Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një botë pa fe​—A do të ishte më e mirë?

Një botë pa fe​—A do të ishte më e mirë?

Një botë pa fe​—A do të ishte më e mirë?

ATEISTËT e rinj përfytyrojnë një botë pa fe​—pa kamikazë, pa luftëra fetare, pa klerikë lakmitarë ose pa predikues televizivë që rrjepin bashkëbesimtarët. A ju duket tërheqës ky përfytyrim?

Para se të përgjigjeni, pyetni veten: «A ka ndonjë provë që vërteton se ateizmi universal do të sillte një botë më të mirë?» Mendoni pak: rreth 1,5 milionë kamboxhianë vdiqën kur Kmerët e Kuq u orvatën të krijonin një shtet marksist pa fe. Kurse në BRSS-në zyrtarisht ateiste, sundimi i Josif Stalinit çoi në dhjetëra milionë të vdekur. Kuptohet, përgjegjësia për këto ligësi nuk mund t’i ngarkohet drejtpërdrejt ateizmit. Por në të vërtetë, ato tregojnë se sundimi i ateizmit nuk siguron paqe dhe harmoni.

Askush nuk do ta mohonte se feja ka shkaktuar shumë vuajtje. Por a e ka fajin Perëndia për këtë? Jo. Ai është po aq fajtor, sa ç’është prodhuesi i një makine për aksidentin që bën shoferi i saj ndërsa fliste në celular. Vuajtjet e njerëzimit vijnë nga shumë shkaqe, një prej të cilëve është më thelbësor se bindjet që ekzistojnë. Bibla tregon se ky shkak është natyra e papërsosur e njeriut: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Kjo prirje mëkatare ushqen egoizmin, krenarinë e tepërt, dëshirën për pavarësi morale dhe dhunën. (Zanafilla 8:21) Gjithashtu, ajo i shtyn njerëzit të arsyetojnë dhe të anojnë nga bindje që i justifikojnë keqbërjet. (Romakëve 1:​24-27) Jezu Krishti me të drejtë tha: «Nga zemra vijnë arsyetime të liga, vrasje, kurorëshkelje, kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi.»​—Mateu 15:19.

Një dallim jetësor

Në këtë pikë, duhet bërë dallimi midis adhurimit të vërtetë, që është adhurimi i pranueshëm në sytë e Perëndisë, dhe adhurimit të rremë. Adhurimi i vërtetë do t’i ndihmonte njerëzit të luftonin kundër prirjeve mëkatare. Do t’i nxiste të tregonin dashuri vetëmohuese, paqe, mirëdashje, mirësi, butësi, vetëkontroll, besnikëri bashkëshortore dhe respekt për të tjerët. (Galatasve 5:​22, 23) Feja e rreme, nga ana tjetër, do të ndiqte rrymën, siç thotë Bibla ‘duke u gudulisur njerëzve veshët’, domethënë duke toleruar disa nga gjërat e këqija që Jezui dënoi.​—2 Timoteu 4:3.

Mos vallë ateizmi i kontribuon kësaj paqartësie dhe këtij kaosi moral? Nëse nuk ka Perëndi, do të thotë se nuk duhet t’i japim llogari asnjë autoriteti hyjnor dhe se, siç shprehet profesori i juridikut Filip Xhonson, «nuk ka vlera objektive që jemi të detyruar t’i respektojmë». Mbajtja e një morali bëhet diçka relative, ku secili i vendos vetë normat, në rast se zgjedh të ketë ndonjë normë. S’ka dyshim që këto pikëpamje e bëjnë ateizmin një filozofi tërheqëse për disa njerëz.​—Psalmi 14:1.

Megjithatë, fakti është se Perëndia nuk do t’i tolerojë përgjithmonë pikëpamjet e pavërteta​—qoftë ateiste qoftë fetare​—dhe ata që i mbështetin këto pikëpamje. * Ai premton: «Vetëm të drejtët [nga ana morale dhe fetare] do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.» (Proverbat 2:​21, 22) Rezultati do të jetë diçka që asnjë njeri, asnjë filozofi ose institut njerëzor nuk mund ta arrijë: paqe dhe lumturi universale.​—Isaia 11:9.

[Shënimi]

^ par. 8 Një shpjegim të logjikshëm nga Bibla se përse Perëndia po i lejon përkohësisht ligësitë dhe vuajtjet, mund ta gjeni në kapitullin 11 të librit të studimit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 6]

PIKËPAMJA E PERËNDISË PËR MIZORITË FETARE

Vendi që iu dha Izraelit të lashtë, banohej nga kananitët, një popull i degjeneruar që jepej pas imoralitetit​—përfshirë incestin, sodominë dhe marrëdhëniet seksuale me kafshë​—si dhe pas riteve gjatë të cilave flijoheshin fëmijë. (Levitiku 18:​2-27) Një libër thotë se nga gërmimet «janë zbuluar pirgje hiri dhe mbetje të skeleteve të foshnjave në varrezat përqark altarëve paganë, çka flet për përhapjen e kësaj praktike [të flijimit të fëmijëve]». Siç thotë një manual biblik, kananitët i adhuronin perënditë e tyre duke u dhënë pas imoralitetit dhe duke vrarë fëmijët e vet të parëlindur si kurban për të njëjtat perëndi. Ai vazhdon: «Arkeologët që gërmojnë në rrënojat e qyteteve kananite, çuditen pse Perëndia nuk i shkatërroi edhe më shpejt.»​—Archaeology and the Old Testament.

Shkatërrimi që i ka bërë Perëndia kananitëve, për ne sot është një përkujtues i fuqishëm se ai nuk do ta tolerojë përgjithnjë ligësinë që bëhet në emër të tij. «[Perëndia] ka caktuar një ditë, kur ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar»,​—thuhet te Veprat 17:31.

[Figurat në faqen 7]

Si fetarët dhe jofetarët kanë shkaktuar mizori

Kisha mbështeti Hitlerin

Kafkat e viktimave të Kmerëve të Kuq, Kamboxhia

[Burimi]

AP Photo