Mali i Bardhë—«Çatia» e Evropës
Mali i Bardhë—«Çatia» e Evropës
QYSH në fëmijëri, natyralisti zviceran Horas-Benedikt dë Sosyr (1740-1799) mahnitej nga masivi hijerëndë që sot njihet si Mali i Bardhë, gjiganti i Alpeve. I mrekulluar nga lartësia e tij e paarritshme, ai i ofroi një çmim të parit që do të ngjitej në majën më të lartë të tij, 4.807 metra. Përpjekjet e para serioze për të arritur majën u bënë në vitin 1741. Por vetëm në gusht të vitit 1786, dy banorë të qytetit francez të Shamonisë, Zhak Balmaja, kërkues kristalesh, dhe Mishel-Gabriel Pakardi, mjek, arritën majën e masivit, vetë Malin e Bardhë. Vitin pasues, Dë Sosyri arriti majën më të lartë të Evropës Perëndimore me një ekspeditë shkencore dhe në vitin 1788 u ngjit në Qafën e Gjigantit e qëndroi atje 17 ditë. Këto ishin arritjet e para të dokumentuara të alpinizmit si disiplinë sportive.
Në vitin 1855, një ekip i drejtuar nga udhërrëfyes italianë ngjitën një faqe tjetër të Malit të Bardhë, edhe më e vështirë se e para. Vetëm nëntë vjet më vonë, u arrit maja e pjesës italiane. Ata pionierë të guximshëm u ngjitën pa pajisjet e sotme, vetëm me shkopinj me majë hekuri. Siç thotë gjeografi Xhoto Daineli, asokohe, «të arrije majën duke u nisur nga lugina në rrëzë të malit e duke ndjekur rrugë krejt të panjohura, kërkohej rezistencë fizike dhe karakter i fortë, që ndoshta mezi përfytyrohen nga ata që ngjiten në male sot». Në ditët tona janë ngjitur disa herë edhe në qoshet më të largëta të masivit.
Në antikitet, Mali i Bardhë konsiderohej vend i paeksploruar, ndonëse është mu në zemër të Evropës. Dokumenti i parë i njohur ku përmendet konkretisht ai, daton në vitin 1088 të e.s. Në një hartë për vlerësimin e një prone, që u përkiste murgjve benediktinë të Shamonisë, quhej rupes alba që do të thotë «mal i bardhë». Megjithatë, shekuj me radhë vendësit e quajtën Mali i Mallkuar, për
shkak të demonëve dhe dragonjve që jetonin aty sipas legjendave. Me sa duket, emri Mali i Bardhë u shfaq për herë të parë në një vizatim të vitit 1744, shenjë që nami i tij ogurzi shpejt do të shuhej.Kontrastet në vargmal
Vetëm nga aeroplani mund të shikohet i gjithë masivi i Malit të Bardhë. Ai zë rreth 600 kilometra katrorë, ka një kreshtë më shumë se 50 kilometra të gjatë—e cila ndan Italinë, Francën dhe Zvicrën—dhe ka disa maja më shumë se 4.000 metra të larta. Masivi përbëhet nga rreshpe kristalore dhe graniti, të formuara thellë në koren e tokës. Gjeologët e quajnë të ri këtë grup malesh, edhe nëse është «vetëm» 350-milionëvjeçar. Agjentët atmosferikë dhe akullnajat e kanë modeluar shkëmbin prej graniti që tani ka thyerje,
kreshta të dhëmbëzuara, maja dhe shkëmbinj të thepisur me bukuri të pashoqe dhe interes të jashtëzakonshëm për alpinistët.Mali i Bardhë nga afër
Edhe ata që nuk janë alpinistë mjeshtra mund ta shohin nga afër pjesën qendrore të masivit, duke përdorur teleferikun që u vu në punë në vitin 1958. Pika më e lartë e arritur me teleferik është Egyij-dy-Midi, 3.842 metra mbi nivelin e detit, nga ku shihet një panoramë e papërshkrueshme e luginës së Shamonisë.
