Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë të vesh?

Çfarë të vesh?

Të rinjtë pyesin

Çfarë të vesh?

Edra është gati të dalë dhe prindërit s’u besojnë syve.

Kështu do të dalësh?—kërcen babai.

—Ç’të keqe ka,—i përgjigjet Edrës, gjoja e habitur.—Po shkoj me shoqet në supermarket.

—Jo me ato rroba!—thotë e ëma.

—O mami, po gjithë mosha ime kështu vishen,—qahet Edra,—pastaj, ky stil më shkon për tip!

—Po neve tamam ajo që tregon stili nuk na pëlqen!—ia kthen prerë i ati.—Hajde vajzë e mbarë, shko ndërrohu, përndryshe s’ke për të dalë gjëkundi!»

GRINDJET për veshjen nuk lindën sot. * Ndoshta edhe prindërit e tu kanë bërë fjalë me prindërit e tyre kur ishin në moshën tënde. Në atë kohë me siguri janë ndier siç ndihesh ti sot. Por tani rolet kanë ndryshuar dhe herë pas here në shtëpi plas lufta për punën e veshjes sate.

Ti thua: Jam rehat.

Ata thonë: Dukesh shkatarraqe.

Ti thua: Është yll fare.

Ata thonë: Është tepër provokuese.

Ti thua: Është me gjysmë çmimi.

Ata thonë: Ta pret mendja. . . . Je gjysmë e zhveshur.

A ka ndonjë mënyrë të shpallni armëpushim? Po. Megani, që tani është 23 vjeçe, e ka gjetur sekretin. Ajo thotë: «S’ka pse të ziheni, merruni vesh.» Të merremi vesh?! A do të thotë se duhet të vishesh si 40-vjeçare? Mos ki merak! Të merreni vesh do të thotë që ti dhe prindërit të bisedoni për gjërat që nuk jeni dakord e të gjeni variante të tjera që, si ata, edhe ti, të mbeteni të kënaqur. Pse ia vlen?

1. Do të dukesh si s’ka më mirë, edhe në sy të shokëve.

2. Ka më pak të ngjarë që prindërit të të qortojnë për veshjen.

3. Kur të shohin se po tregohesh e përgjegjshme për veshjen, prindërit mund të të lënë më të lirë edhe për gjëra të tjera.

Pra, le t’i futemi punës. Mendo për ndonjë veshje që ke parë në Internet ose në dyqan dhe dëshiron ta blesh «patjetër». Gjëja e parë që duhet të bësh është:

Shqyrto parimet biblike

Çuditërisht Bibla flet pak për veshjen. Mjaftojnë pak minuta që t’i lexosh të gjitha këshillat biblike që flasin për të. Megjithatë në këto minuta do të gjesh udhëzime të besueshme dhe me vlerë. Për shembull:

▪ Bibla i këshillon gratë të stolisen «me modesti dhe mendje të shëndoshë».—1 Timoteut 2:9, 10.

Fjala «modesti» mund të të trembë. Mund të pyesësh veten: «Mos duhet të vishem si gjyshe?» Aspak! Në këtë kontekst modestia nënkupton që rrobat e tua të tregojnë se ke respekt për veten dhe për ndjenjat e të tjerëve. (2 Korintasve 6:3) Ka lloj-lloj rrobash që janë brenda këtij standardi. Daniela 23-vjeçare thotë: «Mbase është e vështirë, por veshja jote mund të jetë e kohës pa qenë e ekzagjeruar.»

▪ Bibla thotë se, kur flitet për paraqitjen, duhet të përqendrohesh te «njeriu i fshehtë i zemrës» ose ndryshe tek «ajo si je përbrenda».—1 Pjetrit 3:4.

Një veshje jomodeste, për momentin mund të bëjë që njerëzit të kthejnë kokën, por është bukuria e brendshme ajo që do të fitojë respektin jetëgjatë të të rriturve dhe të moshatarëve të tu. Si vallë edhe të moshatarëve? Po. Edhe ata mund të kuptojnë se ç’marrëzi është të kesh rroba me stil të ekzagjeruar. «Të pështiroset kur sheh se si gratë u thonë burrave ‘ja ku më ke’ me atë që veshin»,—thotë Britania 16-vjeçare. Edhe Kei është dakord. Ajo thotë për një shoqe që ka pasur përpara: «Çdo gjë që vishte sikur kishte të shkruar gjithandej ‘më shihni mua’. Ajo dëshironte vëmendjen e djemve, prandaj vishte rrobat që binin më shumë në sy.»

