Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Përse prindërit nuk më kuptojnë?

Përse prindërit nuk më kuptojnë?

IMAGJINO NJË SITUATË TË TILLË.

Është e premte mbrëma, ora gjashtë. Toni 17-vjeçar sulet drejt derës për të dalë. «Pafshim! Ika unë!»—u thotë prindërve, me shpresë se do të harrojnë të bëjnë pyetjen e pashmangshme.

Ai duhet ta dijë që ata nuk rrinë pa e pyetur.

«Kur do të kthehesh Toni?»—e pyet e ëma.

Toni ndalet. «Mmm . . . ,—thotë ai duke belbëzuar,—më mirë mos më prisni zgjuar!» Toni hap derën dhe bën të ikë, por i ati e thërret: «Elton, prit pak, prit!»

Toni ndalet përsëri dhe dëgjon zërin e rreptë të të atit: «Ti i di rregullat. Në dhjetë fiks, të mos kemi llafe!»

«Ohu, babi!—thotë i pakënaqur Toni duke u kthyer nga i ati,—E di sa siklet është t’u them shokëve që duhet të kthehem kaq herët në shtëpi?»

Babi nuk lëshon pe. «Në dhjetë fiks,—përsërit ai,—të mos kemi llafe!»

MBASE të ka ndodhur edhe ty kështu. Për çfarëdo që të ketë qenë, për orarin e kthimit në shtëpi, për muzikën, shokët ose veshjen, prindërit vënë një rregull dhe s’tunden nga e veta. Ja ca shembuj:

«Pasi u martua me mamin, njerku u bë shumë strikt për çdo lloj muzike që më pëlqente. M’u desh të hidhja në kosh të gjitha CD-të që kisha.»​—Brendoni. *

«Mami më qorton se nuk kam shoqe. Pastaj kur i kërkoj leje të rri me dikë, nuk më lë ngaqë nuk e njeh. S’di ç’të bëj!»​—Karola.

«Babi dhe njerka më lënë të vesh vetëm bluza që më rrinë si thes. Babi e ka fiksim që pantallonat e shkurtra të mos jenë sipër gjurit, përndryshe janë tepër të shkurtra!»​—Serena.

Ç’mund të bësh nëse ti dhe prindërit nuk jeni në një mendje? A mund të flasësh me ta? «Prindërit e mi zakonisht s’duan të ma vënë veshin»,—thotë Joana 17-vjeçare. Emi 15-vjeçare thotë: «Kur shoh që prindërit nuk më kuptojnë, e mbyll gojën dhe kaq.»

Megjithatë, mos u dorëzo kaq shpejt! Prindërit mund të duan të dëgjojnë më shumë nga sa mendon ti.

Mendo: Edhe Perëndia dëgjon kur njerëzit i flasin për çështjet e tyre. Për shembull, Jehovai e dëgjoi Moisiun kur foli në emër të izraelitëve kryeneçë.​—Dalja 32:7-14; Ligji i përtërirë 9:14, 19.

Mund të mendosh se prindërit nuk janë aq të arsyeshëm sa Perëndia. Dhe kuptohet që nuk është njësoj: Moisiu i foli Jehovait për fatin e një kombi të tërë, kurse ti do të flasësh me mamin ose babin për t’u kthyer në shtëpi pak më vonë. Sidoqoftë parimi është i njëjtë:

Nëse është fjala për një gjë të drejtë, njerëzit me autoritet​—në këtë rast prindërit e tu—​mund të tregohen të gatshëm të të dëgjojnë deri në fund.

Sekreti është si e paraqet çështjen! Hapat e mëposhtëm do të të ndihmojnë ta bësh këtë sa më mirë:

  1. Përcakto problemin. Shkruaj më poshtë për çfarë nuk bini ende dakord ti dhe prindërit.

  2. Përcakto si ndihesh. Shkruaj më poshtë me një fjalë se si të bën të ndihesh ajo që mendojnë prindërit​—i lënduar, i trishtuar, në siklet, sikur s’kanë besim tek ti ose diçka tjetër. (Shembull: Në situatën e përshkruar në fillim të këtij artikulli, Toni tregon se orari strikt i prindërve e vë në siklet para shokëve.)

  3. Mendo si të ishe prind. Mendo sikur ke një adoleshent që ka problemin që përcaktove në hapin e parë. Po të ishe prind, çfarë do të të shqetësonte më shumë dhe pse? (Shembull: Në situatën në hyrje të artikullit, prindërit e Tonit mund të kenë frikë se mos i ndodh ndonjë gjë.)

  4. Shqyrtoje edhe një herë çështjen. Përgjigjju pyetjeve të mëposhtme:

    Ç’të mirë sheh në mendimin e prindërve?

    Ç’mund të bësh për t’ua hequr sadopak merakun?

  5. Fol me prindërit dhe mendo për ndonjë zgjidhje që mund të gjeni bashkë. Duke ndjekur hapat e mësipërm, si dhe duke shqyrtuar sugjerimet në kutinë « Këshilla për komunikimin», mund të kuptosh se është e mundur të komunikosh me prindërit si i pjekur. Keli ka arritur të krijojë këtë lloj raporti me prindërit e saj. «Duke u ngrënë me fjalë nuk arrin askund. Plus, është e sigurt që nuk fiton gjë,—thotë ajo.—Sekreti im është që flas hapur me prindërit. Gati gjithmonë kemi gjetur një rrugë të mesme e të gjithë kemi mbetur të kënaqur.»

 

^ par. 12 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.