Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ «Aktualisht, Rusia ka në territorin e vet rreth 2 miliardë tonelata me mbeturina toksike, dhe nuk ka ndonjë mënyrë të efektshme për t’i eliminuar.»—RIA NOVOSTI, RUSI.
▪ Shekulli i 21-të ka parë rilindjen e piraterisë detare. Për shembull, në vitin 2007 «pati 263 sulme pirate të mirëfillta dhe të mbetura në tentativë».—THE WALL STREET JOURNAL, SHBA.
Alkooli gjatë shtatzënisë
Sipas gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung, çdo vit në Gjermani rreth 10.000 foshnja lindin me defekte të lidhura me alkoolin. Rreth 4.000 prej këtyre foshnjave mbeten të gjymtuara rëndë për gjithë jetën. Sabina Becingu, komisionere e departamentit të barnave, thotë: «S’ka një kufi të përcaktuar se sa alkool mund të pish gjatë shtatzënisë pa rrezikuar. Duhet t’ua bëjmë më të qartë mjekëve, mamive dhe grave shtatzëna se qoftë edhe një gotë tek-tuk [nga një grua shtatzënë] mund ta dëmtojë mendërisht e fizikisht fëmijën ose t’i shkaktojë probleme me sjelljen.»
Kopshtaria të bën mirë për shëndetin
«Kërkuesit po zbulojnë se të rritësh vetë perime, sado pak, të bën më mirë për shëndetin se ç’mendohej më parë»,—thotë revista Psychology Today. Kërkimet treguan se kur «disa lloje mykobakteresh të dheut» gëlltiten ose thithen, «e përmirësojnë ndjeshëm sistemin imunitar të njeriut». Kështu, sipas revistës, «gjithnjë e më shumë po mendohet se gëlltitja e përbërësve të vetë dheut mund të jetë po aq e rëndësishme për shëndetin e njeriut, sa edhe frutat e perimet më të mira që rriten në të».
Rekordi i fluturimit pa ndalesa
Shkencëtarët në Institutin e Studimeve Gjeologjike të SHBA-së, kanë raportuar «fluturimin më të gjatë pa ndalesa të dokumentuar për një shpend tokësor». Disa gjelëza të llojit Limosa lapponica u gjurmuan me satelit ndërsa bënin fluturimin vjetor të shtegtimit mbi Oqeanin Paqësor. Një zog femër bëri një fluturim tetëditor prej 11.650 kilometrash pa ndalesa nga Alaska në Zelandën e Re. Në kohën kur mbërriti, kishte «humbur gjysmën e peshës së saj prej 700 gramësh»,—thotë revista The Week. Në udhëtimin e kthimit, këto gjelëza fluturojnë nga Zelanda e Re në Kinë e pastaj prapë në Alaskë. I gjithë udhëtimi vajtje-ardhje është 29.000 kilometra. Instituti i Kërkimeve Gjeologjike thotë: «Në qoftë se itinerari mesatar vjetor i fluturimit është 29.000 kilometra, atëherë gjatë gjithë jetës së vet një gjelëz e rritur do të fluturonte rreth 436.000 kilometra.»
Në gjurmët e hajdutëve të kaktuseve
Parku Kombëtar i Saguaros në Arizonë të SHBA-së po humbet disa nga kaktuset e tij tipike, për shkak të hajdutëve. «Të gjithë duan të kenë në kopshtin e tyre nga një saguaro»,—thotë Xhim Mekginësi, nga zyra e hetimeve të veçanta në Ministrinë e Bujqësisë të Arizonës. Prandaj, s’është e pazakontë të shohësh në shkretëtirë një makinë që ka përsipër një kaktus. Në përgjithësi hajdutët ua vënë syrin kaktuseve me gjatësi një deri në dy metra, sepse prej tyre mund të nxjerrin një mijë dollarë a më tepër. Për të luftuar vjedhjen, zyrtarët po planifikojnë të futin në kaktuse mikroqarqe. Më vonë, me skanera dore mund të zbulohet cilët kaktuse që janë në shitje nëpër serra ose në firmat e zbukurimit të ambientit, ishin vjedhur nga parku kombëtar.