Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE

A zgjidhin gjë protestat?

A zgjidhin gjë protestat?

Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste janë politikisht asnjanës. (Gjoni 17:16; 18:36) Prandaj, edhe pse ky artikull përmend raste specifike të trazirave civile, nuk përkrah ndonjë komb më shumë se tjetrin dhe nuk mban anën e ndonjë çështjeje politike.

NË DATËN 17 dhjetor 2010, durimi i Mohamed Bouazizit arriti kulmin. Ky 26-vjeçar shiste në rrugë, në Tunizi, por ishte i zhgënjyer që nuk gjente një punë më të mirë. Gjithashtu i njihte mirë ryshfetet që kërkonin zyrtarët e korruptuar. Atë mëngjes, inspektorët i konfiskuan Mohamedit mallin me dardhë, banane dhe mollë. Kur donin t’i merrnin peshoren, ai s’pranoi t’ua jepte dhe, sipas disa dëshmitarëve, një police i gjuajti me shpullë.

I poshtëruar e i tërbuar, Mohamedi shkoi te zyra qeveritare më e afërt që të ankohej, por askush nuk ia vuri veshin. Thuhet se bërtiti përballë ndërtesës: «Si mendoni ta fitoj bukën e gojës?!» Pasi u lye krejtësisht me lëndë djegëse, ndezi një shkrepëse. Ai vdiq nga djegia më pak se tri javë më vonë.

Ky veprim i Mohamed Bouazizit, i shtyrë nga dëshpërimi, pati ndikim në Tunizi e më tej. Mjaft veta i konsiderojnë veprimet e tij si shkëndija për kryengritjen që rrëzoi regjimin e vendit dhe për protestat që u përhapën shpejt në vende të tjera arabe. Parlamenti Evropian e nderoi Bouazizin dhe katër të tjerë me Çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit, kurse revista The Times e Londrës e cilësoi personazhin e saj të vitit 2011.

Siç e tregon ky shembull, protesta mund të ketë ndikim të fuqishëm. Por, çfarë fshihet pas valës së protestave të ditëve tona? A ka ndonjë zgjidhje tjetër?

 Pse ngrihen në protesta njerëzit?

Shumë protesta ndodhin për këto arsye:

  • Nuk janë të kënaqur me sistemin. Kur njerëzit e një vendi besojnë se qeveria dhe ekonomia u shërbejnë nevojave të tyre, nuk kanë pse të protestojnë, pasi zyrtarët e rendit ekzistues punojnë që t’ua zgjidhin problemet. Nga ana tjetër, kur e kuptojnë se këto sisteme janë të korruptuara, të padrejta dhe ndihmojnë vetëm një pakicë të zgjedhur, piqen kushtet që të rebelohen.

  • Nxiten nga një shkëndijë. Në vend që të dorëzohen e ta pranojnë situatën siç është, shpesh mjafton një ngjarje që njerëzit të fillojnë të besojnë se duhet bërë diçka. Për shembull, rasti i Mohamed Bouazizit ndezi protesta në masë në Tunizi. Kurse në Indi, një grevë urie kundër korrupsionit e nisur nga aktivisti Ana Hazare, u pasua nga protestat e përkrahësve të tij në 450 qytete e fshatra.

Siç e pranoi edhe Bibla shumë kohë më parë, jetojmë në «një botë ku disa njerëz kanë pushtet dhe të tjerët detyrohen ta pësojnë nën sundimin e tyre». (Eklisiastiu 8:9, Bibla ECM) Sot korrupsioni dhe padrejtësia janë edhe më të përhapur se në atë kohë. Vërtet, njerëzit e shohin më qartë se kurrë si i kanë zhgënjyer sistemet politike dhe ekonomike. Falë smartphones, Internetit dhe transmetimeve 24-orëshe të lajmeve, edhe ngjarjet në vende të izoluara bëhen shkëndija që njerëzit të reagojnë në vendet e mëdha.

Çfarë është arritur nga protestat?

