TEMA KRYESORE
Fundi i dhunës në familje
Skena nr. 1: Izabelës * i kanë ardhur prindërit për vizitë. Kalojnë një mbrëmje të bukur së bashku duke bërë biseda të këndshme. Prindërit e saj e shohin me krenari dhëndrin. E kush nuk do të ndihej krenar për një dhëndër të tillë?! Ua trajton vajzën si princeshë.
Skena nr. 2: Iliri është gjithë nerva. Edhe këtë herë nervat i shfryn siç e ka zakon: i gjuan gruas me shpulla, i hyn me shkelma, ia shkul flokët dhe ia përplas kushedi sa herë kokën pas murit.
MUND të çuditeni, por në këto dy skena është i njëjti çift.
Ashtu si shumë burra që ushtrojnë dhunë në familje, Iliri di si ta bëjë «burrin e mirë» para të tjerëve ose prindërve të saj. Por, kur është vetëm me gruan, kthehet në bishë të vërtetë.
Shumë burra si Iliri janë rritur në familje të dhunshme dhe, kur martohen, mendojnë se kjo sjellje është më se e pranueshme,
madje normale. Por dhuna në familje nuk është aspak normale. Ja pse shumë njerëz ndiejnë neveri kur dëgjojnë se një burrë ka rrahur gruan.Megjithatë, është për të ardhur keq që dhuna në familje është bërë më se e zakonshme. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara është llogaritur se, brenda një dite, u raportuan mesatarisht 16 thirrje telefonike në minutë për ndihmë nga dhuna në familje. Në mbarë botën, dhuna në familje ka marrë përmasa epidemike në çdo kulturë, shtresë dhe grup shoqëror. Por, duke pasur parasysh që shumë raste nuk raportohen fare, pa dyshim situata është më keq se ç’tregojnë statistikat. *
Kur dëgjon këto statistika, lindin pyetje të tilla: si ka mundësi që një burrë të arrijë deri aty sa të trajtojë dikë kaq mizorisht, e aq më tepër gruan e vet? A mund të ndihmohen këta burra?
Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste, besojnë se këshillat praktike të Biblës mund ta ndihmojnë një njeri të dhunshëm të ndryshojë. A është i lehtë ky shndërrim? Jo. A është i pamundur? Përsëri jo. Bibla ka ndihmuar shumë njerëz që ta lënë dhunën dhe të bëhen të dashur e të respektueshëm. (Kolosianëve 3:8-10) Le të shohim rastin e Troit dhe të Valerias.
Çfarë marrëdhënieje kishit në fillim?
Valeria: Ditën e fejesës, Troi më gjuajti kaq fort me shpullë, sa s’më iku e nxira për një javë. Më kërkoi shumë herë të falur dhe më premtoi se nuk do ta
përsëriste më. Vitet në vazhdim, këto fjalë do t’i dëgjoja kushedi sa herë.Troi: Çdo gjë më ngrinte nervat, për shembull, kur darka s’ishte gati. Një ditë e godita disa herë me qytën e pistoletës. Në një rast tjetër, e rraha kaq keq sa mendova se e lashë të vdekur. Njëherë tjetër, e frikësova duke i vënë thikën djalit në grykë dhe duke e kërcënuar se do ta vrisja.
Valeria: Isha gjithë kohës me gjak të ngrirë. Ndonjëherë më duhej të ikja nga shtëpia, sa të qetësohej Troi. Megjithatë, më të vështirë e kisha të duroja abuzimin me fjalë.
Troi, a ishe që i vogël i dhunshëm?
Troi: Po, që i vogël. U rrita në një familje të dhunshme. Babai e rrihte shpesh mamanë para nesh, fëmijëve. Pasi ai iku, mamaja filloi të jetonte me një tjetër. Edhe ai e rrihte. Përdhunoi motrën—dhe mua. Për këtë e futën në burg. Sigurisht, e kuptoj që ky nuk është justifikim për sjelljen time.
Valeria, pse nuk i dhe fund martesës?
Valeria: Nga frika. Mendoja: «Po sikur të më ndjekë e të më vrasë mua ose prindërit e mi? Po sikur ta kallëzoj në polici dhe situata të keqësohet?»
Kur filluan të ndryshonin gjërat?