Sot nga këndvështrimi topografik, Mali i Bardhë nuk fsheh më ndonjë sekret. Përkundrazi ofron një pamje spektakolare, sidomos në agim dhe në muzg. Është koha kur rrezet e diellit prekin faqet e ftohta shkëmbore të «çatisë» së Evropës dhe i ngjyejnë me të gjitha nuancat e së kuqes, duke e përflakur granitin.
[Kutia dhe figura në faqen 23]
Tuneli i Malit të Bardhë—Intuita del e vërtetë
«Shoh dy lugina ku flitet e njëjta gjuhë dhe ku njerëzit janë njësoj. Do të vijë dita kur do të ndërtohet një rrugë poshtë Malit të Bardhë dhe dy luginat do të bashkohen.» Duhej të kalonin dy shekuj para se intuita e Horac-Benedikt dë Sysyrit të dilte e vërtetë. Në vitin 1814 iu bë kërkesa e parë mbretit të Piemontit dhe të Sardenjës; megjithatë puna filloi në vitin 1959 dhe përfundoi në vitin 1965. * Tuneli 11,6 kilometra i gjatë nis në Itali në lartësinë 1.381 metra dhe mbaron në Francë në lartësinë 1.274 metra.
Më 24 mars 1999, një kamion mori flakë në tunel dhe shkaktoi katastrofë. Temperatura arriti 1.000 gradë celsius dhe shkriu dhjetëra automjete. Tridhjetë e nëntë njerëz vdiqën nga asfiksia dhe 30 të tjerë u plagosën. Pas një vit hetimesh, filloi puna e rikonstruksionit. Tuneli u rihap më 25 qershor 2002, me gjithë protestat e ambientalistëve dhe të banorëve ngaqë trafiku i automjeteve të rënda sjell ndotje. Kohët e fundit, në një periudhë katërmujore, 132.474 automjete kaluan në tunel.
[Shënimi]
^ par. 12 Për më shumë hollësi, shih Zgjohuni! të 8 shkurtit 1963, faqet 16-19, anglisht.
[Figura]
Monumenti i H. B. dë Sosyrit, Shamoni, Francë
[Burimi]
Library of Congress, Prints & Photographs Division, Photochrom Collection, LC-DIG-ppmsc-04985
[Kutia dhe figura në faqet 24, 25]
XHIRO RRETH «GJIGANTIT»
Ndonëse masivi i Malit të Bardhë është pronë e ekspertëve të ngjitjes dhe alpinistëve, edhe ata që nuk kanë qenë kurrë lart në mal mund të kënaqen me mrekullitë e tij duke i rënë rreth e rrotull. Zakonisht fotografitë më të mira të një mali bëhen nga larg, jo nga maja. Mali i Bardhë rrethohet nga pika vrojtimi, të cilat shpalosin pamje që të lënë gojëhapur. Dashuruesit e natyrës dhe ata me gjunjë të fortë mund t’i bëjnë në këmbë ato 130 kilometra shtigje. E ashtuquajtura Xhiro e Malit të Bardhë, e krijuar nga bashkimi i shtigjeve, është një xhiro që ndjek një rreth që të çon në Francë, Itali dhe Zvicër. Ajo ndahet në dhjetë etapa nga tri deri në shtatë orë çdo ditë dhe të krijon mundësi të kundrosh peizazhe piktoreske. Ata që nuk kanë shumë kohë, mund të shijojnë një shëtitje në njërin prej maleve të shumta rreth e qark «gjigantit».
[Figura]
Egyij-dy-Midi është pika më e lartë e arritur me teleferik
[Burimi]
Me mirësjellje nga Michel Caplain; http://geo.hmg.inpg.fr/mto/jpegs/020726/L/12.jpg
[Harta në faqen 22]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
FRANCË
ZVICËR
ITALI
Mali i Bardhë
[Figura në faqen 22]
Ngjitja e Dë Sosyrit në Malin e Bardhë në vitin 1787 (vepër e një artisti)
[Burimi]
© The Bridgeman Art Library International
[Figura në faqen 23]
Mali i Bardhë