Simpatizantët e trazirave sociale do të thoshin se protestat kanë arritur këto gjëra:

  • Lehtësim për të varfrit. Në përgjigje të të ashtuquajturave trazira për qiranë që ndodhën në Çikago të Ilinoisit, SHBA, gjatë Krizës së Madhe të viteve 30, zyrtarët e qytetit pezulluan dëbimet nga shtëpitë dhe morën masa që disa nga protestuesit të punësoheshin. Protesta të ngjashme në Nju-Jork kthyen 77.000 familje në banesat e tyre.

  • Zgjidhje për padrejtësitë. Pezullimi i autobusëve të qytetit të Mongomerit në Alabama, SHBA, në vitet 1955-1956, më në fund solli përmbysjen e ligjeve për dallimet raciale të vendeve në autobusë.

  • Ndalojnë projekte ndërtimi. Në dhjetor të vitit 2011, dhjetëra mijë njerëz protestuan kundër ndërtimit të një centrali me qymyrgur afër Hong-Kongut, për shkak të ndotjes. Si rezultat, projekti u anulua.

Ndonëse disa protestues mund t’i arrijnë synimet, Mbretëria e Perëndisë jep një zgjidhje më të mirë

 Patjetër që protestuesit nuk marrin gjithnjë atë që duan. Për shembull, udhëheqësit mund t’i shtypin njerëzit, në vend që t’ua marrin parasysh kërkesat. Kohët e fundit, presidenti i një vendi në Lindjen e Mesme tha për lëvizjen e protestuesve atje: «Duhet shtypur me një grusht të hekurt.» Faktikisht, në këtë lëvizje kanë vdekur mijëra veta.

Edhe kur protestuesit i arrijnë qëllimet e tyre, gjithmonë pasojat sjellin probleme të reja. Një burrë që ndihmoi për të rrëzuar sundimtarin e një vendi afrikan, i tha revistës Time për regjimin e ri: «Ishte një utopi që u shndërrua në kaos të menjëhershëm.»

A ka zgjidhje më të mirë?

Shumë njerëz të njohur mendojnë se është detyrim moral të protestosh kundër sistemeve shtypëse. Për shembull, i ndjeri Vaslav Haveli, ish-president i Çekisë që kaloi vite në burg për shkak të veprimtarive në mbështetje të të drejtave të njeriut, shkroi në vitin 1985: «Ajo që mund të rrezikojë [disidenti], nëse mund të rrezikojë diçka, është lëkura e vet, pasi është e vetmja mënyrë për të mbështetur të vërtetën që beson.»

Fjalët e Havelit u paraprinë veprimeve të dëshpëruara të  Mohamed Bouazizit e të të tjerëve. Në një vend aziatik, dhjetëra veta i kanë vënë zjarrin vetes në shenjë proteste kundër shtypjes fetare dhe politike. Kur përshkroi ndjenjat që fshihen pas këtyre veprimeve ekstreme, një burrë tha për revistën Newsweek: «Nuk mbajmë armë. Nuk duam t’i bëjmë keq njeriu. E çfarë tjetër mund të bëjmë?!»

Bibla jep zgjidhje për padrejtësinë, korrupsionin dhe shtypjen. Ajo flet për një qeveri që Perëndia e ka themeluar në qiell, e cila do të zëvendësojë sistemet e dështuara politike dhe ekonomike që shkaktojnë protesta. Një profeci për Sundimtarin e kësaj qeverie, thotë: «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. . . . Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin.»Psalmi 72:12, 14.

Dëshmitarët e Jehovait besojnë se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë e vërtetë që njerëzimi të jetojë në një botë paqësore. (Mateu 6:9, 10) Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait nuk protestojnë. Por, a është mendim idealist që një qeveri nga Perëndia të eliminojë shkaqet e protestave? Mund të duket ashtu. Megjithatë, mjaft veta kanë arritur të besojnë te sundimi i Perëndisë. Pse të mos mësosh vetë për këtë?