Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

20 Mënyra për të pasur më shumë kohë

20 Mënyra për të pasur më shumë kohë

Prite dhe ruaje

20 Mënyra për të pasur më shumë kohë

«Vazhdoni të veproni me mençuri . . . duke blerë kohën e duhur për veten tuaj.»—Kolosianëve 4:5.

PASI ke përcaktuar veprimtaritë me të cilat dëshiron të mbushësh kohën dhe ditët, sfida është të kalosh nga optimizmi teorik në vepra konkrete. Për këtë mund të të ndihmojnë sugjerimet e mëposhtme.

1 MBAJ NJË LISTË ME GJËRAT QË DËSHIRON TË BËSH ÇDO DITË. Renditi sipas radhës që do t’i kryesh. Trego ato që ia vlejnë t’u kushtosh më shumë kohë. Hiqi vizë çdonjërës prej punëve që ke përfunduar. Të tjerat shënoji në listën për të nesërmen.

2 SINKRONIZO KALENDARËT. Mos rreziko të humbësh ndonjë takim, ngaqë e ke të shkruar në kalendarin tjetër. Nëse ke një kalendar në kompjuter dhe një tjetër në ndonjë kompjuter dore, sigurohu që të kenë të njëjtin informacion.

3 BËJ NJË PLAN me të gjithë hapat që përfshihen në një punë dhe renditi sipas radhës së duhur.

4 SI RREGULL, PROGRAMO NË FILLIM PUNËT MË TË RËNDËSISHME. Do ta kesh më të lehtë të gjesh kohën për më pak të rëndësishmet.

5 VËR SYNIME REALISTE. Është më realiste të synosh që të bëhesh i zoti në një punë, sesa të bëhesh presidenti i firmës ku punon.

6 PRANO SE NUK DO TË KESH KOHË PËR ÇDO GJË. Kushtoju më shumë kohë punëve që sjellin rezultatet më me vlerë. Po punët e tjera që janë të ngutshme ose thjesht duhen bërë? Nëse nuk i shmang dot ose nuk ia cakton dot dikujt tjetër, përpiqu të harxhosh sa më pak kohë për to. Disa punë të parëndësishme mund të presin muaj po të nevojitet ose ndoshta nuk është nevoja të bëhen fare. Lër sa më shumë kohë të mundesh për aktivitetet që lidhen me gjëra që vërtet ia vlejnë për ty, duke mbajtur parasysh synimet.

7 MBAJ NJË LLOGARI PËR KOHËN. Për të kuptuar si të kalon koha, shëno si e harxhon për një a dy javë. A të humbet një pjesë e mirë për aktivitete të parëndësishme? Në shumicën e rasteve, a të ndërpret i njëjti individ ose dy? A të ndërpresin më shumë gjatë një pjese të ditës ose të javës? Elimino aktivitetet që të ndërhyjnë pa e kuptuar dhe ta harxhojnë kohën kot.

8 MOS E NGARKO PROGRAMIN. Nëse planifikon të bësh pazar, të rregullosh makinën, të dalësh me shoqërinë, të shohësh një film dhe të lexosh—të gjitha në një ditë—do të jesh i tensionuar dhe ndoshta nuk do të shijosh asgjë.

9 PAKËSO NDËRPRERJET. Cakto çdo ditë kohën kur nuk duhet të të ndërpresin, përveçse kur është e domosdoshme. Po të jetë e mundur, fike telefonin gjatë kësaj kohe. Fik edhe komunikimin me mesazhe që dalin papritur në kompjuter, nëse të ndërpresin punën.

10 PUNËN MË TË VËSHTIRË PLANIFIKOJE KUR KE MË SHUMË ENERGJI DHE JE MË I VËMENDSHËM GJATË DITËS.

11 MBAROJE SA MË PARË PUNËN QË NUK E KE ME QEJF. Pasi e ke kryer, do të ndihesh më entuziast për t’u marrë me punët e tjera.

12 LËR KOHË PËR TË PAPRITURAT. Nëse mendon se mund të arrish diku për 15 minuta, thuaj se do të jesh atje për 25 minuta. Kur mendon se një takim do të zgjatë një orë, lër një orë e 20 minuta. Lër hapësira gjatë ditës.

13 SHFRYTËZOJE KOHËN E NDËRMJETME. Dëgjo lajmet ose ndonjë regjistrim teksa rruhesh. Lexo kur pret autobusin a furgonin ose kur udhëton. Sigurisht këtë kohë mund ta shfrytëzosh për t’u çlodhur. Por mos e harxho kot dhe pastaj të vrasësh mendjen për kohën e humbur.

14 RREGULLI I PRAKTICITETIT (80/​20). * Ta zëmë se ke 10 punë për të bërë: a mund të gjesh pak a shumë 2 prej tyre që janë më të rëndësishme? Mos ndoshta një punë mund të konsiderohet thuajse e kryer nëse u kushton vëmendje vetëm aspekteve kryesore të saj?

15 KUR JE I MBYTUR ME PUNË, shëno çdo punë në një copëz letër. Pastaj ndaji letrat në dy grupe: «Punët për sot», «Punët për nesër». Të nesërmen bëj po njësoj.

16 HERË PAS HERE BËJ PUSHIM PËR T’U KARIKUAR. Mund të kesh më shumë rendiment në punë po të kthehesh me mendje dhe trup të përtërirë, sesa po të punosh për orë të tëra jashtë orarit.

17 SHKRUAJI MENDIMET. Shkruaj problemin dhe shpjego pse të mundon. Shkruaj çdo zgjidhje që të vjen ndër mend.

18 MOS KËRKO PËRSOSMËRI. Kupto kur është koha ta lësh një punë dhe të vazhdosh me një punë tjetër të rëndësishme.

19 PUNO SI PROFESIONIST. Mos prit të jesh në humor për punë. Thjesht futju punës.

20 JI ELASTIK. Këto janë sugjerime, jo rregulla të ngurta. Provoji, shih çfarë të ndihmon ty dhe përshtati me rrethanat dhe nevojat e tua.

[Shënimi]

^ par. 18 Ky rregull bazohet kryesisht në veprën e ekonomistit italian të shekullit të 19-të Vilfredo Pareto dhe njihet edhe si parimi i Paretos. Ky parim ka dalë sepse shpesh është parë se 80 për qind e rezultateve arrihen nga rreth 20 për qind e përpjekjeve. Ai vlen për shumë gjëra, por ja një shembull i thjeshtë: kur fshin tapetin, rreth 80 për qind e papastërtisë ndoshta ndodhet në 20 për qind të tij, domethënë në pjesët më të shkelura.