Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do ta forcojnë lidhjen tonë marrëdhëniet seksuale?

A do ta forcojnë lidhjen tonë marrëdhëniet seksuale?

Të rinjtë pyesin

A do ta forcojnë lidhjen tonë marrëdhëniet seksuale?

Ana ka vetëm dy muaj që del me Klajdin, por ndihet sikur ka gjithë jetën që e njeh. I shkruajnë mesazhe njëri-tjetrit vazhdimisht dhe flasin për orë të tëra në telefon. Madje ia marrin fjalën nga goja njëri-tjetrit! Por tani, ndërsa ndodhen në makinën e parkuar, atje nën dritën e hënës, Klajdi kërkon më tepër sesa thjesht të bisedojnë.

Në dy muajt e kaluar, Klajdi dhe Ana vetëm janë kapur për dore dhe kanë shkëmbyer ndonjë puthje të shkurtër, por asgjë më tepër. Ana nuk dëshiron të shkojë më larg. Por as nuk do që ta humbë Klajdin. Askush nuk e bën të ndihet kaq e bukur, kaq e veçantë. «Pastaj,—thotë ajo me vete,—unë dhe Klajdi duhemi, apo jo?»

ME SIGURI e merr me mend ku të çon kjo situatë. Por ajo që mbase nuk kupton është se si marrëdhëniet seksuale do ta ndryshonin krejt lidhjen mes Anës dhe Klajdit—dhe jo për mirë. Mendo për këtë:

Nëse shpërfill një ligj fizik, siç është ligji i rëndesës, do të kesh pasoja. E njëjta gjë ndodh edhe nëse shpërfill një ligj moral, si ai që thotë: «Rrini larg nga kurvëria.» * (1 Selanikasve 4:3) Cilat janë pasojat kur nuk i bindesh këtij urdhri? Bibla thotë: «Ai që praktikon kurvërinë, mëkaton kundër trupit të vet.» (1 Korintasve 6:18) Pse është e vërtetë kjo? Rendit tri pasoja të dëmshme që mund të vuajë kush kryen marrëdhënie seksuale para martesës.

1. ․․․․․

2. ․․․․․

3. ․․․․․

Tani hidhi një sy asaj që shkrove. A përmende gjëra të tilla, si sëmundje të transmetueshme seksualisht, shtatzëni të padëshiruar ose humbje të miratimit të Perëndisë? Sigurisht këto janë pasoja shkatërrimtare që mund t’i vuajë çdokush që shkel ligjin moral të Perëndisë për kurvërinë.

Mirëpo mund të tundohesh. «Mua s’do të më ndodhë gjë»,—mund të arsyetosh. Në fund të fundit, a nuk bëjnë seks të gjithë? Shokët e shkollës mburren për aventurat e tyre seksuale dhe nuk duket se po vuajnë. Mbase ashtu si Ana në hyrje të artikullit, edhe ti mendon se seksi do të të lidhë më shumë me të dashurin. Pastaj, kush do që të tallet ngaqë është i virgjër?! A nuk është më mirë të dorëzohesh?

Mos u nxito! Pikësëpari, jo të gjithë bëjnë seks. Vërtet, mund të lexosh statistika që tregojnë se një numër alarmues të rinjsh bëjnë seks. Për shembull, një studim në SHBA tregoi se, kur mbarojnë shkollën e mesme, 2 në 3 të rinj në këtë vend tashmë janë aktivë seksualisht. Por kjo do të thotë edhe se 1 në 3 veta, pra një numër i konsiderueshëm, nuk janë. Ç’të themi për grupin e parë? Studiuesit kanë zbuluar se shumë nga këta të rinj, pas kësaj përvoje kanë një ose më shumë nga këto ndjenja të hidhura.

Nr. 1: DËSHPËRIMI. Shumica e të rinjve që bëjnë seks para martesës thonë se pastaj pendohen.

Nr. 2: MOSBESIMI. Pasi kryejnë marrëdhënie, të dy partnerët pyesin veten: «Me kë tjetër ka shkuar?»

Nr. 3: JOBESNIKËRIA. Pas marrëdhënieve, djali ka më shumë të ngjarë ta braktisë të dashurën dhe të shkojë te dikush tjetër.

Nr. 4: ZHGËNJIMI. Thellë brenda vetes, një vajzë do të donte dikë që e mbron, jo që e shfrytëzon.

Përveç sa thamë më sipër, mendo edhe këtë: shumë djem kanë thënë se nuk do të martoheshin kurrë me një vajzë me të cilën kanë pasur marrëdhënie seksuale. Pse? Sepse preferojnë dikë më të dëlirë.

