Pikëpamja e Biblës
A janë katastrofat natyrore ndëshkim nga Perëndia?
DISA besojnë se Perëndia i përdor katastrofat natyrore për t’i dënuar njerëzit. Të tjerë e hedhin poshtë këtë ide. Ka edhe nga ata që nuk dinë ç’të besojnë. Një profesor në fushën e studimeve fetare tha: «Shumica e feve pranojnë se kur ndodh një katastrofë natyrore, askush nuk mund ta dijë me siguri nëse është vullneti i Perëndisë.»
Gjithsesi, Bibla jep përgjigje të kënaqshme. Ajo hedh dritë mbi pyetjen nëse Perëndia i përdor katastrofat natyrore për të ndëshkuar njerëzit sot. Gjithashtu, na tregon çfarë fshihet pas vuajtjeve që heqin shumë veta.
Një model nga Shkrimet
Bibla tregon dy të vërteta themelore për Perëndinë, emri i të cilit është Jehova. Së pari, ai është Krijuesi dhe, si i tillë, ka fuqi dhe autoritet t’i mbajë nën kontroll forcat e natyrës. (Zbulesa 4:11) Së dyti, veprimet e tij janë gjithmonë në harmoni me personalitetin, me cilësitë dhe me parimet e tij. Te Malakia 3:6 ai thotë: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar.» Duke mbajtur parasysh këto, le të shohim dy ngjarje të së kaluarës, njëra për një përmbytje dhe tjetra për një periudhë thatësire. Nga historia e Biblës do të shohim se, kur Perëndia përdorte forcat e natyrës për të ekzekutuar gjykimet e tij, gjithmonë jepte (1) një paralajmërim, (2) një arsye dhe (3) mbrojtje për adhuruesit e bindur.
Përmbytja e ditëve të Noesë
Paralajmërimi.
Dekada para Përmbytjes, Jehovai i tha Noesë: «Ja, unë do të derdh në tokë ujërat e përmbytjes, që të shkatërroj çdo mish.» (Zanafilla 6:17) Noeja, ‘një predikues i drejtësisë’, i paralajmëroi njerëzit, por ata «nuk kushtuan vëmendje».—2 Pjetrit 2:5; Mateu 24:39.
Arsyeja.
Jehovai deklaroi: «Çdo mishi i ka ardhur fundi, sepse toka është plot dhunë për shkak të tyre.»—Zanafilla 6:13.
Mbrojtja për adhuruesit e bindur.
Jehovai i dha Noesë udhëzime specifike për ndërtimin e një arke, që t’i mbijetonin Përmbytjes të gjithë ata që do të futeshin në të. ‘Noeja dhe ata që ishin me të në arkë mbijetuan.’—Zanafilla 7:23.
Thatësira në Izrael
Paralajmërimi.
Para se Perëndia Jehova të sillte një thatësirë të madhe në Izrael, profeti i tij Elija shpalli: «Gjatë këtyre viteve nuk do të bjerë as vesë, as shi, përveçse me urdhrin [e Perëndisë]!»—1 Mbretërve 17:1.
Arsyeja.
Jehovai e bëri këtë ngaqë Izraeli adhuronte Baalin, një perëndi të rreme. Elija i shpjegoi mbretit Akab: «Keni lënë urdhërimet e Jehovait dhe ke ndjekur Baalët.»—1 Mbretërve 18:18.
Mbrojtja për adhuruesit e bindur.
Gjatë thatësirës, Jehovai u siguroi ushqim adhuruesve të bindur.—1 Mbretërve 17:6, 14; 18:4; 19:18.
Ç’tregon modeli biblik
Nuk ka asnjë provë se sot katastrofat natyrore janë pjesë e një plani për të ndëshkuar njerëzit. Si Perëndia i drejtësisë, Jehovai kurrë nuk e ‘ka shkatërruar të drejtin bashkë me të ligun.’ (Zanafilla 18:23, 25) Ai u siguroi gjërat e nevojshme atyre që i bindeshin. Sot, katastrofat natyrore prekin pa dallim burra, gra dhe fëmijë.
Perëndia nuk është përgjegjës për mjerimet që u bien njerëzve
Duket qartë se katastrofat natyrore në ditët tona nuk përputhen me modelin biblik që tregon se si ndërhyn Perëndia. Për më tepër, këto ngjarje të rastësishme nuk janë në harmoni me personalitetin e Perëndisë. Te Jakovi 1:13 thuhet se Perëndia nuk i sprovon njerëzit me gjëra të liga, dhe te 1 Gjonit 4:8 gjithë natyra e tij përmblidhet me fjalët «Perëndia është dashuri». Ai nuk mund të jetë kurrë përgjegjës për mjerimet që u bien njerëzve të pafajshëm si pasojë e dukurive të rastësishme si stuhitë, tërmetet a tragjedi të ngjashme. A do të marrin ndonjëherë fund katastrofa të tilla?
Vuajtjet do të marrin fund
Perëndia Jehova nuk kishte kurrë si qëllim që njerëzimin ta pllakosnin katastrofat natyrore. Vullneti i tij është që të jetojmë përgjithmonë në tokë në kushte paqësore. Si në ditët e Noesë, ai do të ndërhyjë në çështjet e njerëzimit për t’i dhënë fund ligësisë. Siç ka vepruar përherë, Perëndia Jehova po i njofton njerëzit me anë të një mesazhi paralajmërues që po shpallet në mbarë botën. Kështu, ata që ia vënë veshin, do të kenë mundësinë të mbijetojnë.—Psalmi 37:9, 11, 29; Mateu 24:14.