
Njerëzit jo vetëm që dëshirojnë të jetojnë përgjithmonë, por edhe kanë kapacitetin për të qenë gjithnjë aktivë dhe krijues. Duket se aftësia e njeriut për të mësuar është e pakufishme. Është thënë se, për sa i përket strukturës së ndërlikuar dhe aftësisë ripërtëritëse, asgjë në natyrë nuk krahasohet me trurin e njeriut. Ndryshe nga kafshët, ne kemi mendje krijuese që është e aftë të arsyetojë dhe të kuptojë konceptet abstrakte. Shkencëtarët kanë zbuluar vetëm majën e ajsbergut për sa i përket kuptueshmërisë për kapacitetin e trurit njerëzor.
Pjesa më e madhe e këtij kapaciteti mbetet edhe nëse plakemi. Shkencëtarët neurologë kohët e fundit kanë mësuar se shumica e funksioneve të trurit nuk dëmtohet nga procesi i plakjes. Studiuesit e Qendrës së Institutit Frenklin për Risitë në Studimet Shkencore shpjegojnë: «Truri njerëzor është i aftë që të vazhdojë të përshtatet e të krijojë lidhje të reja nervore. Madje edhe në moshë të thyer, ai mund të zhvillojë neurone. Dobësimi i rëndë i aftësive mendore zakonisht shkaktohet nga sëmundjet. Kurse humbja e kujtesës ose e aftësive për koordinimin e lëvizjeve, për shkak të plakjes, zakonisht vjen nga mungesa e lëvizjeve, ushtrimeve mendore dhe stimulimit.»
Me fjalë të tjera, nëse truri do të stimulohej vazhdimisht nga ana intelektuale dhe nuk do të sëmurej, mund të vazhdonte të punonte pafundësisht. Një nga zbuluesit e strukturës fizike të ADN-së, studiuesi në biologjinë molekulare Xhejms Uotson, thotë: «Truri është gjëja më e ndërlikuar që kemi zbuluar në univers.» Në një libër të tij, shkencëtari neurolog Xherald Edëllmen shpjegon se një pjesë e trurit sa koka e shkrepëses «përmban rreth një miliard lidhje që mund të kombinohen në mënyra të pallogaritshme—dhjetë me miliona zero pas».
A duket e logjikshme që, megjithëse kanë këtë potencial, njerëzit jetojnë vetëm pak dhjetëvjeçarë? Kjo duket po kaq e paarsyeshme sa të përdorësh një tren të gjatë mallrash me një lokomotivë të fuqishme, për të transportuar vetëm disa centimetra një kokrrizë rëre! Pse, atëherë, njeriu ka një kapacitet të tillë të pafund për të krijuar dhe për të mësuar? Mos vallë ngaqë njerëzit, ndryshe nga
kafshët, nuk duhet të vdesin—domethënë, u krijuan për të jetuar përgjithmonë?Shpresë nga Krijuesi
Fakti që kemi një dëshirë të lindur për të jetuar dhe një kapacitet të pafund për të mësuar, çon në një përfundim të logjikshëm: njerëzit janë krijuar për të jetuar shumë më tepër se 70 ose 80 vjet. Kjo çon në një përfundim tjetër: duhet të ketë një Krijues, një Perëndi. Ligjet e pandryshueshme të universit fizik dhe format tejet të ndërlikuara të jetës në tokë e mbështetin plotësisht besimin tek ekzistenca e një Krijuesi.
Por, në qoftë se Perëndia na krijoi me mundësinë për të jetuar përgjithmonë, pse vdesim atëherë? Ç’ndodh pas vdekjes? A ka si qëllim Perëndia t’i sjellë të vdekurit në jetë? Do të ishte e logjikshme që një Perëndi i mençur e i fuqishëm të na jepte përgjigjet e këtyre pyetjeve, dhe në fakt kështu ka bërë. Shqyrtoni sa vijon.
▪ Vdekja nuk përfshihej në qëllimin që kishte Perëndia për njerëzimin. Rasti i parë në Bibël kur përmendet vdekja tregon se Perëndia nuk kishte si qëllim që njerëzit të vdisnin. Tregimi biblik i Zanafillës shpjegon se Perëndia i dha një provë të thjeshtë çiftit të parë njerëzor, Adamit dhe Evës, që t’u jepte mundësinë të tregonin dashurinë dhe besnikërinë e tyre. Iu ndalua të hanin nga një pemë e veçantë. Perëndia tha: «Ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:17) Adami dhe Eva do të vdisnin vetëm nëse do të rebeloheshin, e kështu nuk do ta kalonin provën. Tregimi biblik zbulon se ata nuk u treguan besnikë ndaj Perëndisë, prandaj vdiqën. Në këtë mënyrë në familjen njerëzore hynë papërsosmëria dhe vdekja.
▪ Bibla e krahason vdekjen me gjumin. Në Bibël thuhet se njeriu mund ‘të bjerë në gjumin e vdekjes’. (Psalmi 13:3) Para se të ringjallte mikun e tij Lazarin, Jezui u shpjegoi apostujve: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj nga gjumi.» Jezui bëri pikërisht këtë! Bibla thotë se, kur ai thirri, «[Lazari] që kishte qenë i vdekur, doli» i gjallë nga «varri»!—Gjoni 11:11, 38-44.
Pse Jezui e krahason vdekjen me gjumin? Sepse dikush që fle, nuk bën asgjë. Gjatë gjumit të thellë, njeriu nuk është i vetëdijshëm se ç’ndodh përreth tij ose për rrjedhën e kohës. Ai nuk ndien dhembje ose vuajtje. Po kështu, kur njeriu vdes, nuk bën më asgjë dhe nuk është i vetëdijshëm për asgjë. Por nuk mbaron me kaq. Kur dikush fle, pritet të zgjohet. Pikërisht kjo është shpresa që jep Bibla për të vdekurit.
