Hapi 3—Mbajeni trupin në lëvizje
«Sikur fizkultura të ishte ilaç, do të ishte ilaçi më i rekomanduar nga mjekët në botë.» (Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Emori) Nga të gjitha gjërat që mund të bëjmë për shëndetin, pak sjellin aq dobi sa ushtrimet fizike.
Mundohuni të lëvizni. Aktivitetet fizike na ndihmojnë të ndihemi më të lumtur, të mendojmë më kthjellët, të kemi më shumë energji e rendiment dhe, kur bashkohen me ushqimin e duhur, na ndihmojnë të mbajmë nën kontroll peshën. Që të kenë efekt, ushtrimet s’ka pse të sjellin dhembje ose të teprohen. Po të bëni rregullisht disa herë në javë ushtrime jo aq të rënda, mund të nxirrni shumë dobi.
Vrapi i lehtë, ecja e shpejtë, ngarja e biçikletës dhe pjesëmarrja në sporte jo pasive—aq sa t’ju shtohen rrahjet e zemrës dhe të djersitni—mund t’ju rritin rezistencën dhe të parandalojnë atakun në zemër e iktusin. Ndërthurja e këtyre ushtrimeve aerobike me ushtrime të ekuilibruara për ngritje peshash dhe me gjimnastikën ndihmon në forcimin e kockave, muskujve të brendshëm dhe gjymtyrëve. Falë këtyre aktiviteteve mund të përmirësohet edhe metabolizmi, e kështu të mbahet nën kontroll pesha.
Ushtrimet mund të jenë një kënaqësi
Ecni sa më shumë. Fizkultura u bën mirë njerëzve të çdo moshe dhe nuk ka pse të shkosh në palestër për këtë. Një fillim i mbarë është të vini në punë këmbët, në vend se të merrni makinën, autobusin ose ashensorin. Pse të pritni autobusin nëse mund të shkoni më këmbë atje ku doni, e madje të arrini më shpejt? Prindër, nxitini fëmijët të bëjnë lojëra që i vënë në lëvizje, mundësisht jashtë shtëpisë. Këto aktivitete u forcojnë trupin dhe i mësojnë të bashkërendojnë lëvizjet, e kjo nuk arrihet kur luajnë ulur, si për shembull, me videolojëra.
Çfarëdo moshe të keni kur nisni fizkulturën, mund t’ia shihni të mirën ushtrimeve të ekuilibruara. Nëse jeni në moshë të thyer ose keni probleme shëndetësore dhe s’jeni marrë me fizkulturë, bëni mirë të konsultoheni me një mjek se si të filloni. Por ama, filloni. Kur nisen dalëngadalë dhe nuk teprohen, ushtrimet mund të ndihmojnë madje edhe më të moshuarit të ruajnë forcën e muskujve dhe dendësinë e kockave. Veç kësaj, mund t’i ndihmojnë ata në moshë të shkuar të mos rrëzohen.
Pikërisht fizkultura e ndihmoi Rustamin, që u përmend në artikullin e parë të kësaj serie. Shtatë vjet më parë, ai dhe e shoqja nisën të bënin pak vrap çdo mëngjes, pesë ditë në javë. «Në fillim nxirrnim sebepe si e si të mos dilnim,—tregon ai.—Por, ngaqë kishim njëri-tjetrin, ndiheshim më të motivuar. Sot na është bërë një zakon i mirë që na sjell kënaqësi.»