Troi: Gruaja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Në fillim u bëra xheloz për miqtë e saj të rinj dhe mendova se duhej ta shpëtoja nga ky «sekt» i çuditshëm. Prandaj u bëra edhe më i dhunshëm jo vetëm me Valerian, por edhe me Dëshmitarët. Megjithatë, një ditë, djali ynë 4-vjeçar, Danieli, ishte sëmurë dhe u shtrua në spital për gati tri javë. Gjatë asaj periudhe, Dëshmitarët u bënë copë për ne, madje u kujdesën edhe për Dezirenë, vajzën tonë 6-vjeçare. Një Dëshmitar, edhe pse kishte qenë turni i tretë në punë, ndenji gjithë ditën me Danielin, që Valeria të flinte pak. Mirësia e këtyre njerëzve, që unë i kisha trajtuar harbutërisht, më preku jashtë mase. Më në fund e kuptova se këta silleshin si të krishterë të vërtetë, prandaj kërkova të studioja Biblën me ta.
Ndërsa studioja Biblën, mësova si duhet dhe si nuk duhet ta trajtojë burri gruan. E lashtë njëherë e mirë dhunën dhe keqtrajtimin. Me kalimin e kohës, u bëra Dëshmitar i Jehovait.Çfarë parimesh biblike të ndihmuan të ndryshoje?
Troi: Ka shumë. Te 1 Pjetrit 3:7, Bibla thotë se duhet ‘ta nderojmë’ gruan. Galatasve 5:23 na nxit të jemi ‘të butë’ dhe të ushtrojmë ‘vetëkontroll’. Efesianëve 4:31 i dënon ‘sharjet’. Ndërsa Hebrenjve 4:13 thotë se «të gjitha gjërat janë . . . fare sheshit» para Perëndisë, pra, Perëndia e sheh çfarë bëj, edhe nëse komshinjtë nuk e shohin. Gjithashtu mësova se duhej të zgjidhja shokë të tjerë, pasi «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme». (1 Korintasve 15:33) Shokët që kisha, në fakt, më shtynin të isha i dhunshëm. Ishin të mendimit se druri duhet, që «ta bësh zap» gruan.
Çfarë do të thoshit për lidhjen tuaj tani?
Valeria: Troi u bë Dëshmitar i Jehovait para 25 vjetësh. Që atëherë sillet mirë me mua, është vërtet i dashur dhe i vëmendshëm.
Troi: Nuk mund t’i ndryshoj dëmet që i kam shkaktuar familjes dhe patjetër gruaja nuk e meritonte ta trajtoja ashtu. Por mezi pres të realizohet Isaia 65:17, kur kjo anë e errët e jetës sonë të fshihet nga kujtesa.
Çfarë këshille do t’u jepnit të tjerëve që janë prekur nga dhuna në familje?
Troi: Nëse ushtron dhunë fizike ose me fjalë ndaj familjes sate, pranoje se ke nevojë për ndihmë dhe kërkoje. Mund të gjesh goxha ndihmë. Unë arrita t’i çrrënjosja prirjet e mia të dhunshme duke studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe duke u shoqëruar me ta.
Valeria: Mos u nxito ta krahasosh situatën tënde me atë të të tjerëve ose të ndjekësh këshillat e atyre që mendojnë se e dinë ç’është më e mira për ty. Megjithëse jo të gjithë do të kenë të njëjtin rezultat, unë për vete jam e kënaqur që nuk i dhashë fund martesës, sepse tani jemi bekuar me një marrëdhënie të bukur.
FUNDI I DHUNËS NË FAMILJE
Bibla thotë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr.» (2 Timoteut 3:16) Ashtu si Troi, për të cilin u fol më lart, shumë bashkëshortë të dhunshëm kanë zbatuar këshillat e Biblës dhe kanë arritur të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe sjelljen.
A dëshiron të dish më shumë se si Bibla mund të të ndihmojë të kesh një martesë më të lumtur? Për më tepër informacion, fol me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose hyr në www.mr1310.com/sq.
^ par. 3 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.
^ par. 8 Kuptohet, ka edhe mjaft gra që rrahin burrat. Por, nga shumë raste të raportuara, janë burrat ata që ushtrojnë dhunë mbi gratë.