Bibla—Një libër me profeci të sakta, Pjesa 4
Bibla—Një libër me profeci të sakta, Pjesa 4
Bibla paratha se Krishti do të vuante e do të vdiste
Në këtë seri me tetë pjesë, «Zgjohuni!» po shqyrton një veçori mbresëlënëse të Biblës—profecitë e saj, ose parashikimet. Artikujt do t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve: a erdhën thjesht nga disa njerëz të zgjuar profecitë e Biblës? A mbajnë këto parashikime vulën e qartë se janë të frymëzuara nga Perëndia? Ju ftojmë të peshoni dëshmitë.
KUR Jezu Krishti ishte në tokë afro 2.000 vjet më parë, e dinte se armiqtë e tij do ta vritnin mizorisht. Nga e dinte këtë? I njihte mirë profecitë që lidheshin me të, të cilat gjenden në Shkrimet Hebraike ose «Dhiatën e Vjetër». Disa nga këto parashikime i shkroi profeti Isaia më shumë se 700 vjet para se të lindte Jezui. Si mund të jemi të sigurt se fjalët e Isaisë u shkruan para se të ndodhnin ngjarjet?
Më 1947, në Cisjordani, një bari beduin gjeti disa rrotulla të fshehura në një shpellë në Kumran, në bregun veriperëndimor të Detit të Vdekur. Ato rrotulla, bashkë me të tjera që u gjetën në shpellat fqinje, u quajtën Rrotullat e Detit të Vdekur. Ndër to është një kopje e librit të plotë të Isaisë. * Ajo daton rreth shekullit të dytë para lindjes së Jezuit. Pra, në të vërtetë, ato që shkroi Isaia ishin profeci. Çfarë paratha ai për vuajtjet e Krishtit ose të Mesisë? * Le të shohim dy nga profecitë e Isaisë.
U parathanë vuajtjet e Krishtit
Profecia 1: «E shtrova kurrizin para atyre që më goditnin.»—Isaia 50:6. *
Plotësimi: Në vitin 33 të e.s., armiqtë judenj të Jezuit e nxorën para Ponc Pilatit, guvernatorit romak, që ta gjykonte. Guvernatori e kuptoi se Jezui ishte i pafajshëm dhe u mundua ta lironte. Por, ngaqë judenjtë ulërinin e këmbëngulnin që Jezui të vdiste, Pilati «dha vendimin që kërkesa e tyre të plotësohej» e ua dha ta vinin në shtyllë. (Luka 23:13-24) Megjithatë, më parë «Pilati e mori Jezuin dhe e fshikulloi», domethënë urdhëroi ta rrihnin fort me kamxhik. (Gjoni 19:1) Siç kishte parathënë Isaia, Jezui nuk kundërshtoi, por ‘e shtroi kurrizin para atyre që e goditnin’.
Çfarë tregon historia:
● Historia vërteton se romakët e kishin zakon t’i fshikullonin viktimat para se t’i ekzekutonin. Sipas një vepre referimi, «fshikullimi bëhej me një kamxhik me rripa lëkure të cilët rëndoheshin me copa plumbi ose metali të mprehtë. Viktimën . . . e goditnin në kurrizin e zhveshur . . . derisa i çahej mishi. Nganjëherë kjo çonte në vdekje». Sidoqoftë, Jezui i mbijetoi kësaj peripecie të parë.
U paratha vdekja e Krishtit
Profecia 2: «E zbrazi shpirtin e tij deri në vdekje.» (Isaia 53:12) * Duke shtuar më shumë informacion, Psalmi 22:16 thotë: «Një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.»—Diodati i Ri.
Plotësimi: Te Marku 15:15 thuhet: ‘Pilati urdhëroi që Jezuin ta rrihnin me kamxhik, dhe pastaj ua dha që ta vinin në shtyllë.’ Në rastin e Jezuit, kjo formë mizore e dënimit kapital përfshiu gozhdimin duar e këmbë në shtyllë. (Gjoni 20:25) Disa orë më vonë, «Jezui lëshoi një britmë të fortë dhe dha frymë».—Marku 15:37.
Çfarë tregon historia:
● Ndonëse historia jofetare nuk flet shumë për mënyrën si vdiq Jezui, historiani i respektuar romak Tacit, i lindur rreth vitit 55 të e.s., shkroi: «Kristusin, prej nga vjen ky emër [të krishterë], e dënoi me vdekje një prej guvernatorëve tanë, Ponc Pilati, gjatë mbretërimit të Tiberit.» * Fjalët e Tacitit janë plotësisht në harmoni me tregimet e ungjijve, pasi edhe ato përmendin Tiberin Cezar, Ponc Pilatin dhe funksionarë të tjerë.—Luka 3:1; 23:1-33; Gjoni 19:1-24.
Gjithashtu, historia vërteton se romakët i vinin në shtyllë skllevërit dhe ata që konsideroheshin kriminelë të përbuzur. Nganjëherë romakët i lidhnin në shtyllë viktimat. Herë të tjera përdornin gozhdë. Siç thotë një vepër referimi, «gozhdët nguleshin në duar e këmbë dhe viktima lihej varur në agoni», duke vuajtur nga «etja e padurueshme dhe duke u përpëlitur nga dhembje të llahtarshme».
