Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Sipas llogaritjeve, shpenzimi botëror për ushtrinë në vitin 2008 arriti një total rreth 1.464 miliardë dollarë. Kjo është një rritje . . . me 45 për qind që nga viti 1999.»—INSTITUTI KËRKIMOR PËR PAQEN NDËRKOMBËTARE I STOKHOLMIT, SUEDI.
«Sipas Google, miliarda faqe i shtohen [Internetit] çdo ditë.»—NEW SCIENTIST, BRITANI.
«Mendohet se 2009 është viti kur uria ka arritur një kulm historik me 1,02 miliardë njerëz të uritur çdo ditë.»—ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA PËR USHQIMIN DHE BUJQËSINË, ITALI.
Deveja e parë e klonuar
Që nga viti 1996, kur kërkuesit klonuan për herë të parë një dele, me të njëjtën teknikë janë riprodhuar edhe gjitarë të tjerë, përfshirë lopë, dhi e kuaj. Tani shkencëtarët e një qendre kërkimore veterinare në Dubai, kanë klonuar për herë të parë një deve. Devenë e vogël femër e quajtën Injaz, që në arabisht do të thotë «arritje». Gazeta The National e Abu-Dabit thotë: «Klonimi i kafshëve . . . tashmë nuk ka mbetur vetëm në fazën eksperimentale. Në të ardhmen programi do të shqyrtojë klonimin për të ruajtur gjenet e deveve që mbahen për gara dhe prodhimin e qumështit.»
«Përplasje» satelitësh
«Ka vite që rrugët orbitale sipër Tokës po ngarkohen gjithnjë e më shumë, por vetëm në shkurt të vitit [2009] dy satelitë patën përplasjen e parë të rëndë»,—raporton revista Science News. Rreth 800 kilometra mbi Siberi, një satelit amerikan komunikimi, që ishte në funksionim, u përplas me një satelit ushtarak rus jashtë përdorimit. Ky aksident krijoi nja 700 copëra të mëdha mbetjesh. Sa më shumë copëra të tilla të ketë në orbitë, aq më i madh është rreziku i një aksidenti tjetër. Stacionet e vrojtimit aktualisht kanë nën vëzhgim rreth 18.000 copëra mbeturinash kozmike me një diametër më të madh se 10 centimetra. Megjithatë, përplasja me një objekt më të madh se një bizele, i cili ka shpejtësinë e lartë të objekteve që i vijnë përqark tokës, mund të jetë katastrofike për satelitët, madje edhe për mjetet e fluturimit me pilot.
Bllokojnë makinën
«Pak njerëz do t’i linin pa paguar faturat e celularit, sepse e dinë se celulari nuk do të punonte më»,—thotë gazeta The Wall Street Journal. Tani po zbatohet i njëjti rregull edhe për makinat. «Shitësit e makinave të përdorura po instalojnë pajisje me telekomandë që e bllokojnë makinën dhe nuk e lënë të ndizet, nëse blerësi mbetet shumë prapa me pagesën e kësteve»,—vazhdon gazeta. Pajisja, që vendoset në sistemin e ndezjes së makinës, është pjesë e kushteve të kontratës që bëhet me blerësit jo dhe aq të besueshëm dhe mund të hiqet kur ata të shlyejnë detyrimin. Gjithsesi, siç thotë gazeta, bllokuesve të makinës rrallë u duhet ta bllokojnë makinën. Sinjalet paralajmëruese me drita dhe bipera janë goxha të efektshme «për t’i nxitur blerësit të kryejnë pagesat në kohë».