Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mashtrimet në Internet​—A përbëjnë rrezik dhe për ju?

Mashtrimet në Internet​—A përbëjnë rrezik dhe për ju?

Mashtrimet në Internet​—A përbëjnë rrezik dhe për ju?

Uilliami, një mësues në pension nga Florida, SHBA, mori një email që mendoi se ishte nga kompania që i ofronte shërbimin e Internetit. Aty thuhej se kompania kishte humbur të dhënat e tij si klient. Uilliami plotësoi formularin e bashkëngjitur dhe e dërgoi në të njëjtën adresë. Pa e ditur, të dhënat e tij personale i shkuan Shivës, një kriminel në Kuins të Nju-Jorkut. Të nesërmen, Shiva përdori numrin e kartës së kreditit të Uilliamit për të blerë në Internet një printer që mund ta përdorte për të bërë dokumente të falsifikuara. Email-i që mori Uilliami, ishte një prej 100.000 email-eve që dërgoi Shiva. Hetuesit thonë se rreth njëqind njerëz i kthyen përgjigje dhe e pësuan.

Një 56-vjeçare nga Kuinslandi, Australi, filloi një lidhje romantike në Internet me dikë që ajo mendonte se ishte inxhinier anglez. Ajo kishte shpenzuar 47.000 dollarë para se të zbulohej se ai ishte një mashtrues 27-vjeçar nga Nigeria. *

MJERISHT, mashtrimet në Internet janë bërë të zakonshme. Në një artikull me titull «Gjendja e rrjetit 2010», revista Consumer Reports thoshte: «Numri i lartë i rreziqeve në Internet vazhdon të jetë alarmues dhe u shkakton klientëve dëme prej miliarda dollarësh. Sulmet me viruse janë rritur ndjeshëm që nga viti i kaluar duke ndikuar te 40 për qind e familjeve amerikane. Disa familje thanë se kishin probleme të shumta.» Para se të shqyrtojmë si mund të mbroheni nga këto sulme, le të shohim disa nga metodat e shumta që përdorin këta kriminelë.

Si mashtrojnë?

Shumë mashtrime në Internet bëhen nëpërmjet email-eve. Lloji i email-it që mori Uilliami quhet email karrem (phishing e-mail). Ashtu si karremi në peshkim, këto email-e e nxitin me dinakëri personin të japë fjalëkalimin e vet, numrin e kartës së kreditit ose informacionet mbi llogarinë bankare në një sit Interneti në dukje i besueshëm, por në të vërtetë i rremë. Mashtruesit mund të shtijnë në dorë adresën tuaj të email-it duke përdorur programe kompjuterike që nxjerrin email-e.

Disa prej këtyre email-eve e arrijnë qëllimin edhe nëse nuk u jepni asnjë të dhënë. Edhe vetëm duke hapur një email, mund të të instalohet një program spiun (spy software). Këto programe mund të regjistrojnë veprimet që bëni në kompjuterin tuaj. Disa prej tyre kopjojnë tastet që shtypni me qëllim që të vjedhin fjalëkalimet dhe informacionet tuaja. Kurse të tjerë ju futin në site mashtruese. A mund të bëni diçka për t’u mbrojtur?

Çfarë mund të bëni?

Kini kujdes nga email-e që përmbajnë një link të dyshimtë. Duke e hapur këtë link, ndonjëherë mund të instaloni një program që quhet kali trojan (Trojan horse) ose trojani, i cili mund të depërtojë vjedhurazi në sistemin tuaj kompjuterik. Kjo u jep mundësi mashtruesve të shtijnë në dorë të dhënat tuaja personale. Ata futen edhe në forume, në site pornografike, në site që ofrojnë programe nga burime të panjohura dhe në sitet e rrjeteve shoqërore për të gjetur të dhëna me vlerë dhe për të instaluar programe spiune që të vjedhin informacione. Gjithashtu, mos iu përgjigjni kurrë email-eve që premtojnë fitime tepër të majme për t’u besuar.

Ndoshta keni marrë mesazhe në Internet që thonë se kompjuteri juaj është në rrezik dhe se duhet të klikoni aty për të mbrojtur kompjuterin ose mesazhe që ofrojnë screen-saver falas. Po të klikoni, mund të aktivizohet programi spiun. *

Nëse kërkoni punë në Internet, kini kujdes! Kriminelët përdorin site mashtruese për të mbledhur «pagesë regjistrimi» e madje edhe të dhëna financiare personale.

