Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla​—Një libër me profeci të sakta, Pjesa 1

Bibla​—Një libër me profeci të sakta, Pjesa 1

Bibla​—Një libër me profeci të sakta, Pjesa 1

«Unë do të bëj nga ti një komb të madh»

Në këtë seri me tetë pjesë, «Zgjohuni!» do të diskutojë një veçori mbresëlënëse të Biblës—profecitë e saj, ose parashikimet. Artikujt do t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve: a erdhën thjesht nga disa njerëz të zgjuar profecitë e Biblës? A mbajnë këto parashikime vulën e qartë se janë të frymëzuara nga Perëndia? Ju ftojmë të peshoni dëshmitë.

DYSHIMI dhe skepticizmi janë qëndrime që karakterizojnë kohën tonë, ndaj disa e shohin Biblën me këtë sy. Por është për të ardhur keq që shumë veta as që e marrin ndonjëherë mundimin ta shqyrtojnë Biblën me mendje të hapur. Opinionin e tyre e bazojnë kryesisht te çka thonë të tjerët. A ju duket e arsyeshme kjo? Nëse jo, ejani me ne në një udhëtim pas në kohë, që do të hedhë dritë mbi faktet që vërtetojnë se Bibla është autentike.

Udhëtimi ynë zë fill me një burrë që nderohet edhe sot e kësaj dite nga të krishterët, judenjtë dhe myslimanët. Ai ishte hebre dhe jetoi në vitet 2018-1843 p.e.s. * Emri i tij ishte Abraham. *

Abrahami ishte në qendër të disa prej profecive më të hershme të dokumentuara në Bibël—profeci që na prekin edhe ne sot. (Shih kutinë  «Bekim për ‘të gjitha kombet’».) Sipas librit biblik të Zanafillës, këto parashikime përfshinin sa vijon: (1) Pasardhësit e Abrahamit do të bëheshin një komb i fuqishëm. (2) Teksa formoheshin si komb, do të shërbenin si skllevër në dhé të huaj. (3) Ata do të çliroheshin dhe do të shtinin në dorë vendin e Kanaanit. Le t’i shohim më me hollësi këto pohime.

Tri profeci mbresëlënëse

Profecia 1: «Unë do të bëj nga ti [Abraham] një komb të madh.»​—Zanafilla 12:2.

Plotësimi: Pasardhësit e Abrahamit nga Isaku dhe Jakobi (i quajtur edhe Izrael) formuan kombin e lashtë të Izraelit​—një shtet sovran që kishte mbretërit e vet.

Çfarë tregon historia:

● Në Bibël jepet me mjaft hollësi familja që rridhte nga Abrahami, ku futen pasardhësit e tij nga Isaku, Jakobi dhe 12 bijtë e Jakobit. Kjo gjenealogji përfshin edhe mbretërit e shumtë që sunduan në Izrael ose në Judë. Nga ata sundimtarë, 17 përmenden në burime që s’kanë lidhje me Biblën. Të dhënat e tyre përputhen me historinë biblike që tregon si u bënë një komb pasardhësit e Abrahamit nga Isaku dhe Jakobi. *

Profecia 2: «Ata që do të vijnë nga fara jote [e Abrahamit], do të jenë banorë të ardhur në një vend që s’është i tyre. Kanë për t’u bërë skllevër . . . Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu.»​—Zanafilla 15:13, 16.

Plotësimi: Për shkak të një zie buke në Kanaan, katër breza të pasardhësve të Abrahamit jetuan në Egjipt, në fillim si të ardhur, por më vonë si skllevër që i vinin të bënin tulla me baltë dhe kashtë. Duke marrë vetëm një familje​—atë të stërnipit të Abrahamit, Levit, i cili u shpërngul në Egjipt me babanë e moshuar—​katër brezat janë: (1) Levi, (2) biri i tij Kehathi, (3) nipi i tij Amrami dhe (4) stërnipi i tij Moisiu. (Dalja 6:16, 18, 20) Në vitin 1513 p.e.s., Moisiu i nxori izraelitët nga Egjipti.​—Shih  tabelën kronologjike poshtë dhe kutinë  «Përcaktim i saktë i kohës».

Çfarë tregon historia:

● Sipas Xhejms K. Hofmajerit, profesor i arkeologjisë së Besëlidhjes së Vjetër dhe Lindjes së Afërt, qoftë shkrimet egjiptiane, qoftë dëshmitë arkeologjike tregojnë se semitët (ku futen edhe hebrenjtë e lashtë) lejoheshin të hynin në Egjipt me gjithë bagëtitë e tyre në kohë zie buke. Por, a u kthyen në skllevër izraelitët atje, të detyruar të bënin tulla?

