Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Në Gjermani, gjatë një sondazhi me afro 2.000 veta, gati 40 për qind e adoleshentëve 14 deri 19-vjeçarë thanë se s’ka asgjë të keqe t’i japësh fund lidhjes me një mesazh ose e-mail. Ndërsa nga ata 50 vjeç e sipër, mbi 80 për qind thanë se kjo është gjë që s’bëhet.—FRANKFURTER NEUE PRESSE, GJERMANI
▪ Është llogaritur se gjatë vitit 2008 janë dërguar në mbarë botën 2.300 miliardë mesazhe në celular.—HITU NEWS, TAHITI.
▪ «Sa ia shkurton duhani jetën njeriut? Mesatarisht pesë deri në dhjetë vjet.»—UC BERKELEY WELLNESS LETTER, SHBA.
▪ Është llogaritur se deri në 60 për qind e kompjuterëve të zyrave lihen ndezur gjatë natës në SHBA. Për pasojë, centralet elektrike çdo vit lëshojnë kot rreth 14,4 milionë tonelata dyoksid karboni.—WORLD WATCH, SHBA.
Autobusët nxitin ateizmin
«Zor se ka Perëndi. Prandaj mos u shqetëso dhe gëzoje jetën.» Sipas gazetës The Guardian, ky slogan shfaqet në 200 autobusë në Londër, Angli; në 600 autobusë të tjerë anembanë vendit; dhe në dy ekrane gjigante në Rrugën Oksford të Londrës. Ideatorët thonë se fushata e tyre është kundërpërgjigje ndaj një reklame fetare që i dënon jobesimtarët me ferr. Shprehja «zor se» përdoret për t’u përshtatur me rregullat e Autoritetit Britanik për Normat e Reklamës, pasi është e pamundur të provohet se Perëndia nuk ekziston. Një nga objektivat e fushatës është të inkurajojë më shumë ateistë që të dalin hapur për bindjet e tyre.
Rreziqet e programimit të lindjes së parakohshme
Në Shtetet e Bashkuara, gjithnjë e më shumë foshnja po lindin para kohe me lindje të provokuar ose me operacion Cezarian, thjesht për lehtësi. Por, siç thotë gazeta The Wall Street Journal, «javët e fundit të shtatzënisë janë më të rëndësishme nga ç’mendohej më parë». Një studim me rreth 15.000 të sapolindur tregoi se, për çdo javë që foshnja rrinte në bark nga java e 32-të deri në javën e 39-të, ulej 23 për qind numri i rasteve me kriza si ato epileptike, verdhëz, probleme me frymëmarrjen dhe hemorragji në tru. Foshnjat e lindura nga java e 32-të deri në javën e 36-të rrezikonin më shumë të kishin probleme të lehta me sjelljen dhe aftësitë mendore. Prandaj, gazeta thotë se Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve këshillon që foshnjat të mos lindin «para javës së 39-të, përveç rasteve kur ka arsye mjekësore».
Ngjitja e shkallëve përmirëson shëndetin
«Të përdorësh rregullisht shkallët është një mënyrë e thjeshtë dhe praktike për të përmirësuar shëndetin»,—thotë buletini mjekësor britanik The Lancet. Studiuesit u kërkuan 69 punonjësve që punojnë ulur, të përdornin vetëm shkallët dhe jo ashensorin në vendin e punës. Pas 12 javësh, trupi i tyre shfrytëzonte 8,6 për qind më shumë oksigjen, dhe kjo ua «ulte 15 për qind rrezikshmërinë e vdekjes nga çdo shkak». Punonjësit patën goxha përmirësime për sa i përket «tensionit, kolesterolit, peshës, rënies së dhjamit dhe perimetrit të belit».