Hajdutët tani janë aq të zgjuar sa në distancë mund të hyjnë në të dhënat kompjuterike të kompanive ose të institucioneve financiare për të vjedhur informacione. Në janar të vitit 2007, hakerat hynë në sistemin kompjuterik të një qendre tregtare me shumë filiale në Shtetet e Bashkuara ku gjetën të dhënat e miliona klientëve, përfshirë të dhënat e kartave të kreditit. Në Nigeri, kriminelët hynë te të dhënat e disa bankave dhe vodhën numrat e identifikimit të 1,5 milionë njerëzve për të tërhequr para nga bankomatët. Në Internet tani po lulëzon një treg i zi ku punonjës kriminelë dhe hakera shesin të dhëna kartash krediti të vjedhura e madje edhe identitetin e plotë të njerëzve.

[Shënimet]

^ par. 3 Zgjohuni! ka botuar artikuj që paralajmërojnë për rreziqet e njohjeve romantike nëpërmjet Internetit. Shihni numrat e 22 prillit 2005, faqet 16-18 dhe të 22 majit 2005, faqet 12-14.

^ par. 10 Shpesh këto mesazhe shfaqen në anglisht, si për shembull: «Your computer is at risk! Click here to protect your computer!» ose «Free Screensavers. Click Here.»

[Kutia në faqen 11]

Email-i karrem është një email që nxit me dinakëri personin të japë fjalëkalimin e vet, numrin e kartës së kreditit ose informacionet mbi llogarinë bankare në një sit Interneti në dukje i besueshëm, por në të vërtetë i rremë

Programi spiun është një program që regjistron veprimet që bëni në kompjuterin tuaj

Kali trojan është një program i projektuar për të thyer sigurinë e sistemit tuaj kompjuterik ndërkohë që duket sikur po kryen ndonjë veprim të padëmshëm

[Kutia dhe figurat në faqet 12, 13]

Mos bini pre e mashtrimeve

QË TË MOS BINI PRE E MASHTRIMEVE, NDIQNI HAPAT E MËPOSHTËM:

1 Sigurohuni që të jetë gjithmonë i aktivizuar firewall-i (muri mbrojtës midis kompjuterit tuaj dhe Internetit) dhe sistemi operativ, programet dhe antiviruset të jenë të përditësuara rregullisht.

2 Bëjuni rregullisht nga një kopje dokumenteve dhe ruajini në vend të sigurt.

3 Jini të matur. Mos u besoni menjëherë atyre që thuhen në Internet. Te Proverbat 14:15 thuhet: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»

4 Mos u bëni lakmitarë. (Luka 12:15) Hapni sytë nga ato që ofrohen «falas» ose nga sitet që shesin mallra me çmim tepër të ulët. Mund të jetë një karrem që të bini pre.

5 Kini kujdes nga email-et me informacione që nuk keni kërkuar ose nga mesazhet e papritura, sidomos nëse përmbajnë ndonjë link ose kërkojnë të dhënat tuaja personale, si për shembull verifikimin e një fjalëkalimi.​—Proverbat 11:15.

6 Zgjidhni fjalëkalime të vështira për t’u gjetur nga të tjerët. Ndryshoni herë pas here fjalëkalimin tuaj të Internetit dhe mos përdorni të njëjtin fjalëkalim për të hyrë në site të ndryshme ku jeni regjistruar.

7 Jepuani numrin e kartës së kreditit ose të dhënat bankare vetëm siteve të sigurta dhe me emër të mirë.

8 Sigurohuni që t’i shkruani saktë adresat në Internet, sidomos adresat e institucioneve financiare. Vetëm një gabim drejtshkrimi mund t’ju çojë në një sit mashtrues.

9 Përdorni lidhje të koduara për të komunikuar të dhëna që mund të shfrytëzohen nga mashtruesit, si hollësi mbi kartën e kreditit, dhe dilni nga siti pasi të keni mbaruar punë.

10 Kontrolloni shpesh dhe me kujdes regjistrimet e blerjeve që keni bërë me kartën e kreditit dhe llogaritë bankare. Sapo të pikasni ndonjë blerje që nuk e keni bërë, kontaktoni menjëherë me bankën ose kompaninë e kartës së kreditit.

11 Kini kujdes kur përdorni lidhje wireless (Wi-Fi) të pambrojtura, pasi hajdutët mund të vjedhin informacionet dhe t’ju çojnë në site mashtruese të Internetit.

12 Përgjigjjuni jo pyetjes «Remember this pass-word?» që do të thotë: «A ta ruajmë këtë fjalëkalim?» Programet trojane mund të zbulojnë fjalëkalimet tuaja të ruajtura.