A nuk të befason kjo, mbase edhe të acaron? Nëse po, qofsh vajzë, qofsh djalë, mos harro: seksi para martesës në realitet është krejt ndryshe nga ajo që tregohet nëpër filma dhe televizor. Industria e zbavitjes e ngre në qiell seksin midis adoleshentëve dhe e bën të duket sikur është dashuri e vërtetë. Por mos u trego naiv! Ata që duan të ta prishin mendjen që të bësh seks, kërkojnë vetëm interesin e tyre. (1 Korintasve 13:4, 5) Në fund të fundit, a do ta vinte në rrezik mirëqenien tënde fizike dhe emocionale dikush që të do me të vërtetë? (Proverbat 5:3, 4) Veç kësaj, a do të të tundonte dikush që interesohet vërtet për ty të rrezikoje marrëdhënien tënde me Perëndinë?—Hebrenjve 13:4.

E vërteta është se, po të dorëzohesh e të bësh seks para martesës, po e ul veten, duke çuar dëm diçka tepër të çmuar. (Romakëve 1:24) S’është habi që kaq shumë veta ndihen bosh dhe të pavlerë pas kësaj, sikur kanë lejuar me pakujdesi t’u vjedhin një pjesë të vyer nga vetja. Mos lejo të të ndodhë edhe ty! Në qoftë se ndonjëri mundohet të ta prishë mendjen duke të të thënë: «Po të më doje, do ta bëje këtë», përgjigjju me vendosmëri: «Po të më doje, nuk do të ma kërkoje këtë!»

Trupi yt është tepër i çmuar për t’u çuar dëm. Trego se ke atë forcë karakteri që t’i bindesh urdhrit të Perëndisë për t’u larguar nga kurvëria. E nëse një ditë martohesh, mund të kryesh marrëdhënie seksuale. Dhe do t’i gëzosh plotësisht, pa shqetësimin, keqardhjen dhe pasigurinë që e shoqëron kaq shpesh seksin para martesës.—Proverbat 7:22, 23; 1 Korintasve 7:3.

[Shënimi]

^ par. 6 Termi biblik «kurvëri» nuk përfshin vetëm marrëdhëniet seksuale, por edhe veprime të tjera midis personave të pamartuar, si përkëdhelja e organeve gjinore të tjetrit dhe seksi oral ose anal. Për më shumë informacione, shih Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, faqet 42-47.

PËR TË MENDUAR

● Ndonëse seksi para martesës mund të joshë mishin e papërsosur, pse është i gabuar?

● Si do të veprosh nëse dikush të kërkon të bësh seks?

[Kutia dhe figurat në faqen 27]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Vetëm përgjigjja jo, nuk e ndalon personin që të provojë prapë. Është mënyra si e refuzon. Po të thuash jo me zë të dobët dhe që tingëllon sikur je e lëkundur, ashtu do të merret. Duhet të jesh e prerë.»

«Të thuash jo nuk bën efekt gjithmonë. Edhe sikur t’i shpjegosh bindjet e tua, prapë mund të mos vlejë. Kam njohur disa që mburren se ia dolën të thyenin një të krishterë. Ndonjëherë duhet të ikësh dhe kaq. Është e vështirë, por funksionon.»

«Si i krishterë, ke cilësi që i tërheqin të tjerët. Prandaj duhet të kesh mjaft kujdes dhe të refuzosh ftesat për gjëra të pamoralshme. Respektoji këto cilësi. Mos i shit për hiçgjë!»

[Figurat]

Diana

Xhejmsi

Xhoshua

[Kutia në faqen 28]

FITO ADMIRIMIN E SAJ

Nëse je lidhur me një vajzë, a interesohesh vërtet për të mirën e saj? Nëse po, trego se ke . . .

forcën që të mbash ligjet e Perëndisë

mençurinë që të shmangësh rrethanat tunduese

dashurinë që të kujdesesh për të mirën e saj

Po të veprosh kështu, me siguri ndjenjat e shoqes sate do të jenë si ato të Shulamites, e cila tha: «I shtrenjti im është imi dhe unë jam e tija.» (Kënga e Solomonit 2:16) Me pak fjalë, do të fitosh admirimin e saj.

Shih Proverbat 22:3; 1 Korintasve 6:18; 13:4-8.

[Kutia në faqen 28]

SUGJERIM

Kur bëhet fjalë për sjelljen me gjininë tjetër, një rregull i mirë është: nëse bëhet fjalë për diçka që nuk do të doje të të shihnin prindërit, atëherë nuk duhet ta bësh.

[Figura në faqen 28]

Të kryesh marrëdhënie seksuale para martesës do të thotë të keqpërdorësh dhuratën që të ka bërë Perëndia. Është sikur një pikturë të bukur që të ka dhënë dikush ta vësh te dera për të fshirë këpucët