● Paçka se në dokumentet egjiptiane izraelitët nuk përmenden, vizatimet në varret egjiptiane dhe rrotullat e tyre vërtetojnë se egjiptianët i vinin në punë të huajt që të bënin tulla me baltë e kashtë. Gjithashtu, në harmoni me Biblën, dokumentet egjiptiane tregojnë se përgjegjësit mbanin shënim sa tulla duheshin bërë. (Dalja 5:14, 19) Hofmajeri thotë: «Burimet egjiptiane vërtetojnë se, gjatë periudhës që izraelitët ishin të shtypur, të huajt detyroheshin të punonin si skllevër . . . Me pak fjalë, duket se hyrja e hebrenjve të lashtë në Egjipt . . . gjatë zisë së bukës dhe skllavërimi i tyre i mëvonshëm janë fakte autentike.»

Profecia 3: ‘Farës sate do t’i jap . . . gjithë vendin e Kanaanit.’​—Zanafilla 17:8.

Plotësimi: Moisiu e nxori nga Egjipti kombin e Izraelit që po formohej, por ishte Josiu, biri i Nunit, ai që i priu popullit drejt Kanaanit më 1473 p.e.s.

Çfarë tregon historia:

● Ndonëse arkeologët mund të mos jenë në një mendje për datat, «nuk diskutohet se Izraeli hyri në Kanaan dhe u vendos atje», shkruan K. A. Kiçeni, profesor nderi i egjiptologjisë.

● Në Bibël lexojmë se Josiu ‘i vuri zjarrin [qytetit kananit të] Hazorit’. (Josiu 11:10, 11) Në gërmadhat e këtij qyteti, arkeologët nxorën në dritë tre tempuj kananitë që ishin shkatërruar plotësisht. Gjithashtu, gjetën dëshmi se qytetit i ishte vënë zjarri në vitet 1400 p.e.s. Këto fakte janë në harmoni me Biblën.

● Një tjetër qytet kananit që ngjall interes është Gibeoni, i cili ndodhej gati 9,6 km larg Jerusalemit. Arkeologët përcaktuan se bëhej fjalë për këtë qytet kur gjetën atje rreth 30 doreza shtambash në të cilat ishte gdhendur emri i qytetit. Ndryshe nga banorët e Hazorit, gibeonitët e lashtë bënë paqe me Josiun. Pas kësaj, ai i caktoi ‘të nxirrnin ujë’. (Josiu 9:3-7, 23) Pse u dha atë punë? Me sa tregohet te 2 Samuelit 2:13 dhe te Jeremia 41:12, Gibeoni ishte i bekuar me ujë të bollshëm. Kështu, në harmoni me tregimin biblik, në një botim thuhet: «Në të vërtetë, veçoria më e spikatshme e Gibeonit është rezerva e bollshme natyrore me ujë: një burim kryesor dhe shtatë burime më të vogla.»​—Archaeological Study Bible, New International Version.

● Dokumentet historike vërtetojnë ekzistencën e dhjetëra njerëzve të përmendur në Bibël. Siç u tha më lart, kjo listë përfshin emrat e 17 mbretërve pasardhës të Abrahamit që sunduan në Izrael ose Judë. Ndër ta janë: Akabi, Akazi, Davidi, Hezekia, Manaseu dhe Uziahu. Pa dyshim, ekzistenca e këtyre dinastive mbretërore është argument i fortë se një komb i quajtur Izrael hyri në Kanaan dhe e shtiu në dorë atë vend.

● Më 1896, studiuesit zbuluan Stelën e Merneptahut në Tebë të Egjiptit. Në këtë reliev, faraoni Merneptah mburret për fushatën e tij ushtarake në Kanaan rreth vitit 1210 p.e.s. Ky është referimi i parë i njohur jobiblik për Izraelin dhe është një provë tjetër e ekzistencës së këtij kombi.

Të mirat e hollësive

Siç e kemi parë, Bibla është e pasur në hollësi për njerëz, vende dhe ngjarje. Falë këtyre hollësive mund ta krahasojmë atë që thotë Bibla me burimet jobiblike, çka na ndihmon të vërtetojmë plotësimin e profecive të saj. Për sa i përket Abrahamit dhe farës së tij, faktet tregojnë se premtimet e Perëndisë u plotësuan​—fara e Abrahamit u bë vërtet një komb, u kthyen në skllevër në Egjipt dhe më vonë pushtuan Kanaanin. E gjithë kjo na sjell në mend fjalët e shkrimtarit biblik Pjetër, i cili pranoi me përulësi: «Profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»​—2 Pjetrit 1:21.