Sugjerim për veshjen: Shmang stilet që tërheqin vëmendjen në aspektin seksual. Me to dukesh e përvëluar dhe e përqendruar te vetja. Gjithashtu, këto veshje të bëjnë një shënjestër për ngacmimet a më keq. Përkundrazi, veshja modeste të hijeshon dhe nxjerr në pah cilësitë e tua të mira.

Merr mendimin e prindërve

Të futësh në çantë një veshje jomodeste fshehtas prindërve dhe të ndërrohesh kur të shkosh në shkollë, nuk është mirë. Do ta fitosh më shumë besimin e prindërve, nëse nuk fshihesh dhe je e ndershme me ta, edhe për gjërat që mendon se mund t’i bësh pa e marrë vesh ata. Ç’është e vërteta, do të ishte mirë të kërkoje mendimin e tyre kur dëshiron të blesh a të veshësh diçka.—Proverbat 15:22

Përse do të ishte mirë të veproje kështu? A nuk është detyrë e prindërve të ndrydhin shijen tënde? Jo. Vërtet që mami dhe babi mund t’i shohin gjërat ndryshe, por nganjëherë pikërisht kjo të duhet. Natalina 17-vjeçare thotë: «I çmoj këshillat e prindërve, sepse nuk dua që, kur të dal nga shtëpia, veshja ime të më shëmtojë a të më ulë dhe as të më marrin nëpër gojë.»

Veç kësaj, le ta pranojmë se, për sa kohë prindërit janë përgjegjës për ty, je nën autoritetin e tyre. (Kolosianëve 3:20) Gjithsesi, kur kupton pikëpamjen e tyre dhe ata tënden, mbase do të habitesh se sa shpesh do të bini dakord. Si rrjedhojë, lufta për punën e veshjes më në fund mund të mbarojë.

Sugjerim për veshjen: Kur provon një veshje, mendo përtej asaj që sheh në pasqyrë. Një veshje që duket modeste ndoshta nuk është më e tillë kur ulesh ose përkulesh të marrësh diçka. Nëse është e mundur, merr mendimin e prindit a të një miku të pjekur.

[Shënimi]

^ par. 9 Ky artikull u drejtohet kryesisht vajzave, por parimet e trajtuara vlejnë për të dyja gjinitë. Shih kutinë  «Po djemtë?»

PËR TË MENDUAR

Mendo për një veshje që dëshiron ta blesh. Pyet veten:

▪ Çfarë «mesazhi» përcjell?

▪ Si mund të reagojnë njerëzit?

▪ A e dua atë reagim dhe pasojat e tij?

[Kutia dhe figurat në faqen 19]

Test për veshjen

Udhëzime: Kopjoje këtë faqe. Thuaju prindërve të plotësojnë kolonën e djathtë ndërsa ti të majtën. Pastaj shkëmbejini fletët me prindërit dhe diskutoni për përgjigjet. A ju ka habitur ndonjë përgjigje? Ç’gjë të re mësoi secili prej jush për pikëpamjen e tjetrit?

PËR TY

Mendo për një rrobë konkrete që dëshiron të veshësh ose të blesh.

▪ Pse të pëlqen? Renditi me numër faktorët e mëposhtëm sipas rëndësisë që kanë për ty.

․․․․․ E firmuar (firmato)

․․․․․ Joshëse për seksin tjetër

․․․․․ E pranueshme nga moshatarët

․․․․․ E rehatshme

․․․․․ Çmimi

․․․․․ Tjetër ․․․․․

▪ Me siguri reagimi i parë i prindërve do të jetë:

«Në asnjë mënyrë!»

«Ndoshta.»

«S’ka problem.»

▪ Arsyeja pse nuk pranojnë ka mjaft të ngjarë të jetë:

«Është tepër provokuese.»

«Dukesh shkatarraqe.»

«Është moderne e ekzagjeruar.»

«Na përfaqëson keq ne si prindër.»

«Është tepër e shtrenjtë.»

Tjetër ․․․․․

A MUND TË BASHKËPUNOJMË?

▪ Ç’të mirë ka pikëpamja e prindërve?

․․․․․

▪ A mund t’i bëhet diçka kësaj rrobe që të jetë e pranueshme?

․․․․․

PËR PRINDËRIT

Mendo për një rrobë konkrete që dëshiron të veshë ose të blejë fëmija yt adoleshent.

