Sekreti 3: Bashkëpunimi si skuadër
Sekreti 3: Bashkëpunimi si skuadër
«Dy janë më mirë se një. . . . Në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun.»—Eklisiastiu 4:9, 10.
Çfarë do të thotë? Çiftet e lumtura e respektojnë parimin e kryesisë që jep Perëndia në Bibël. (Efesianëve 5:22-24) Sidoqoftë, si burri, ashtu edhe gruaja, e shohin martesën si një skuadër dhe mënyra e të menduarit nuk është «unë» dhe «imja», por «ne» dhe «tonat». Kur bashkëpunojnë, burri dhe gruaja nuk janë më beqarë në zemër. Ata janë «një mish i vetëm», një shprehje biblike që nuk tregon vetëm se martesa është bashkim i përhershëm, por edhe sa e ngushtë është kjo lidhje.—Zanafilla 2:24.
Pse ka rëndësi? Nëse ti dhe bashkëshortja nuk jeni një skuadër, çikërrimat mund të kthehen shpejt në probleme serioze ngaqë të dy sulmoni njëri-tjetrin, në vend që të përqendroheni te zgjidhja e problemit. Ndryshe nga kjo, kur bashkëpunoni, ngjani si piloti dhe ndihmëspiloti i të njëjtit avion dhe jo si dy pilotë në dy avionë që rrezikojnë të përplasen. Kur keni mosmarrëveshje, vritni mendjen që të gjeni zgjidhjen e jo të harxhoni kohën dhe energjinë duke fajësuar e akuzuar njëri-tjetrin.
Bëj këtë provë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme, kupto sa bashkëpunues je.
▪ A mendoj për paratë që fitoj se janë «prona ime» meqë i kam fituar vetë?
▪ A i shmang të afërmit e bashkëshortes ndonëse ajo është e lidhur ngushtë me ta?
▪ A kam nevojë të jem larg bashkëshortes që të çlodhem tërësisht?
Merr një vendim. Mendo për një ose dy mënyra si të bashkëpunosh më shumë me bashkëshorten.
Po sikur t’i kërkosh bashkëshortes ndonjë sugjerim?
[Figura në faqen 5]
Bashkëpunimi nënkupton se ju jeni piloti dhe ndihmëspiloti i të njëjtit avion