Siç u përmend më lart, Jezui e dinte shumë kohë përpara se do të kishte një vdekje mizore. Kështu, ndërsa po i afrohej fundi, ai burrë i guximshëm u tha dishepujve besnikë: «Ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë në dorë të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë paganëve, që do të tallen me të, do ta fshikullojnë e Mateu 20:18, 19) Por, disa pyesin: pse duhej të vdiste Jezui? Përgjigjja e kësaj pyetjeje na prek të gjithëve ne, dhe është lajmi më i mirë që mund merrnim ndonjëherë.
do ta vënë në shtyllë.» («E shtypën për fajet tona»
Si njerëz të papërsosur, shpesh gabojmë, e këtë Bibla e quan mëkat. Mëkati mund të krahasohet me copat e vockla të zhavorrit që hyjnë në një motor. Dalëngadalë, zhavorri do ta konsumojë motorin derisa të mos punojë më. Po ashtu, si pasojë e mëkatit ne plakemi, sëmuremi dhe vdesim. «Paga që paguan mëkati është vdekja»,—thuhet te Romakëve 6:23. Megjithatë, vdekja e Krishtit na jep mundësi të shpëtojmë nga kjo situatë tragjike. Si? Në një profeci tjetër të jashtëzakonshme, Isaia shkroi se Krishti do të vdiste «për shkeljet tona» ose do të shtypej «për fajet tona», dhe se «falë plagëve të tij, ne jemi shëruar». *—Isaia 53:5.
Profecia e Isaisë na sjell ndër mend fjalët e Jezuit te Gjoni 3:16: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»
Si mund të ushqesh besim te Jezui? Duke mësuar për të. Në një lutje, Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Këtë njohuri të çmuar e gjejmë në Bibël.—2 Timoteut 3:16.
Kuptohet, Jezui dëshiron që sa më shumë njerëz të fitojnë jetën e përhershme. Ja pse bëri këtë parashikim të jashtëzakonshëm pak para se të vdiste: «Ky lajm i mirë për mbretërinë [qeveria e Perëndisë, që do të vërë në zbatim dobitë e flijimit të Krishtit] do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:14) Siç do ta shohim në dy artikujt vijues të kësaj serie, edhe kjo profeci doli plotësisht e saktë.
[Shënimet]
^ par. 5 E vetmja rrotull e plotë përmban krejt librin e Isaisë. Të tjerat janë fragmente rrotullash.
^ par. 5 Shih Zgjohuni! të korrikut 2012 për profeci të tjera biblike që ndihmojnë për identifikimin e Mesisë.
^ par. 7 Konteksti tregon se kjo profeci i referohet Krishtit. Për shembull, vargu 8 thotë: «Ai [Perëndia] që më shpall të drejtë [Jezu Krishtin], është afër.» Kur jetoi në tokë, Jezui ishte i vetmi njeri i drejtë, domethënë pa mëkat, në sytë e Perëndisë.—Romakëve 3:23; 1 Pjetrit 2:21, 22.
^ par. 12 Isaia 52:13–53:12 përmban shumë hollësi profetike për Mesinë. Për shembull, Isaia 53:7 thotë: «Po e çonin si delen në thertore. . . . Ai nuk e hapi gojën.» Vargu 10 shton se e paraqiti shpirtin «si blatim për fajin».
^ par. 15 Edhe kronistë të tjerë të lashtë e përmendin Krishtin. Mes tyre janë: historiani i respektuar romak Suetoni (shekulli i parë); Plini i Ri, guvernator i Bitinisë (fillimi i shekullit të dytë) dhe historiani jude Jozef (shekulli i parë), që përmend «Jakovin, vëllanë e Jezuit që quhej Krisht».
^ par. 19 Jezui «nuk kreu asnjë mëkat», prandaj nuk meritonte ta humbte jetën. (1 Pjetrit 2:22) Përkundrazi, e dha për ne, duke shlyer dënimin për mëkatet tona e duke na shpenguar nga kthetrat e vdekjes. Prandaj, vdekja e Jezuit është quajtur flijim ‘shpërblyes’. (Mateu 20:28) Për më shumë informacione rreth kësaj, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në sitin www.mr1310.com.
[Kutia dhe figura në faqen 20]
PARAQITNIN VDEKJEN FLIJUESE TË KRISHTIT
Ligji që i dha Perëndia kombit të Izraelit përmbante rregulla që paraqitnin ose shërbenin si model i asaj që do të bënte më vonë Mesia. Për shembull, kur një izraelit mëkatonte, pra kur nuk i bindej Perëndisë, duhej të flijonte një kafshë të shëndetshme. (Levitiku 17:11; 22:21) A mund ta shlyenin plotësisht mëkatin kafshët e flijuara? Jo. (Hebrenjve 10:4) Por mund të paraqitnin—dhe e paraqitën vërtet—flijimin që do të mbulonte mëkatin, flijimin e ‘Qengjit të Perëndisë që heq mëkatin e botës’. (Gjoni 1:29; Hebrenjve 10:1, 5-10) Të gjithë ata që tregojnë besim te ky Qengj i figurshëm, Jezu Krishti, kanë shpresën e çmuar që të jetojnë përgjithmonë.—Gjoni 6:40.