Në shekujt që rrodhën pas pushtimit të Kanaanit nga Izraeli, historia e kombit mori një kthesë rrënjësore që solli pasoja tragjike. Edhe ato pasoja ishin parathënë nga shkrimtarët e Biblës, siç do të tregohet në numrin vijues.

[Shënimet]

^ par. 5 «p.e.s.» është shkurtim i «para erës sonë».

^ par. 5 Abrahami në fillim quhej Abram.

^ par. 11 Shih 1 Kronikave 1:27-34; 2:1-15; 3:1-24. Gjatë mbretërimit të Rehoboamit, bir i mbretit Solomon, kombi i Izraelit u nda në mbretërinë veriore dhe mbretërinë jugore. Pas kësaj, në Izrael sundonin njëherazi dy mbretër.​—1 Mbretërve 12:1-24.

[Kutia në faqen 17]

 BEKIM PËR «TË GJITHA KOMBET»

Perëndia premtoi se me anë të farës së Abrahamit, do të merrnin bekime njerëz nga «të gjitha kombet». (Zanafilla 22:18) Arsyeja kryesore pse Perëndia i bëri një komb pasardhësit e Abrahamit ishte që nga ai komb të vinte Mesia, i cili do të jepte jetën për gjithë njerëzimin. * Pra, premtimi që i bëri Perëndia Abrahamit përfshin secilin nga ne. Te Gjoni 3:16 thuhet: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»

[Shënimi]

^ par. 34 Profecitë që lidhen drejtpërdrejt me identitetin e Mesisë, do të trajtohen në pjesët 3 dhe 4 të kësaj serie.

[Kutia në faqen 17]

 PËRCAKTIM I SAKTË I KOHËS

Një shembull që nënvizon sa vlerë ka fakti që Bibla i përcakton me saktësi kohët, e gjejmë te 1 Mbretërve 6:1, ku tregohet koha kur mbreti Solomon filloi punimet në tempullin e Jerusalemit. Atje lexojmë: «Katërqind e tetëdhjetë vjet [479 vite të plota] pas daljes së bijve të Izraelit nga vendi i Egjiptit, në muajin ziv, domethënë në muajin e dytë të vitit të katërt të mbretërimit të Solomonit në Izrael, ai nisi të ndërtonte shtëpinë e Jehovait.»

Kronologjia biblike tregon se viti i katërt i mbretërimit të Solomonit ishte viti 1034 p.e.s. Duke numëruar mbrapsht nga kjo datë 479 vite të plota, arrijmë në vitin 1513 p.e.s., pra gjejmë vitin e Daljes së Izraelit nga Egjipti.

[Kutia në faqen 18]

ABRAHAMI: PERSONAZH HISTORIK

● Në disa pllaka argjile që i përkasin fillimit të mijëvjeçarit të dytë p.e.s., renditen qytete që mbajnë emrat e të afërmve të Abrahamit. Ndër këto qytete janë Pelegu, Serugu, Nahori, Terahu dhe Harani.​—Zanafilla 11:17-32.

● Te Zanafilla 11:31, lexojmë se Abrahami me familjen e tij u shpërngulën nga «Uri i kaldeasve». Rrënojat e këtij qyteti u zbuluan në juglindje të Irakut. Gjithashtu, Bibla thotë se i ati i Abrahamit, Terahu, vdiq në qytetin e Haranit, që ka shumë të ngjarë të ndodhej në Turqinë e sotme, dhe se gruaja e Abrahamit, Sara, vdiq në Hebron, një nga qytetet më të lashta në Lindjen e Mesme ku ka ende banorë.​—Zanafilla 11:32; 23:2.

[Tabela dhe figura në faqet 16, 17]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

 KRONOLOGJIA E FARËS SË ABRAHAMIT DHE E DALJES SË IZRAELIT

Katër breza të pasardhësve të Abrahamit

Levi

Kehathi

Amrami

Moisiu

(p.e.s.)

1843 Vdes Abrahami

1728 Jakobi shpërngulet me familjen në Egjipt

1711 Vdes Jakobi

1657 Vdes Jozefi

1593 Lind Moisiu

1513 Moisiu nxjerr Izraelin nga Egjipti

1473 Vdes Moisiu. Josiu u prin izraelitëve drejt Kanaanit

Epoka e gjykatësve

1117 Samueli miros Saulin si mbretin e parë të Izraelit

1107 Lind Davidi

1070 Davidi bëhet mbret i Izraelit

1034 Solomoni fillon ndërtimin e tempullit

[Figura]

Kjo stelë fitoreje, ku janë skalitur fjalët «shtëpia e Davidit», është një nga burimet ku përmenden mbretërit pasardhës të Abrahamit që sunduan në Izrael ose Judë

[Burimi]

© Israel Museum, Jerusalem/​The Bridgeman Art Library International