PORTRETE NGA E KALUARA
Ultimatum në emër të Perëndisë?
«Nëse nuk bindeni, . . . me ndihmën e Perëndisë, do të vij me forcë te ju e do t’ju sulmoj nga çdo anë dhe me çdo mënyrë, do t’ju vë nën zgjedhën e nën pushtetin e Kishës e të Lartmadhërisë së tij; do t’ju marr gratë e fëmijët dhe do t’i bëj skllevër, . . . do t’ju marr pronat dhe do t’ju bëj të kaloni të zitë e ullirit. . . . Vdekja dhe e keqja që do t’ju vijë si pasojë, do të jenë për fajin tuaj dhe jo për faj të Lartmadhërisë së tij, e as për fajin tonë.»
KJO deklaratë zyrtare është nga më të çuditshmet. Është pjesë e një shpalljeje që në spanjisht njihet si el Requerimiento, të cilën, gjatë një pjese të shekullit të 16-të, konkuistadorët spanjollë duhej ta lexonin me zë kur zbarkonin në kontinentet e Amerikës për të pushtuar.
Çfarë u shpallnin konkretisht konkuistadorët vendësve dhe pse?
I detyronin të ktheheshin në katolikë
Pak pasi Kolombi shkeli në kontinentet e Amerikës në vitin 1492, si Spanja, edhe Portugalia pretendonin të drejtën për të sunduar në këto toka të reja. Të dyja e konsideronin papën si përfaqësuesin e Krishtit në tokë, prandaj kërkuan ndihmën e tij për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. Nën drejtimin e tij, kisha i ndau tokat e zbuluara midis Spanjës dhe Portugalisë, me kusht që këto dy vende të dërgonin misionarë për t’u ndërruar fenë vendësve.
Ndërsa pushtimi vazhdonte, monarkia spanjolle u përpoq të ligjëronte bëmat e konkuistadorëve. Spanjollët pretendonin se, meqë papa vepronte në emër të Perëndisë kur ua jepte ato toka, konkuistadorët ishin të lirë t’i hiqnin qafe indigjenët, zotërimet e tyre dhe t’u kufizonin lirinë.
Spanjollët përpiluan një dokument ku informonin vendësit për vendimin e papës. Vendësve u kërkohej të përqafonin fenë e krishterë dhe t’i nënshtroheshin mbretit të Spanjës. Nëse bënin rezistencë, spanjollët ishin të autorizuar në emër të Perëndisë të bënin një luftë «të drejtë» kundër vendësve.
«Arsyetimi ishte: dhuna është e justifikueshme për një kauzë të drejtë. Prandaj Spanja duhej të sajonte arsye që ta quante kauzë të drejtë.»
«I padrejtë, i pafe, skandaloz»
Kurora spanjolle kërkonte të lexohej dokumenti për të qetësuar ndërgjegjen e për të justifikuar pushtimin kolonial. Konkuistadorët shpesh e lexonin në bordin e anijes para se të mësynin ose në tokë para vendësve që nuk i kuptonin fare gjuhët evropiane. Ndonjëherë e lexonin para kasolleve të braktisura nga tmerri.
Kthimi me forcë në besimin e krishterë bëri që gjaku të shkonte lumë. Për shembull, rreth 2.000 araukanianë i masakruan në një betejë në Kili më 1550. Në lidhje me ata që kishin mbetur, konkuistadori Pedro de Valdivia i tha mbretit: «Dyqind prej tyre u preva duart dhe hundën për mosbindje, duke pasur parasysh se u kisha dërguar shumë korrierë dhe u kisha lexuar [dokumentin] siç më kishte urdhëruar Lartmadhëria juaj.» *
Leximi i dokumentit mund t’u ketë qetësuar ndërgjegjen pushtuesve, por njollosi fenë e spanjollëve. Frati misionar i shekullit të 16-të Bartolomé de las Kasas, një dëshmitar okular i pasojave të këtij dokumenti, shkroi: «Sa i padrejtë, i pafe, skandaloz, i palogjikshëm e absurd ishte ky urdhër! S’ma nxë goja çfarë turpi solli mbi fenë e krishterë.» Kronisti Gonzalo Fernandez de Oviedho u ankua se mizoritë kundër indigjenëve të Amerikës krijuan tek ata një përshtypje shumë të ulët për krishterimin.
A ka faj Perëndia për këto mizori të kryera nga forcat politike e fetare gjoja në emër të tij? Bibla thotë: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi, që i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi!»
^ par. 12 Sipas disa burimeve, ky dokument u anulua më 1573.