A është projektuar?
Krahu hidrofil i brumbullit të Namibit
● Rreth 900 milionë njerëz në botë nuk kanë ujë të pijshëm. Në shumë zona u bie barra grave e fëmijëve të bëjnë rrugë të gjata që të gjejnë ujë e pastaj ta mbartin deri në shtëpi. «Më duket e tmerrshme që të varfrit duhet të ecin orë të tëra çdo ditë, vetëm e vetëm që të sigurojnë një nevojë bazë»,—thotë Shrerang Çatri, inxhinier në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets. Për të lehtësuar situatën, Çatri dhe kolegët e tij po hulumtojnë teknikën e mbledhjes së ujit nga mjegulla, dhe burim frymëzimi kanë brumbullin e Namibit.
Shqyrtoni faktet: Çdo mëngjes, një mjegull përshkon për pak çaste shkretëtirën e Namibit në Afrikë. Brumbulli i Namibit nuk lë t’i ikë ky rast, por kthehet kundrejt erës tamam në këndin e duhur. * Gungat në krahë përbëhen nga një lëndë hidrofile që tërheq lagështinë. Dora-dorës që lagështia shtohet, pikëzat zmadhohen. Pastaj, nga forca e rëndesës dhe ngaqë ullukët mes gungave janë të papërshkueshëm nga uji, pikëzat rrëshqasin në krah dhe futen në gojën e brumbullit.
Çatri dhe bashkëpunëtorët e tij duan të përdorin një parim të ngjashëm që të mbledhin ujë të pijshëm për njerëzit. S’do mend, njerëzve u duhet më shumë ujë për të mbijetuar se ç’i duhet brumbullit të Namibit. Gjithashtu, financimi i kësaj sipërmarrjeje paraqet vështirësi kolosale. Tani për tani, mbledhja e ujit nga mjegulla që ta përdorin njerëzit, mbetet «një punë në rrugë e sipër», siç shprehet Çatri.
Si mendoni? A erdhi me evolucion krahu hidrofil i brumbullit të Namibit, apo është projektuar?
[Shënimi]
^ par. 4 Është vërejtur se lloje të tjera brumbujsh e mbledhin ujin në mënyrë të ngjashme.
[Figura në faqen 22]
Në krah formohen pikëza uji dhe rrjedhin drejt gojës së brumbullit
[Burimi i figurës në faqen 22]
Fotografia: Chris Mattison Photography/photographersdirect.com