▪ Si mendon, pse i pëlqen kjo rrobë? Renditi me numër faktorët e mëposhtëm sipas asaj që ti mendon se ka më shumë rëndësi për të

․․․․․ E firmuar (firmato)

 ․․․․․ Joshëse për seksin tjetër

․․․․․ E pranueshme nga moshatarët

․․․․․ E rehatshme

․․․․․ Çmimi

․․․․․ Tjetër ․․․․․

▪ Reagimi im i parë është:

«Në asnjë mënyrë!»

«Ndoshta.»

«S’ka problem.»

▪ Arsyeja pse nuk pranoj:

«Është tepër provokuese.»

«Dukesh shkatarraqe.»

«Është moderne e ekzagjeruar.»

«Na përfaqëson keq ne si prindër.»

«Është tepër e shtrenjtë.»

Tjetër ․․․․․

A MUND TË BASHKËPUNOJMË?

▪ A është thjesht punë shijesh pse nuk jam dakord që fëmija ta veshë atë rrobë?

Po Mbase Jo

▪ A mund t’i bëhet diçka kësaj rrobe që të jetë e pranueshme? ․․․․․

VENDIMI

․․․․․

[Kutia dhe figurat në faqen 20]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«S’ka asgjë të keqe të kesh stil kur vishesh, për sa kohë që nuk bie ndesh me parimet biblike. Ka shumë veshje që janë të bukura e të pranueshme.»​—Deriku.

«Kur isha adoleshente, doja të isha e pavarur. Nuk më pëlqente të më thoshin çfarë të vishja. Me kohë ama kuptova se nuk po fitoja respektin që dëshiroja, derisa fillova të merrja parasysh mendimin e prindërve dhe më të rriturve.»​—Megani.

«Kur shoh vajzat me veshje provokuese, e humbas respektin për to. Por kur shoh njerëz me veshje modeste e të lezetshme, i them vetes: ‘Ashtu dua të dukem edhe unë para të tjerëve.’»​—Natalina.

[Kutia dhe figura në faqen 21]

PO DJEMTË?

Parimet biblike të trajtuara në këtë artikull vlejnë edhe për djemtë. Ji modest. Lejo që njeriu i fshehtë i zemrës, pra cilësitë e tua si je nga brenda, të shkëlqejnë. Kur mendon për një veshje pyet veten: «Çfarë do t’u thotë të tjerëve për mua? A e pasqyron tamam personalitetin tim mesazhi që u përcjell të tjerëve veshja?» Mbaj parasysh se veshja është një formë të shprehuri. Bëj kujdes që ajo të pasqyrojë vlerat në të cilat beson.

[Kutia në faqen 21]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Mendo sërish për situatën në hyrje të artikullit dhe imagjino sikur Edra të jetë vajza jote. S’ka si mos të të bjerë në sy veshja e saj ekspozuese. Ti reagon menjëherë dhe thua: «Hajde vajzë e mbarë, shko ndërrohu, përndryshe s’ke për të dalë gjëkundi!» Me këtë përgjigje ia arrin qëllimit, pasi vajza duhet të të bindet se s’bën. Por si t’ia bësh që të ndërrojë mendimin dhe jo thjesht rrobat?

▪ Së pari, ki parasysh se pasojat e veshjes jomodeste, me siguri, e shqetësojnë adoleshentin njësoj ose më shumë se ti. Brenda vetes fëmija nuk do që të bëhet për t’u tallur ose të tërheqë vëmendje të padëshirueshme. Me durim tregoji se stilet jomodeste nuk të tregojnë bukur. * Këshilloji variante të tjera veshjesh.

▪ Së dyti, «arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë». (Filipianëve 4:5) Pyet veten: «A shkel ndonjë parim biblik kjo veshje apo është thjesht çështje shijesh?» (2 Korintasve 1:24) Nëse është çështje shijesh, a mund ta lejosh fëmijën ta veshë?

▪ Së treti, adoleshentit mos i thuaj vetëm çfarë nuk është e pranueshme. Ndihmoje të gjejë rroba që janë të përshtatshme. Ia vlen barra qiranë, qoftë për kohën, qoftë për mundin.

[Shënimi]

^ par. 105 Adoleshenti me siguri e ka merak trupin, pra bëj shumë kujdes të mos i lësh të nënkuptojë se pamja e tij ka defekte.