Një vështrim rreth botës
Zvicër
Sipas një studimi në Zvicër, probabiliteti që një njeri mbi 60 vjeç të vdesë është 14 për qind më i lartë ditën e lindjes në krahasim me ditët e tjera. Zakonisht, kur kanë ditëlindjen, njerëzve u bie infarkt vdekjeprurës në zemër 18 për qind më shpesh, grave u bie iktus 21 për qind më shpesh dhe burrat vetëvriten 35 për qind më shpesh. Shkencëtarët supozojnë se stresi dhe alkooli u kontribuojnë rritjes së vetëvrasjeve dhe aksidenteve. Gjithsesi, disa ekspertë e hedhin poshtë studimin duke thënë se, fakti që dita e vdekjes së shumë njerëzve përkon me ditën e lindjes, duhet të jetë gabim njerëzor.
Izrael
Burrat e pashëm kishin më shumë të ngjarë se gratë tërheqëse t’i thërritnin për intervistë pune, nëse i bashkëngjitnin një fotografi kurikulumit të tyre. Pse? Për studiuesit izraelitë kjo mund të ndodhë ngaqë stafi i burimeve njerëzore, që vendosin cilët të intervistojnë, janë kryesisht gra. Sipas The Economist, shpjegimi i pakëndshëm i kësaj është se, «si gjithnjë xhelozia i bën gratë të diskriminojnë kandidatet e bukura».
Shtetet e Bashkuara
Kohët e fundit, tre pacifistë, një murgeshë 82-vjeçare me dy bashkëpunëtorë të moshave 63 dhe 57-vjeçare, prishën rrethimin e godinave në Oak-Ridge, Tenesi, ku gjenden 100 tonë lëndë bërthamore, dhe në njërën nga ndërtesat shkruan parulla kundër luftës. Sekretari i Energjisë Stivën Çu e përshkruan si «tejet shqetësuese» mungesën e sigurisë atje ku mendohet të jetë një nga ndërtesat më të sigurta në botë.
Australi
Gjykata më e Lartë e vendit u kërkon firmave të duhanit të mos përdorin më ngjyra dhe sigla që bien në sy te paketat e cigareve. Tani të gjitha paketat duhet të jenë me ngjyrë ushtarake dhe me figura që tregojnë rreziqet e duhanit.