Vetë Krijuesi premton: «Nga dora e Sheolit [varri i përbashkët i njerëzimit] do t’i shpengoj, nga vdekja do t’i rimëkëmb. Ku janë thumbat e tu, o Vdekje? Ku është fuqia jote shkatërruese, o Sheol?» (Hozea 13:14) Një profeci tjetër biblike thotë se Perëndia «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë». (Isaia 25:8) Ky veprim, pra, kthimi i të vdekurve në jetë, quhet ringjallje.
▪ Ku do të ringjallen të vdekurit? Siç e trajtuam më sipër, njeriu ka një dëshirë të natyrshme për të jetuar gjithnjë. Ku dëshironi të jetoni përgjithmonë? A do të kënaqeni po të dini se pas vdekjes mund të vazhdoni të jetoni si pjesë e një force abstrakte në univers, siç mësojnë disa fe? A do të doni të vazhdoni ekzistencën tuaj si një person krejt i ndryshëm, pa kujtuar asgjë se cilët ishit para se të vdisnit? A ju tërheq ideja që të riktheheni në jetë si një kafshë ose pemë? Po t’ju jepej mundësia të zgjidhnit, a do të doni të jetoni në një botë pa gëzimet e jetës në tokë?
Në kushte ideale, a nuk do të doni të jetoni në një tokë parajsore? Pikërisht kjo është shpresa që paraqitet në Bibël, të jetojmë përgjithmonë këtu në tokë. Perëndia e krijoi tokën për këtë qëllim—të banohet nga ata që e duan Atë dhe i shërbejnë përgjithmonë të lumtur. Ja pse Bibla thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29; Isaia 45:18; 65:21-24.
▪ Kur do të ndodhë ringjallja? Fakti që vdekja krahasohet me gjumin, tregon se zakonisht ringjallja nuk ndodh menjëherë pas vdekjes. Kalon një periudhë ‘gjumi’ nga vdekja deri në ringjallje. Jobi, një njeri që përmendet në Bibël, pyeti: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» Më pas u përgjigj: «Do të prisja [në varr] . . . derisa të më vinte lehtësimi. Ti Jobi 14:14, 15) Ç’gëzim do të jetë kur të vijë ajo kohë dhe të vdekurit të bashkohen përsëri me të afërmit e tyre!
[o Perëndi] do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha.» (Nuk duhet të kemi një frikë të sëmurë
Patjetër, shpresa që jep Bibla nuk e heq medoemos të gjithë frikën për vdekjen. Është e natyrshme të keni frikë nga dhembja dhe të jeni në ankth përballë vdekjes. Me të drejtë mund të keni frikë se mos ju vdes një njeri i dashur. Po ashtu është normale të keni frikë nga pasojat e trishtueshme që mund të sjellë vdekja juaj te njerëzit më të afërt.
Megjithatë, duke zbuluar gjendjen e vërtetë të të vdekurve, Bibla na ndihmon të largojmë nga mendja çdo frikë të sëmurë për vdekjen. Mos kini frikë, sepse nuk do t’ju torturojnë demonët në një ferr të zjarrtë në një jetë të përtejme. Mos kini frikë, sepse nuk ka shpirtra që enden përgjithmonë pa gjetur prehje në një botë të përtejme e të errët. Dhe mos kini frikë, sepse nuk është e vërtetë se e ardhmja e vetme e njeriut është që një ditë të mos ekzistojë më. Pse? Sepse Perëndia ka një kujtesë të pakufishme dhe premton se do t’i sjellë përsëri në jetë këtu në tokë të gjithë të vdekurit që janë në kujtesën e tij. Bibla na garanton: «Perëndia i vërtetë është për ne Perëndia i veprave të shpëtimit; Jehovait, Zotërisë Sovran, i përkasin rrugët për t’i shpëtuar vdekjes.»—Psalmi 68:20.
[Diçitura në faqen 5]
«Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.»—Zanafilla 3:19
[Diçitura në faqen 6]
«[Perëndia] ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e [njerëzve].»—Eklisiastiu 3:11
[Kutia dhe figura në faqen 8]
PËRGJIGJE PËR PYETJET RRETH VDEKJES
Sigurisht, ka pyetje për vdekjen dhe ringjalljen që nuk trajtohen në këta artikuj. Shumë veta kanë gjetur përgjigje të kënaqshme për to duke shqyrtuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ju inkurajojmë ta bëni edhe ju këtë. Më poshtë renditen vetëm disa pyetje për të cilat do të merrni përgjigje.
▪ Çfarë do të thonë termat biblikë «ferr» dhe «liqeni i zjarrit»?
▪ Nëse nuk ka një ferr të zjarrtë, si ndëshkohen njerëzit e këqij?
▪ Sipas Biblës fryma del nga trupi pas vdekjes. Çfarë është kjo frymë?
▪ Pse dëgjojmë kaq shumë raste për njerëz që kanë komunikuar me të vdekurit?
▪ Ç’do të thotë fjala «shpirt» në Bibël?
▪ Kur do të ndodhë ringjallja në një tokë parajsore?
▪ A do të ringjallen të gjithë të vdekurit, pavarësisht se çfarë kanë bërë kur ishin në jetë?
Ju lutemi, shihni faqen e fundit të kësaj reviste për të ditur si të merrni një përgjigje të qartë e të bazuar në Bibël për secilën nga këto pyetje.
[Figura në faqen 7]
Jezui tha se ‘do ta zgjonte nga gjumi Lazarin’
[Figura në faqet 8, 9]
Përfytyroni lumturinë që do të përjetojmë kur të ringjallen të vdekurit!